Vetëvendosje e lexuar si sociologji
Lavdërohet, shahet e kritikohet, mbillen e s’mbillen shpresa në të, mbi diskursin ekskluzivisht politik që ka kjo lëvizje, por në fakt komplet një popull i zënë në hutinë e pamundësisë së shpjegimit të situatave rrethanore, nuk mendon:
– Nga cila shtresë vijnë votuesit/përkrahësit e saj?;
– Cili qe orientimi politik i shtresës në fjalë para dhe pas krijimit të VV-së?;
– Sa është organike me natyrën e popullit Lëvizja? Sa mundi dhe sa po mundet kjo Lëvizje që gjatë rrugëtimit nga pika fillestare, t’i ruaj disa nga fondamentet e saj; e pyetje të ngjashme.
Në fakt, dyshoj fort që në katedrat e Shkencave Politike, Sociologjisë a Filozofisë në UP të diskutohen Lëvizjet shoqërore – as tonat, as të huajat (apo edhe nëse diskutohen, diskutohen kalimthi, dhe gjithçka mbetet në gadishmërinë individuale të vetë studentëve se a duan t’i shkojnë muhabetit më tej ). Tematizimi i çështjes së migrimit fshat-qytet si fenomeni më i madh social i pasluftës tek ne, vetëm diku kah fundi buletineve të lajmeve, alla: “Gollaku si krahinë po shpopullohet gradualisht”, flet mjaftueshëm se si dhe sa i rrekemi ne fenomeneve sociale.
Do të doja këtu të ndalesha në katër pyetjet që u ngritën më lart, njërës prej të cilave (të tretës) i jam përgjigur indirekt edhe në shkrimin e kaluar, por që do e përplotësohet edhe këtu. Do të mundohem për aq sa është e mundur që kundrimin të mos e shkëpus nga tradita, respektivisht të rrëmoj në lidhjet në rradhë të parë shoqërore e ekonomike që VV ka me të kaluarën.
Si shtresë sociale, nuk mund të thuhet që VV ka arritur të bëhet dera e pjesës së varfër apo më të varfër të popullatës, anipse është lëvizja e vetme që hapur ka vegjetuar marksizëm-leninëzem edhe paslufte, jo si program politik, por më shumë si shkollë mendimi nëpër të cilën kalohej teksa bëheshe aktivist (i rafinuar). Kësodore pandehja se VV ka ardhur në skenë si një befje e rrufeshme paknaqësisë a revoltës ekonomike (e punëtorit, sindikalistit, të papunit, të varfërit) bie si mundësi. Në fakt në vetë krijimin e VV-së, por edhe më vonë e sot, kishte gjithçka nga ta, por që nuk ishin/nuk janë struktura vendimtare e skeletit të VV-së, meqë ekonomia mendohet të jetë një taban që s’njeh etni a kombësi, e që sipas mësimeve të marksizmit do të duhej t’i bashkonte punëtorët, jo kombin në kuptimin etnik të fjalës.
Si stukturë sociale ajo më shumë erdhi në skenë nga pjesa e pakënaqur e popullsisë, pa dallime madhore në status social paslufte, por që në fakt nuk ishte e kënaqur as me rrjedhën e luftës as të pasluftës (së paku jo politikisht), dhe ku etnicizmi dhe parashtrimi politik i problemeve ecnin krahas, për të mos thënë se etnicizmi qëndronte prore problemeve. Por kush ishte kjo shtresë shoqëore? Pak a shumë, 1) pinjollët e pjesës semiurbane të popullatës (them semiurbane sepse habitusi social i Albin Kurtit, Visar Ymerit, Glauk Konjufcës e Aida Dërgutit përgjatë Jugosllavisë nuk ishte i njejtë me të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Sylejman Selimit a Ramiz Lladrovicit) që ruajti ndjenjën idealiste dhe nevojën e parashtrimit politik të çështjes së Kosovës (dhe asaj shqiptare) jo si nevojë e ngritjes statusore në Jugosllavi, por si nevojë çlirimi, e që i bie të mos jetë pajtuar me shtresën që më vonë pak a shumë nga LKJ-ja u kthye në LDK. Rrjedhimisht as me politikën e ndjekur të saj gjatë viteve të bazuar në fakt në përpjekje për shpëtim, anipse sociologjikisht kishin afri fizike mes vete (Adem Demaçi, Azem Vllasi, Selim Brosha, Ibrahim Rugova e Albin Kurti ndanin të njejtin qytet);
2) një pjesë e të burgosurve dhe eksterminuarëve politik që ose s’gjetën veten në PDK e AAK, ose që duke mos u pajtuar me kahjet që moren këto dy parti nuk deshën t’i tradhtojnë principet e tyre; 3) Një pjesë e caktuar e popullatës së goditur ashpër nga lufta (personalisht kam njohur pjesëtare të proviniencës së vjetër qytetare gjakovare militantë apo me të kaluar militante në VV)
4) rinia respektivisht brezi që me 2005 e këndej mbushi 15-25 vite jete dhe që ndodhej në huti totale inidividuale e shoqërore, deri në pamundësitë e sociablizimit (një pjesë të të cilëve i tërhiqte ana teoritiziuese e problemeve që rrahej në VV, kurse pjesën tjetër ana aktivizuese, njëfarë gjallërie e munguar përgjatë agonisë së LDK-izmit dhe periudhës së UNMIK-ut). Dhe krejt në fund 5) pjesa pa ndonjë pozicion të qartë politik paslufte, që i takonte pak a shumë të gjitha shtresave, brezave dhe niveleve të shkollimit, por që ndjehej e papërfaqësuar politikisht, dhe që mbase tek VV shihte njëfarë motori dedekutes të tradhtive, hajnive, e korrupsionit që nga niveli lokal deri tek ai qëndror.
Tek dy shtresat e para, lidhja me të kaluarën, me traditën e ravijëzimit politik, respektivisht me vazhdimësinë është akoma e gjallë, tek shtresa e tretë e zbehtë, tek e katërta vetëm nëse ka qëndrime politike/votime familjare dhe asnjeherë të ndryshueshme, kurse shtresa e pestë me plot paradokse.
Vijon