Si e përjetojnë bebet daljen e dhëmbit të parë
Për disa, dalja e dhëmbëve është një proces i gjatë dhe i dhimbshëm, për të tjerë është histori që zgjat një natë. Dalja e dhëmbëve zakonisht fillon rreth moshës 7 muaj, për disa fillon shumë më shpejt ose më vonë. Të parët dalin dy të mesit poshtë, më pas ata të mesit lart, pastaj dhëmbët anash tyre, fillimisht poshtë dhe pastaj prapë lart. Plasja e dhëmballës shkakton një ngjyrë të mavijosur, por kjo është normale.
Shenjat e para
Skuqja e fytyrës dhe e mjekrës, ngaqë lëkura laget nga jargët. Për të parandaluar këtë, fshijeni shpesh bebin që lëkura të mbetet e thatë.
Pak kollë. Pështyma e tepërt shkakton kollë. Mos u shqetësoni nëse bebi nuk ka ndonjë shenjë tjetër ftohjeje apo alergjie. Bebi vazhdon të kollitet, sepse i duket një lojë me zërin.
Kafshimi. Bebi kafshon çdo gjë që i zë dora, që nga dora e vet, gjirin, gishtin e ndonjë të panjohuri, sepse kjo lehtëson dhembjen.
Dhembja. Ka bebe që kanë mjaft dhembje dhe të tjerë që nuk paraqesin asnjë lloj dhembjeje.
Irritimi. Dhembja e vazhdueshme bën që bebi të ndryshojë dhe të irritohet, ashtu si çdokush që vuan nga dhembjet.
Mospranimi i ushqimit. Bebi duket i uritur, por kur fillon të thithë, dhembja dhe sikleti shtohet, ai shkëputet nga gjiri apo shishja, që i donte shumë më parë. Kjo gjë përsëritet dhe bebi do të ushqehet, por më pas nuk pranon.
Jashtëqitjet e ujshme. Daljet jashtë më të holla mund të shkaktohen nga sasia më madhe e pështymës që prodhohet dhe gëlltitet. Por, nëse bebi del hollë për më shumë se dy herë, duhet të konsultoheni me mjekun pediatër.
Temperatura (37-38 0C) Mjekët s’e pranojnë, por shpesh dalja e dhëmbëve shoqërohet me temperaturë, për shkak të përskuqjes në vendin e daljes së dhëmbit. Konsultohuni me pediatrin, nëse temperatura vazhdon për më shumë se 3 ditë.
Çrregullimet e gjumit. Shpesh, nga dhembja e daljes së dhëmbëve, fëmijës i trazohet edhe gjumi.
Fryrja e mishrave të dhëmbëve. Këshillohen kompresa të ftohta për të ulur vështirësitë. Tërheqin veshët ose fërkojnë mollëzat. Shpesh dhembja e dhëmbëve shpërndahet në veshë dhe mollëza dhe bebi tërheq veshët ose fërkon mollëzat herë pas here.
Duan të përtypen gjithë kohën. Duhet t’i jepen banane të ngrira, akull të futur në një napë, lodra plastike etj. Edhe thjesht një fërkim i mishrave me to, e lehtëson dhimbjen. Gjithashtu, edhe një fetë molle e ftohtë, e mbështjellë me një napë, mund të ketë efekt qetësues, nëse e vendosim mbi zonën e acaruar.
Duan të pinë e të hanë gjëra të ftohta. Kur asgjë nuk e ul dhembjen, mund të përdorni Paracetamol (Tempra Tylenol). Mos përdorni pije alkoolike, se janë një helm i rrezikshëm për bebin. Edhe një provë e vetme mund të bëjë që bebit t’i pëlqejë dhe të mësohet me to.