Jetojmë në një botë kaotike, pa superfuqi

Jetojmë në një botë kaotike, pa superfuqi

Epoka post-amerikane është titulli i një libri nga gazetari i CNN Fareed Zakaria i botuar në vitin 2011, në të cilin autori shpjegonte se ndryshimi në botë nuk ishte për shkak të një rënie të pretenduar të Shteteve të Bashkuara, por për shkak të “ngritjes së të tjerëve “, domethënë Kina, India dhe kështu me radhë. Udhëheqja e SHBA, shpjegonte Zakaria, vazhdonte në të gjitha sferat: ekonomike, teknologjike, ushtarake dhe politike.

Pothuajse një dekadë pas botimit, pas katër viteve të presidencës Trump, Zakaria mund t’i japë një kuptim tjetër titullit të librit të tij. Ndërsa “ngritja e të tjerëve” është ende e dukshme (veçanërisht ajo e Kinës), Shtetet e Bashkuara kanë bërë një tërheqje relative nga çështjet globale. Nuk është çështje e izolimit, por e një angazhimi të njëanshëm që ka ndryshuar natyrën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Bota post-amerikane, versioni 2020, është një botë pa udhëheqje të padiskutueshme. Sigurisht që nuk ka më “hiperfuqi” për të cilën fliste ish-ministri i jashtëm francez Hubert Védrine pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe në vitet nëntëdhjetë, as xhandar të kudondodhur në të gjitha kontinentet. E gjitha filloi me Barack Obamën dhe refuzimin e tij për të ndërhyrë në Siri në vitin 2014, dhe u përshpejtua nga Donald Trump.

Kjo mungesë e lidershipit ka favorizuar shfaqjen e një bote shumëpolare. Problemi është se kjo botë nuk njeh më rregulla të përbashkëta, dhe po shfaqet gjithnjë e më kaotike.

Trump ndryshoi natyrën e udhëheqjes botërore të Shteteve të Bashkuara. Presidenti nuk pranon as besim, as ligj, nuk njeh marrëveshjet e kaluara dhe është bërë i paparashikueshëm dhe iracional.

Sikur të mos mjaftonte kjo, ai jep një shembull të keq duke bërë pikërisht atë gjë, për të cilën qorton kundërshtarët e tij: injoron angazhimet ndërkombëtare kur i volit, për të mos përmendur përbuzjen që ka ndaj funksionimit demokratik, gjë që e shohim çdo ditë teksa i afrohemi zgjedhjeve të 3 nëntorit. Shembulli amerikan dhe fuqia e butë, e cila është baza e dominimit amerikan, janë dobësuar dukshëm.

A do të përfundojë tërheqja e Uashingtonit me mandatin e Trump? Absolutisht jo. Në të kaluarën, ekspertët e kanë konsideruar presidencën Trump si një “aksident”, por sot ata janë të vetëdijshëm se presidenti, në mënyrën e tij, mishëronte një prirje themelore, një “epokë të të zgjatur të mosangazhimit”, për të cituar fjalët e një politikani francez.

Një botë post-amerikane nuk do të thotë që Shtetet e Bashkuara janë zhdukur ose janë tërhequr dhe janë ngulur brenda kufijve të veta, por se botëkuptimi i tyre ka ndryshuar. Ky fenomen do të mbetet shumë real edhe nëse fiton demokrati Joe Biden.

Për të gjithë të tjerët, duke filluar me ne evropianët, kjo situatë ngre një pyetje ekzistenciale pas dekadash jetese nën ombrellën amerikane. Ndërgjegjësimi i evropianëve për këtë botë të re ka qenë i ngadaltë, por ka ndodhur, edhe nëse në Paris qarkullon një batutrë për lehtësimin që mund të sjellë një fitore eventuale e Joe Biden, një president më i paraqitshëm se Trump.

Pavarësisht nga zgjedhjet, bota post-amerikane do të zgjasë shumë, ndoshta në forma të ndryshme. Kjo na detyron të ngremë pikëpyetje mbi rolin tonë në botën e re, e cila është bërë shumë më pak miqësore sesa në të kaluarën. / France Inter – Bota.al

Shpërndaje në: