Punësimi i të rinjve duke përdorur inovacionin si pikënisje
Për të kuptuar thellësisht përfitimet e modelit të inkubatorëve dhe përshpejtuesve për zhvillimin e biznesit për të rinjtë, por edhe problemet me të cilat përballen rregullisht, duhet të analizojmë dhe diskutojmë se si modeli i inkubatorëve dhe përshpejtuesëve mund të zvogëlojë papunësinë e të rinjve, dhe kështu të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Një problem shumë serioz dhe shqetësues i cili sipas raporteve të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare paraqet jopunësimin e të rinjve në Kosovë në një përqindje shumë të lartë dhe vlerëson kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik si shumë të vogël.
Përfitimet më të mëdha për të rinjtë, të cilat vijnë nga programet e ndryshme të zhvilluara brenda inkubatorëve ose përshpejtuesve për zhvillimin e biznesit, është arsimi që ata marrin nga trajnimet e ndryshme, bashkëpunimi me njëri-tjetrin, puna në grupe dhe ekspozimi ndaj faktorëve të ndryshëm brenda dhe jashtë inkubatorit dhe përshpejtuesëve.
Nga ana më pak pozitive, zhvilluesit e inkubatorëve në shumicën e rasteve kanë pritje të mëdha në lidhje me financimin dhe rritjen e biznesit ose produktit që po zhvillojnë. Pritja është që ideja e biznesit ose produkti që po zhvillohet, të përmirësojë automatikisht jetën e tyre, për fat të keq kjo nuk ndodh shpesh. Meqenëse shkalla e dështimit është shumë e lartë dhe fatkeqësisht edhe ideja inovative e krijimit të inkubatorëve dhe përshpejtuesve i ka bërë ato pothuajse jo inovative. Për fat të keq, themeluesit e startup-eve shpesh përfundojnë të vetëm në idetë e tyre, duke u përpjekur të zhvillojnë më tej produktin e tyre, në vend që të ekspozohen para profesionistëve nga fusha të ndryshme ku ata do të paraqisnin ose mbronin / argumentonin produktin e tyre.
Nga ana tjetër politikëbërësit shpesh diskutojnë për masat e nevojshme për zhvillim ekonomik dhe për të krijuar vende të reja pune, por nga ana tjetër nuk zhvillojnë politika ose mendësi të reja për të përtërirë kompanitë tradicionale, dhe kjo më pas e bën të vështirë arritjen e ndryshimit aq të nevojshme që do të përmirësonte problemin e papunësisë, veçanërisht tek të rinjtë dhe kështu do të përmirësonte zhvillimin e duhur ekonomik.
Pra, të gjithë ata që merren me këtë fushë duhet të mendojnë dhe t’i bëjnë vetes disa pyetje. Si mund ta promovojmë punësimin e të rinjve duke përdorur inovacionin si pikënisje? Si mund të kontribuojnë të rinjtë në rritjen e inovacionit të ndërmarrjeve / korporatave egzistuese? Si të drejtohen fondet publike dhe private drejt këtij qëllimi? Dhe si të përdoren aftësitë dhe energjia e të rinjve të papunë?
Modeli i inkubacionit të ideve ose produkteve të gjeneruara nga të rinjtë për inovacionin teknologjik është një opsion i rëndësishëm dhe më se i përshtatshëm. Në këtë mënyrë, me mbështetjen e fondeve publike dhe përfitimeve fiskale, inkubatorët ekzistues në bashkëpunim me të rinjtë e të gjitha shtresave të shoqërisë dhe komuniteteve, mund të zhvillojnë produkte inovative që do të pranohen nga ndërmarrjet ose korporatat ekzistuese. Institucionet duhet të punojnë më shumë për të mbështetur një numër programesh në të gjithë vendin, me një strategji lokale e cila do të lehtësonte pjesëmarrjen e të rinjve nga zonat urbane dhe rurale, por edhe nga komunitete të ndryshme me një fokus të veçantë në ato të margjinalizuara.
Si përfundim, programet e zhvilluara do të mundësonin që:
- çdo i ri që është i papunë mund të aplikojë për të marrë pjesë në modulet e shpërndara fizikisht dhe gjithashtu përmes mediave sociale.
- Modulet të pasohen me një fazë të zhvillimit të ideve, të vendosin për një produkt, ide apo projekt dhe të formojnë një ekip për ta ekzekutuar atë.
- Anëtarët e ekipit duhet të kenë aftësitë e nevojshme për të ekzekutuar idenë ose produktin që ata kanë zgjedhur.
- Përderisa inkubatorët ose përshpejtuesit identifikojnë këto ekipe dhe eksplorojnë ose zgjedhin idetë më premtuese për të hyrë në fazën e përshpejtimit dhe për të ndihmuar në ndërtimin e një propozimi konkret bazuar në një model të qëndrueshëm biznesi.
- Në fund, këto ekipe duhet të pajisen ose plotësohen me aftësi menaxheriale dhe kompetenca në lidhje me menaxhimin e burimeve njerëzore.
- Në këtë mënyrë të shihen si ide biznesi dhe ekipe të cilat mund të abrorbohen nga bizneset dhe jo domosdoshmërisht të shihen si projekte që zhvillohen individualisht dhe në fund të fundit blihen nga bizneset.
E tërë kjo mund të arrihet nëse kemi një politikë publike stimuluese për të mbështetur këtë model, veçanërisht duke pasur parasysh që aplikantët janë të rinj dhe një numër idesh nuk do të jenë të suksesshme.
Aurori është i angazhuar si Koordinator i Programeve pranë Zyrës Regjionale Për Bashpunim Rinor -RYCO