Ç’na mësoi rënia dramatike e Ellen për mënyrën si shohim VIP-at
Në kaq pak kohë, shumë gjëra ndodhën me Ellen DeGeneres, nga thashethemet e para të keqtrajtimit të punonjësve, e deri te rrëfimet shokuese, hetimi i WarnerMedia dhe letra ku Ellen kërkonte falje. Së fundmi, përflitet se Ellen po bëhet gati që të heqë dorë nga emisioni, ndonëse producentët e kanë mohuar. Sidoqoftë, mund të themi që Ellen është në momentin më të keq të karrierës së saj, që pas çastit kur deklaroi se ishte lesbike në 1997-n.
Sidoqoftë, duhet theksuar se çështja është ende në hetim dhe nuk dihet me siguri nëse Ellen ka keqtrajtuar personalisht punonjësit ose ka qenë në dijeni të abuzimit të producentëve. Megjithatë, pavarësisht pikëpyetjes së madhe që shënon një ngjarje të tillë, rënia dramatike e saj mund të shënojë nga ana tjetër një mënyrë të re se si duhen parë personazhet e famshëm.
Nuk është hera e parë që Hollywood-i toleron sjellje, shpeshherë edhe monstruoze, për sa kohë fitimet rrjedhin lum (kujtoni Harvey Weinstein).
Nëse Ellen nuk do të ishte prezantuar në publik si imazh i dhembshurisë dhe empatisë, ndoshta nuk do të ishte përballur tani me një reagim kaq të ashpër. Mjafton të kujtojmë sa shumë para ka dhuruar nëpër emisione, sa shumë surpriza ka realizuar dhe sa shumë kanë qeshur njerëzit me të.
Të parit përtej perdes, përtej asaj që shfaqet në ekran (gjithmonë nëse akuzat janë të vërteta) i gjeti njerëzit e papërgatitur dhe gjithë çfarë lexuan ishin shqetësuese.
Ellen, nga një grua karizmatike dhe e dashur, u shfaq si dikush që “zgjidhte një anëtar të stafit që t’ia bënte jetën ferr çdo ditë”, “pushonte njerëzit nga puna pa asnjë paralajmërim”, “ankohej për manikyrin e krisur të punonjësve”, “vendoste rregulla për drekën e punonjësve”, “pushonte nga puna dikë që sapo kishte tentuar të kryente vetëvrasje” etj.
Gjithë këto histori i heqin Ellen dhe kujtdo tjetër shkëlqimin me të cilin jemi mësuar t’i shohim VIP-at dhe ndoshta, kështu duhen parë. Një qasje e tillë duhet konsideruar si një qëndrim pozitiv dhe të famshmit, pikërisht ata që adhurojmë, duhen parë më me cinizëm, sepse dukshëm nuk jetojnë në të njëjtin realitet me të tjerët, me njerëzit e thjeshtë. Duhen parë me skepticizëm, sidomos nëse motoja e tyre është “Bëj mirë!”.