Si mund të ndikojë pandemia e koronavirusit në grip?
Ndërsa nuk ka gjasa që gripi së shpejti të zhduket plotësisht, pandemia aktuale mund të ndikojë në virus në mënyra të tjera.
BBC sjell dy skenarë të mundshëm, njëri prej të cilëve është shumë më i dëshirueshëm se tjetri.
Së pari, virusi mund të zhvillohet më ngadalë se zakonisht. Kjo është e rëndësishme pasi do të thotë që llojet që do të vijnë vitin e ardhshëm nuk do të ndryshojnë dukshëm nga ato të vitit të kaluar dhe infeksionet mund të jenë relativisht të lehta.
“Ajo që është problematike në lidhje me gripin është se ai gjithmonë zhvillohet në diçka të re që nuk e kemi parë kurrë më parë. Kjo është arsyeja pse është vërtet e vështirë të thuash se në cilin drejtim gjërat do të evoluonin nëse do të ishin thjesht pak më ndryshe. Gjërat janë të paparashikueshme në fillim, por kjo mund të jetë me të vërtetë e mirë dhe emocionuese”, tha për BBC Sarah Cobey, një epidemiologe në Universitetin e Çikagos.
Peter Palese, një mikrobiolog dhe ekspert i virusit RNA në Spitalin Mount Sinai në Nju Jork thotë se nëse ka më pak viruse, atëherë edhe më pak mutacione do të jenë në gjendje që të ndodhin.
“Është vërtet e thjeshtë. Për 10,000 të infektuar mund të priten 10 mutacione. Kështu, për një mijë të infektuar, mund të pritet vetëm një mutacion”, tha ai.
Teorikisht, gjithçka që ndikon në sasinë e virusit që qarkullon duhet të ndikojë gjithashtu në evolucionin e tij, madje edhe vaksinat që janë aktualisht në dispozicion.
“Nëse Bill Gates mund të paguajë dhe 95 për qind e njerëzve bien dakord të vaksinohen, unë mendoj se do të kishim një lloj mbrojtje imune që do të çonte në një përzgjedhje tjetër darviniane. Nga ana tjetër, vetëm rreth pesë për qind e popullsisë së botës është vaksinuar,” tha Palese për BBC.
Sidoqoftë, ekziston një mundësi tjetër. Në realitet, ne nuk e dimë me siguri nëse distanca shoqërore ka çuar në më pak infeksion gripi në të gjithë botën ose sapo kemi zbuluar një numër më të vogël. Nëse jo, shkalla e evolucionit të virusit mund të mbetet përgjithësisht e njëjtë.
Kjo do të thotë që vitin e ardhshëm, kur distanca sociale është braktisur kryesisht, pjesë të botës ku aktualisht ka më pak raste të gripit mund të goditen rëndë.
“Nëse nuk ka transmetim të patogjenëve të tjerë të frymëmarrjes, kjo do të thotë që njerëzit nuk fitojnë imunitet ndaj tyre. Unë jam i shqetësuar për atë që do të ndodhë me ato patogjenë pasi të kemi vaksinën covid-19”, thotë Cobey.
Ajo sugjeron që në vend që të përqendrojmë të gjitha përpjekjet në zhvillimin e vaksinave, duhet të investojmë në lloje parandalimi dhe trajtimi që mund të jenë efektive edhe kundër patogjenëve të tjerë të frymëmarrjes, të tilla si përmirësimi i higjienës dhe disponueshmëria e aparateve të frymëmarrjes.
“Në atë mënyrë nuk do të duhet të kthehemi në fillim pasi të marrim vaksinën COVID-19”, tha Sarah Cobey.
Nga ana tjetër, Palese thekson rëndësinë e vaksinimit kundër gripit.
“Edhe nëse nuk mbron plotësisht, sigurisht që rezulton në një sëmundje më të moderuar dhe është shumë e sigurt si vaksinë,” shprehet ai.
Por, shkencëtarët ende nuk e dinë se çfarë ndodh me njerëzit që janë të infektuar me grip dhe COVID-19 në të njëjtën kohë.
“Ne me të vërtetë nuk e dimë. Jam i shqetësuar se mund ta përkeqësojë sëmundjen,” përfundon Palese.
Ndryshe, që nga shpërthimi i epidemisë e deri më sot në gjithë botën janë regjistruar më shumë se 42 milionë raste me koronavirus, prej tyre 1.17 milion kanë vdekur dhe 30 milionë e 500 të tjerë janë shëruar, ndërsa aktive janë edhe 9 milionë raste.
Deri më tash nuk ka asnjë vaksinë efektive që do të ndalojë përhapjen e sëmundjes që shpërtheu për herë të parë në dhjetor të vitit të kaluar në Kinë. Tashmë disa nga vaksinat kryesore si Johnson and Johsnon dhe Astra Zeneca kanë ndaluar provat klinike për shkak të efekteve anësore. Më herët është thënë se vaksina e parë pritet në pranverën e vitit të ardhshëm.