“24 mijë euro për t’u bërë i pasur”, Ermal Mamaqi sqaron të gjitha

“24 mijë euro për t’u bërë i pasur”, Ermal Mamaqi sqaron të gjitha

Thirrja e Ermal Mamaqit për t’u bërë pjesë e trajnimeve të tij se si të bëhesh person i suksesshëm shkaktoi mjaft reagime në rrjetet sociale. Vetë aktori dhe sipërmarrësi në një intervistë për Euronews Albania sqaroi këtë keqkuptime.

“Ne nuk do të mësojmë se si të bëhesh i pasur por i suksesshëm dhe si rrjedhojë do të bëhesh dhe i pasur. Sukses është dhe të vlerësosh atë që ke dhe jo vetëm të duash atë që nuk ke sepse ka njerëz që kanë gjithçka por s’kanë asgjë”, deklaroi Mamaqi.

Për trajnimin e tij qarkulloi në rrjetet sociale një shifër prej 24 mijë euro, por komediani theksoi se për të marrë pjesë në trajnimin e tij të parë kushton shumë herë më pak duke shtuar se deri tani ka marrë 280 aplikime.

“Të them të vërtetë dhe të betohem deri sot në drekë ishin bërë 280 aplikime për të marrë pjesë. Jemi duke bërë rishikim dhe jo të gjithë mund të futen. Ka një kriter dhe do të bëjmë selektim. Duam të kuptojmë përse duan të futen në këtë trajnim dhe qëllimin. Shesim vlerat që ndërtojnë një njeri që do të ketë sukses. Në të gjitha trajnimet e mia njerëzit shkrihet duke qesh, nuk kam ndryshuar. Trajnim im kushton 97 euro dhe pasi ke kryer këtë trajnim mund të kalohen në trajnimin e madh 1-vjeçar”, deklaroi ai.

Materiali që ka qarkulluar në rrjetet sociale ai tha se nuk përbën çmimin e trajnimit por është vlera “e asaj që ne do të shesim apo japim”. Nga një anë Mamaqi tha se ishte i lumtur për bujën por nga ana tjetër shprehur keqardhje për sulmet ndaj tij.

“Kam 10 vite që studioj dhe më pëlqen shumë psikologjia e zhvillimit, shkenca e re e të bërit sukses. Kam 10 vite që trajnohem. Pjesën time si trajner e kam zhvilluar me miqtë dhe stafet e mia. Çdo ditë prej shumë kohës unë publikoj çdo mëngjes një mesazh motivues dhe kjo që po bëj tani është një ëndërr e imja që e kisha në sirtar”, u shpreh aktori i njohur i humorit.

Mamaqi sqaroi edhe një nga pikat e paketës së trajnimit ku pjesëmarrësit thuhet se do të kenë mundësi të hanë drekë apo darkë me personat më të pasur në Shqipëri. Ai tha se kjo praktikë në trajnime ndiqet dhe në shumë vende të tjera në botë.

“Darka apo dreka me këta njerëz është një nga pikat që ne i japim si bonus”, tha Mamaqi ndërsa tregoi se në një trajnim të Tony Robbins ku ka marrë pjesë me bashkëshorten e tij, kanë paguar nga 10 mijë euro për person.

Shpërndaje në: