Pse kundërshtarët e vaksinave janë të gatshëm të dëmtojnë veten dhe të tjerët?

Pse kundërshtarët e vaksinave janë të gatshëm të dëmtojnë veten dhe të tjerët?

Një sondazh i ri sugjeron që ka pasur një rritje të vogël të numrit të njerëzve që janë të gatshëm të vaksinohen ndaj koronavirusit, duke sinjalizuar një ulje të hezitimit ndaj vaksinave. Tek hezituesit ndaj vaksinave, sipas OBSh-së, përfshihen të gjithë ata që i shmangin vaksinat për ndonjë arsye apo një tjetër.

Dhe, ka një listë të gjatë faktorësh që mund të ndikojnë në vendimin e dikujt për të mos e bërë një vaksinë, apo për të mos ia bërë as fëmijës së tij. Këtu përfshihet mungesa e besimit tek autoritetet shëndetësore, vetëkënaqësia (duke mos e besuar se keni nevojë për një vaksinë) dhe shqetësimin e marrjes së një vaksine kur keni nevojë për të.

Ata që hezitojnë të vaksinohen, variojnë nga dikush që thjesht “nuk iu afrua” vaksina, tek kundërshtarët e zjarrtë që besojnë se vaksinat janë helme toksike të cilat nuk duhet që t’i fusim në trupat tanë, apo që mbështesin teorinë konspirative sipas së cilës kompanitë e mëdha farmaceutike janë duke na manipuluar për përfitimet e tyre.

OBSh këshillon më shumë dialogun sesa imponimin ndaj tyre, duke i ndihmuar njerëzit që të marrin vendime të mira për veten e tyre, ndërsa e bëjnë më të lehtë vaksinimin kur ata vendosin që ta bëjnë atë.

Si një studiues i rezistencës si sjellje, unë nuk jam shumë tolerant ndaj atyre që refuzojnë një vaksinë kur shkenca qartazi është në anën e shëndetit publik. Kur dikush sheh dëmin e bërë në të gjithë botën nga sëmundjet ngjitëse si poliomieliti dhe fruthi (dhe tani pandemia), dhe më pas sheh ata që kanë mundësi të vaksinohen dhe nuk e bëjnë këtë, pyet veten se çfarë justifikimi të mundshëm mund të ketë për ta dëmtuar ai veten, por edhe cilindo tjetër në komunitetin e tij.

Unë mendoj se janë tri arsye pse kundërshtarët e vaksinave e kanë gabim dhe qëndrimi i tyre është i pamoralshëm. Së pari, le të merremi me besimin tek shkenca. Studimet mbi hezitimin ndaj vaksinimit kanë treguar se kur autoritetet u japin prindërve skeptikë një informacion të kuptueshëm në lidhje me vaksinat, ata kanë dy herë më pak gjasa që të jenë skeptikë ndaj vaksinave se sa ata që nuk besojnë tek autoritetet shëndetësore.

Së dyti, kundërshtarët e vaksinave e kanë prishur kontratën sociale. Rezistenca jonë individuale varet gjithmonë nga qëndrueshmëria e sistemeve mbështetëse nga të cilat varet. Gjatë recesionit të shkaktuar nga pandemia, ne u kemi kërkuar qeverive që të jenë më të forta, dhe të na nxjerrin nga kolapsi ekonomik.

Ne jemi mbështetur tek shërbimet sociale dhe organizatat jofitimprurëse për të ushqyer dhe strehuar më të prekshmit. Dhe, kemi parë që qeveria po bën çfarë të mundet për ta mbajtur shoqërinë funksionale. Qëndrueshmëria e çdo individi varet nga ajo se sa mirë sistemet e tyre përreth e kryejnë punën e tyre. E vetmja arsye pse kundërshtarët e vaksinave mund të shpëtojnë pa u prekur nga poliomieliti, fruthi apo ndonjë sëmundje tjetër e rëndë, është se ka shumë njerëz që janë vaksinuar për të krijuar imunitetin e tufës. Kur shumica e njerëzve përmbushin detyrimet e tyre shoqërore dhe vaksinohen, ne të gjithë jemi më rezistencë përballë një shpërthimi të mundshëm epidemik.

Siç kemi parë kohët e fundit me rastet e fruthit, kur normat e vaksinimit të fëmijëve bie në 50 për qind, imuniteti i tufës prishet dhe fëmijët fillojnë të infektohen dhe të vdesin nga sëmundjet që mund të parandalohen. Dhe, mosangazhimi për të kontribuar në imunitetin e tufës është një akt egoizmi nga ana e kundërshtarëve të vaksinave.

Sipas një dokumenti të botuar në revistën “Lancet”, ky egoizëm dhe mungesë e ndërgjegjes shoqërore, është veçanërisht shqetësuese për ata që ndërveprojnë me kundërshtarët e vaksinave, pasi skeptikët ndaj vaksinave priren të mendojnë globalisht, por ndikojnë kryesisht në rrethin e tyre social.

Refuzimi i tyre për t’i pranuar vaksinat si të sigurta, duhet të shihet për atë që është: mosrespektim i sigurisë së të tjerëve, i ngjashëm me drejtimin e makinës nga dikush në gjendje të dehur, apo lënien në shtëpinë e dikujt të një arme zjarri të mbushur.

Së treti, kundërshtarët e vaksinave po i manipulojnë të tjerët, për ta bërë veten të ndihen më të gjithëfuqishëm. Ashtu si politikanët që abuzojnë me ndikimin e tyre për përfitime personale, edhe ata nuk zgjedhim domosdoshmërisht një regjim vaksinimi, përkundrazi zgjedhin një identitet që ata perceptojnë si të fuqishëm. /Burimi: “Psychology Today”/Në shqip nga: bota.al/

Shpërndaje në: