Pse Amerika po na sheh si të varfër e jo si viktima lufte?

Pse Amerika po na sheh si të varfër e jo si viktima lufte?

Në ditët e fundit pata rastin që t’i shoh disa debate televizive ku tematizohej çështja e dialogut të Kosovës me Serbinë që po mbahet këto ditë në Washington. Të gjitha këto debate, me të gjithë të ftuarit e tyre, e kishin prirjen që t’i ndërtonin e përçonin qëndrimet e tyre politike mbi “marrëveshjen finale” ndërkohë që shpërfillnin temat ekonomike për të cilat në fakt do të dialogohet. Bindja e secilit prej tyre dukej se ishte që “nuk mund të diskutohet për ekonominë me Serbinë” dhe se i gjithë ky proces ishte joserioz.

Dukej sikur të menduarit e dialogut me Serbinë nga perspektiva ekonomike i zuri të gjithë të papërgatitur. Analistët, gazetarët, politikanët dhe militantët. Kjo ishte diçka për të cilën nuk mund të mendohej sepse nuk kishte mjaftueshëm dramë dhe ishte e pamundur të ndërtoje luftën e vazhdueshme të të mirëve e patriotëve kundër të këqinjve e tradhtarëve.

Për tetë muaj, dy kryeministra të Kosovës, Kurti e Haradinaj thanë se ishin rrëzuar prej pushtetit nga ShBA-ja shkaku i kundërshtimit të tyre ndaj idesë së “shkëmbimit të territoreve në baza etnike”. ShBA-ja e mohoi publikisht se po e mbështeste e po e çonte përpara një ‘zgjidhje’ të tillë për dialogun. E vërteta publike ishte se ShBA-ja bënte presion që të hiqeshin pengesat për rifillimin e dialogut (tarifa doganore 100% e Haradinajt dhe reciprociteti i Kurtit). Por, përveç që “shkëmbimi i territoreve” ekzistoi si ide (Thaçi, Rama, Bolton etj.) nuk doli asnjë dëshmi që ky togfjalësh u dialogua diku, e lëre më që ishte draftuar (drafte nga lajme të pakonfirmuara dolën vazhdimisht) e ofruar si zgjidhje finale. Në anën tjetër, dëshmitë për një dialog ekonomik nuk mungonin. Grenell që në kohën kur Kurti e mori pushtetin kishte mundësuar dy marrëveshje ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë (Hekurudhat, fluturimet komerciale). Një tjetër dëshmi është edhe dialogu aktual – me fokus të qartë te ekonomia – e i cili nuk mund të ishte më i largët nga zgjidhjet e tilla që rrisnin ndasitë etnike.

E megjithatë, ish kryeministri Albin Kurti po e kundërshton edhe këtë formë të dialogut. Jo thjesht përfaqësuesit tanë në këtë dialog, por edhe dialogun në vetvete. Para disa ditësh ai tha se problemi i Kosovës me Serbinë nuk ishte ekonomia dhe e quajti emisarin amerikan për dialog, Richard Grenellin, “kauboj financiar”.

Cili është qëndrimi i tij për dialogun? Në fillim ishte i prerë e i qartë “jo negociata”, bile as ulje në tavolinë pa përmbushjen e një liste kërkesash. Më pas, doli në pozicionin – si kryeministër – kur provonte përmes idesh të ndryshme të bindte Serbinë që të rikthehej në dialog pa përmbushjen e këtyre kërkesave nga ana e saj. Ai lejoi një periudhë prej 76 ditësh (1 prill – 15 qershor, periudha e propozuar prej tij pa asnjë tarifë doganore dhe pa reciprocitet) kur praktikisht këto pengesa (taksa e reciprociteti) nuk do të ekzistonin. Këto nuk u pranuan nga ShBA-ja.

Por, nga ajo që mësuam prej muajve të fundit të 2020-s është se ekzistonte përpjekja e ShBA-ve për dialog ekonomik ndërkohë që nuk dimë asgjë për mbështetjen e tyre ndaj shkëmbimit të territoreve.

Për çka donte të fliste Kurti me Serbinë – pa kërkimfalje, pa reparacione – nëse jo për ekonominë? Çka donte të fliste ai me serbët e Kosovës nëse jo për integrimin e tyre të mëtejmë në Kosovë, dhe specifikisht, ekonominë e tyre dhe ekonominë tonë të përbashkët?

Dialogu ekonomik me Serbinë në asnjë formë nuk nënkupton harresën e krimeve që u kryen para 21 vitesh. Nuk nënkupton në asnjë formë harresë të të zhdukurve, vrarëve, përdhunuarve e shtëpive të djegura. Për Kosovën është i domosdoshëm bashkëpunimi ekonomik me fqinjtë, edhe Serbinë, për shkak të kushteve ekonomike në të cilat ndodhet: tregu i vogël, fuqia e pakualifikuar punëtore, pabarazia gjithnjë e në rritje e mundësive.

Problemi ynë me Serbinë madje edhe ishte ekonomik. Si ka mundësi që UÇK-ja u organizua e udhëheq bash nga njerëzit më të shtypur e më të varfër të Jugosllavisë? Dhe pse bash në kohën e një krize të madhe ekonomike kur u privuan krejtësisht nga perspektiva?

Dialogu aktual i ShBA-ve – i fokusuar krejtësisht në tema ekonomike – është në fakt më i miri dhe më përmbajtësori deri tash dhe meriton të mbështetet, pavarësisht apatisë së thellë që e ndjejmë për presidentin Donald Trump.

Ata që nxisin urrejtje e pasion nacionalist duhet ta kuptojnë që populli një ditë mund të shoh përtej debateve televizive e rrjeteve sociale. Problemi kryesor i Kosovës – edhe me Serbinë, ashtu si me korrupsionin – është dhe ishte ekonomia.

Shpërndaje në: