Ava Max tregon planet për një bashkëpunim me Duan dhe Ritën
Ava ka zbuluar të pathënat.
Ava Max ka folur shqip në intervistën e saj të parë për mediat shqiptare, me moderatoren e “Ditë e re”, Arjola Shehu.
Këngëtarja e njohur në SHBA, foli për rrënjët e saj shqiptare dhe origjinën e prindërve të tyre, babait nga Qeparoi dhe nënës nga Saranda.
Ajo tregoi se nuk e ka vizituar kurrë Shqipërinë, dhe këtë vit kishte planifikuar të vinte, por pandemia nuk e lejoi.
“Faleminderit. Jam shumë entuziaste të vij në Shqipëri. Do të vija këtë vit, por me situatën e virusit nuk na lejohet të udhëtojmë në asnjë vend. Por vitin tjetër me siguri. Dua të vi shumë dhe kam shumë familje atje që po në presin”.Ava tregoi edhe lidhjen e fortë me gjyshen e saj dhe kujtoi gatimet e preferuara të saj:
“Me të gjithë gjyshërit e mi kam pasur një lidhje shumë të fortë. Gjyshja që jetonte me mua, ndërroi jetë në 2011, ajo ishte nga Qeparoi. Unë u mërzita kur ajo ndërroi jetë. Kur prindërit e mi erdhën në Amerikë nuk dinin gjuhë, nuk kishin para dhe vërtet mundoheshin të na siguronin jetesën. Kështu që unë kaloja vërtetë shumë kohë me gjyshen time”- u shpreh ndër të tjera Ava.
Këngëtarja, emri i së cilës është Amanda Koçi, pyeti moderatoren nëse ka ndonjë lidhje me këngëtaren tjetër që mban mbiemrin e saj, Greta Koçi.
Ajo foli edhe për bashkëpunimin e shumëpritur me Dua Lipën, Bebe Rexhën dhe Rita Orën dhe tha se duhet të bëhet patjetër një këngë e përbashkët e tipit “Lady Marmalade”. Ava tha se me Duan nuk ka folur ende, por mezi pret ta takojë.