Irkenc Hyka theu zemrën e shumë vajzave, ai u fejua fshehurazi
Është 27 vjeç, i përket shenjës së peshores dhe pas tri vitesh romancë me një vajzë të panjohur në publik i ka bërë asaj propozimin për fejesë.
Irkenc Hyka është një nga talentet e tregut të muzikës, që duket se në këto vite fati i ka ecur jo vetëm në muzikë, por edhe në dashuri. Po si qëndron e vërteta e historisë së tij të fshehtë, ndërkohë që në sytë e publikut njihet si djali melankolik dhe shumë i ndjeshëm, që i këndon shpesh vuajtjes në dashuri?
Në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Shiko kush luan”, muzikanti Irkenc Hyka zbuloi se po përjetonte prej 3 vitesh një romancë dhe kjo ishte deklarata e tij e parë publike, para se t’i dhuronte të zgjedhurës së tij unazën e fejesës.
Ai nuk preferoi ta zbulonte identitetin e vajzës që i ka vjedhur zemrën dhe po qëndron prej 3 vitesh krah tij, por e vërteta është zbuluar më në fund.
Në fakt, çifti i paska dhënë fund beqarisë dhe këtë vendim e fakton unaza në gishtin e partneres së Irkencit, vajzës që nuk njihet në publik e që quhet Abi Fregjaj.
Ajo ka treguar thonjtë e rinj në “Instastory”, duke fokusuar më shumë unazën në gishtin e fejesës. Nuk dihet se kur ekzaktësisht Irkenci dhe Abi i kanë thënë “po” njëri-tjetrit, por nga disa foto si çift, ata shihen shumë të lumtur pranë njëri-tjetrit.
Është partnerja e tij Abi, e cila ka bërë shumë postime me këngëtarin në profilin e saj në “Instagram”, ku nuk mungojnë komentet e miqve, të cilët janë në dijeni të kësaj historie të bukur deri tani, të mbajtur larg vëmendjes së mediave.