Modelja flet për abuzimet e fotografëve dhe keqpërdorimin e fotove të saj nudo
Në një shkrim për “The Cut” dhe NY Mag, Emily Ratajkowski (Emrata) shkroi një ese me titull “Buying Myself Back”, për të treguar se çdo të thotë të rimarrësh imazhin tënd mbrapsht.
Eseja sillet rreth temave si përdorimi i imazhit dhe trupi i gruas.
Ajo flet për paradoksin e të qenit një fytyrë publike dhe për faktin se e sheh kudo fytyrën dhe trupin e saj, edhe aty ku nuk mendonte se ishte e mundur ose e ligjshme.
“Jam mësuar më shumë duke e parë veten, përmes lenteve të paparacit sesa në pasqyrë dhe kam mësuar se imazhi im, pasqyrimi im, nuk është i imi”, shkruan modelja.
Emily është gjendur disa herë në situata jo normale. Pak kohë më parë, një paparac e paditi modelen sepse postoi një foto të saj në Story-t e Instagram, foto e cila ishte shkrepur nga paparaci në fjalë.
Në një moment tjetër, një haker zbuloi fotot e saj private, që modelja i kishte nisur të dashurit.
Sidoqoftë, momenti më shqetësuar që Emrata përmend në ese është një xhirim i disa fotove të vitit 2012, në Catskills, në shtëpinë e fotografit Jonathan Leder. E shtyrë nga agjenti i saj, Emrata kishte rënë dakord të merrte pjesë në këtë xhirim të papaguar për një revistë, për të cilën nuk kishte dëgjuar kurrë, për të bërë një emër në industri dhe për të takuar profesionistë të fushës, një praktikë e zakonshme, veçanërisht për modelet në zhvillim.
“Kur ai vendosi të brendshme të modës së vjetër në një karrige kuzhine, unë fillova të kuptoj se çfarë lloj vajze donte të isha. Agjenti im nuk e kishte përmendur që xhirimet do të ishin të brendshme, por unë nuk u shqetësova. Unë kisha bërë xhirime të panumërta të të brendshmeve më parë.”
Pasi darkuan me artistin e make-up të punësuar për xhirimin, Leder filloi të xhironte disa foto-polaroid të Ratajkowski në të brendshme, por jo të kënaqur me rezultatin, dhe pas disa gotave verë, ata vazhduan me fotot nudo.
“Kam bërë edhe më parë foto nudo, gjithnjë nga burra. Më kanë thënë shumë fotografë dhe agjentë se trupi im ishte një nga gjërat që më bëri të dallohem mes kolegeve të mia. Trupi im ndihej si superfuqi. Isha e sigurt lakuriq, e patrembur dhe krenare.”
Disa muaj më vonë, një përzgjedhje e vogël e fotografive të shkrepura atë mbrëmje u botua në atë revistë.
Vetëm disa vjet më vonë Emrata, e kontaktuar në telefon nga gazetarë të ndryshëm, mësoi se Leder ishte gati të botonte një libër fotografik me titull “Thjesht Emily Ratajkowski”, i cili përmbante imazhet e pabotuara të asaj mbrëmjeje, më vulgare dhe eksplicite. Veprimet ligjore të ndërmarra nga Emrata dhe avokatët e saj ishin të padobishme, pavarësisht se provonin që kontrata e nënshkruar nga modelja dhe agjenti i saj shprehte qartë se imazhet kishin si qëllim përdorimin e vetëm revistës në fjalë dhe asgjë tjetër.
Edhe pse ekspozita kushtuar imazheve të librit u sulmua ditën kur u hap në New York, Leder përdori fotografitë e tjera nga ajo mbrëmje për dy libra të tjerë.
Gjatë viteve të fundit, Ratajkowski ka arritur një pozicion të ri të shquar në debatin kulturor Amerikan, duke mbrojtur të drejtat e grave gjatë Marshimit të Grave apo duke sulmuar haptazi Harvey Weinstein.
Në këtë shkrim, ajo jo vetëm që rrëfehet për ngacmimet e pretenduara nga Leder, por mbi të gjitha, ka një reflektim më të thellë mbi identitetin e saj si një grua, e përdorur për të treguar trupin e saj në fotografi, por që nuk mbrohet në asnjë mënyrë në përdorimin që u bëhet atyre fotove, veçanërisht pa pëlqimin e saj.
Në komentet nën postimin e New York Mag, si dhe ato poshtë postimit të @ emrata, ka shumë që argumentojnë se në thelb Emily po bën shumë zhurmë për asgjë, kur ajo është e para që poston fotografi me të brendshme ose e zhveshur në profilin e saj në Instagram, por pikërisht këtu qëndron thelbi i çështjes: është vetë Ratajkowki që vendos se çfarë të botojë, çfarë të tregojë, kur dhe kujt, të paktën për sa i përket platformave të saj.
Dalja e fotove të saj intime, botimi pa pëlqimin e saj të disa librave që e portretizojnë të zhveshur, duke krijuar një vepër arti që nis nga një imazh i saj, të gjitha janë shkelje e privatësisë, përvetësim i vazhdueshëm i trupit të saj, i cili, megjithëse tani i famshëm dhe i dëshiruar, mbetet i saj dhe vetëm i saj.