Fjolla Morina del para Gjykatës së Kukësit bashkë me dy miqtë e saj
Tre ditë pasi u kap në pikën Kufitare të Morinës, Fjolla pritet që të njihet me masën e sigurisë, bashkë me dy djemtë që e shoqëronin në momentin e arrestimit.
Këngëtarja Fjolla Morina ka dalë sot para trupit gjykues në Gjykatën e Kukësit, ku do të njihet me masën e sigurisë, shkruan dosja.al.
Tre ditë pasi u kap në Pikën Kufitare të Morinës, Fjolla pritet që të njihet me masën e sigurisë, bashkë me dy djemtë që e shoqëronin në momentin e arrestimit.
Bëhet fjalë për biznesmenin Fisnik Syla dhe shoferin e këngëtares Fitim Muji. Prokuroria e Kukësit ka kërkuar arrest me burg për të tre të prangosurit.
Pamjet që po shikoni vijnë nga Gjykata e Rrethit Kukës ku këngëtarja Fjolla Morina ka mbërritur nga forca të shumta policie. E veshur me një fustan të gjatë me lule, me maskë të vënë dhe me flokët gërshet, këngëtarja është futur brenda ambienteve të Gjykatës, ku pret të njihet me masën e sigurisë, e shoqëruar nga një efektive. Pas saj, janë futur edhe dy personat e tjerë të arrestuar me këngëtaren në kufi, biznesmeni Fisnik Syla dhe shoferi Fitim Muji.
Dje u zbardhën edhe dëshmitë e të arrestuarve. Morina ka pranuar se arma e zjarrit që iu gjet në çantë ishte e saja dhe se e kishte dhuratë nga një shok i cili nuk jeton më.
Dy 29-vjeçarët që ishin me këngëtaren janë shprehur para grupit hetimor se nuk kishin dijeni që këngëtarja kishte armë me vete. Një ditë më parë, ekspertiza e mjekut gjinekolog në spitalin e Kukësit, ka dalë në përfundimin se këngëtarja e arrestuar është në pritje të një fëmije.
Pavarësisht këtij elementi të ri që ka dalë gjatë fazës së hetimit, prokuroria e Kukësit, ka çuar në gjykatën e rrethit kërkesën për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, për këngëtaren Fjolla Morina. Kjo e fundit është edhe nënë e dy fëmijëve të mitur.