Nga parandalimi te vdekshmëria: Lidhja e vitaminës D me Covid-19

Nga parandalimi te vdekshmëria: Lidhja e vitaminës D me Covid-19

Pa një vaksinë kundër koronavirusit të aprovuar për përdorim masiv, shumë njerëz po u drejtohen vitaminave për të forcuar sistemin e tyre imunitar në luftën kundër Covid-19.

Ndërsa shumë postime në rrjetet sociale i konsiderojnë vitaminat si mburojë kundër koronavirusit, Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar Amerikan të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, është shprehur se shumica e “të ashtuquajturave suplemente shtesë të rritjes së imunitetit” nuk bëjnë “asgjë”.

Megjithatë, ekziston një vitaminë që mund të jetë tepër e rëndësishme në luftën kundër koronavirusit – Vitamina D.

“Nëse keni mungesë të vitaminës D, kjo ka një ndikim në ndjeshmërinë ndaj infeksionit,” tha Fauci në një intervistë në Instagram Live me aktoren Jennifer Garner. Fauci nuk përmendi Covid-19 posaçërisht, por foli për rolin e përgjithshëm të vitaminës D në rritjen e sistemit imunitar – në veçanti, për përfitimet e kësaj lënde ushqyese për njerëzit që e kanë mungesë.

Nga parandalimi te vdekshmëria: Lidhja e vitaminës D me Covid-19

Ndërkohë ka mjaft prova që shkencëtarët janë duke studiuar në lidhje me përfitimet e kësaj vitamine kundër Covid-19.

Hulumtimet më të fundit sugjerojnë se mungesa e vitaminës D mund të rrisë rrezikun e infeksionit të koronavirusit dhe ashpërsinë e sëmundjes. Për shembull, disa studime zbuluan se vdekjet nga Covid-19 priren të jenë më të larta në vendet më larg ekuatorit, ku shumë njerëz kanë mungesë të vitaminës D për shkak të sasisë së pakët të rrezeve të diellit, veçanërisht gjatë dimrit. Një tjetër studim i botuar në JAMA Network Open forcon rëndësinë e vitaminës D për një sistem të shëndetshëm imunitar.

Hulumtime të tjera tregojnë se pacientët me nivele më të ulëta të vitaminës D, të cilët diagnostikohen me Covid-19, kanë tendencë të kenë simptoma më të këqija. Megjithatë jo të gjitha studimet e lidhin këtë vitaminë me mbrojtjen ndaj virusit. Shumë shkencëtarë janë duke vëzhguar rëndësinë e vitaminës C dhe zinkut. Në një studim, ekspertët në Spanjë raportuan se pacientët me nivele të ulëta të zinkut në gjak kishin më shumë të ngjarë të ndërronin jetë nga Covid-19.

Për momentin është e pamundur të tregohet një lidhje 100% shkak-pasojë mes vitaminës dhe Covid-19. Për momentin nevojiten më shumë prova, por studiuesit duket se janë entuziastë mbi përfitimet e vitaminës D për të parandaluar Covid-19 ose për ta luftuar më shpejt sëmundjen.

Burimet: Healthline, Mayo Clinic, BBC

Shpërndaje në: