Kafja apo çaji: Cila është më e shëndetshme
Hulumtimet e fundit thonë se të dyja kanë efekte të mira shëndetësore, dhe nuk ka edhe shumë rëndësi se cilën e konsumoni, transmeton Telegrafi.
Organizata Botërore e Shëndetësisë së fundmi e ka hequr kafenë nga lista e produkteve të dyshuara si kancerozë, e gjithashtu disa hulumtime të reja kanë treguar se kafja mund ta shmangë rishfaqjen e kancerit të zorrës së trashë.
Studime tjera sugjerojnë se kafja mund ta parandalojë edhe Alzheimerin.
Sa i përket çajit, hulumtimet kanë treguar se konsumuesit e çajit kanë më pak mundësi të vuajnë nga kanceri i lëkurës, gjirit dhe prostatës
Çaji i gjelbër, në veçanti, është i pasur me antioksidantë të cilët e limitojnë dëmtimin e qelizave dhe e përmirësojnë sistemin e imunitetit.
Por, a është njëra më e mirë se tjetra?
Ekspertët thonë se kjo është paksa e vështirë të vendoset. Kjo për shkak se është e vështirë të ndahen përbërësit e tyre të ndryshëm, rolin e tyre në dietën tuaj dhe efektet që i kanë në sistemin trupor.
Prandaj, sipas ekspertëve, nuk është se njëra është më e mirë se tjetra, apo njëra shkakton më shumë dëme se tjetra. Konsumimi i tyre në sasi të duhura ndihmon që të keni një trup të shëndetshëm. /Telegrafi/