Rrëfimi për vajzën që e ndalën nga shkolla

Është e habitshme se si një popull i tërë, i madh e i vogël, na shtangu një rezultat i keq i PISA’s. Sidomos nga ajo që përcillja në rrjetet sociale, nuk kishte si mos më keq, nuk i kishte ndodhur Kosovës gjë më e keqe se ky rezultat, që prej viteve të pasluftës.
Ama, më keq se rezultati i PISA’s, Kosovës i ka ndodhur dhe vazhdon t’i ndodhë shifra e madhe e analfabetizmit. Vetëm para pak vitesh, Kosova radhitej si e para në Europë për kah numri i njerëzve që nuk dinë shkrim e lexim.
Pra, nga vendi i parë nga një e keqe ekstreme ne duam diçka më mirë në një ‘të mirë ekstreme’. Pra, nga të parët në analfabetizëm, ne duam të jemi diku, të paktën kah mesi i më të mirëve në botë. Edhe për çka? Për arsim?
Të kthehem te Nora,
Vajza që e ndalën nga shkolla.
Ajo ishte një nga nxënëset më të mira në klasë. Sidomos në lëndën e Matematikës, ishte e para në klasë. Një herë, pothuajse e gjithë klasa kishim rënë në test, dikush njësh e deri në dysh kishte nota, vetëm Nora e kishte pesë. Sepse nuk kishte asnjë gabim në testin e Matematikës. Pra, thënë më mirë, aty ku nevojitej një sukses i shkëlqyeshëm (logjikshëm deri në skaj) në lëndët shkencore, aty ishte emri i Norës.
Pas disa vitesh, takova vëllain e saj. Kishte kohë që nuk kisha dëgjuar për Norën. Vëllai i saj më tregoi se ai ishte regjistruar në fakultet ndërkaq Nora ishte martuar. Në fakt, e kishin martuar.
Kisha edhe një njohuri për Norën: se vinte nga një familje e varfër. Ama familja, e varfër, kishte bërë të pamundurën ta shkollonte vëllain e Norës, por jo Norën. Norën mund ta martonte.
Derisa këtë shkrim e nisa, për ta bërë një përmbledhje të performancës së grave deputete, sepse më interesonte një gjë e tille, përfundova duke kujtuar Norën.
E logjikshme që gratë deputete nuk mund të flasin për rastin si i Norës, sepse ai rast nuk sjell vota. Dhe ministri Arsim Bajrami që flet për PISA’n derisa nuk flet për analfabetizmin.
E palogjikshme se si flamurtaret e feminizmit, nuk kërkojnë rastet e Norës. Si do të ishte jeta e saj po qe se do të kishte mundësi shkollimi?
Në PISA nuk do të jemi kurrë më të mirë. Në Kosovë, nga deputetët deri te Presidenti i vendit, jo vetëm që nuk luftohet, por edhe përkrahet analfabetizmi.
A i keni dëgjuar ndonjë nga fjalimet e grave deputete në Kuvend gjatë vitit? Për çka kanë folur ato? Për të fituar vota në mandatet tjera. A e keni dëgjuar se si flet kryeparlamentari Kadri Veseli në emisione? Flet për bisedat ‘burrnore’ që ka nëpër komuna me ata që ‘cojnë kry’. A e keni dëgjuar fjalimin e fundit të Presidentit që ngjan sikur po raporton para ndonjë komisioni parlamentar? A e keni gjetur veten në ndonjërin nga rreshtat e tij? Natyrisht që jo, sepse ai ka bërë një përmbledhje të të gjitha vizitave në pllakat përkujtimore të viktimave serbe. Dhe asgjë më shumë. Ai më nuk na trajton si heronjtë e tij (siç na trajtonte në fjalimin e parë).
Po gratë ambasadore që i kemi nëpër botë, a i keni dëgjuar t’i prijnë ndonjë kauze apo vetëm të bëjnë ‘share’ nëpër Facebook të lajmeve nga mediat atje ku i ka dërguar ‘fati’.
Po feministet, a i keni dëgjuar të kërkojnë rastet kur Nora ndalet nga shkolla dhe e martojnë? A keni dëgjuar që të kenë kërkuar të takojnë ndonjërën nga Nora’t gjithandej nëpër Kosovë? T’i evidentojnë ato raste?
Jo.