Vuçiqi si “provokator kundër Rusisë”

Vuçiqi si “provokator kundër Rusisë”

Shkruan: Ardian Kastrati

Analistët dhe opozita pro-Putinit në Serbi Vuçiqin po e identifikojnë para qytetarëve serbë si “provokator kundër Rusisë”, dhe i tërë “provokimi ndaj Rusisë” sipas tyre po bëhet në mënyrë të orkestruar nga pushteti në Beograd për shkak të qëndrimit rus se “çështja e Kosovës”, duhet të zgjidhet në përputhje me Rezolutën 1244, rezolutë kjo që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Nuk janë vetëm mediet dhe analistët e njohur rus që kanë filluar ta sulmojnë Vuçiqin për ‘dëshirën e tij’ për arritjen e një marrëveshje potenciale me Kosovën. Në Serbi dhe në Kosovë tanimë një numër i madh i figurave publike serbe (duke përfshi edhe pjesën më të madhe të opozitës) ju kanë bashkangjit korit rus. Profesori i “Universitetit Serb të Mitrovicës”, në Mitrovicë, Dejan Mirović, para ca kohe tërhoqi vëmendjen për faktin se Aleksandar Vuçiq personalisht nuk ka dalur t’i pranojë ndihmat nga Rusia të destinuara për luftën kundër koronavirusit. Siç theksoi Mirović, në një shkrim të tij, presidenti i Serbisë u kufizua vetëm përmes një mirënjohjeje në “Twitter”, për ndihmat ruse, përderisa kur mori ndihma shumë më të vogla nga Kina, e quajti Xi Jinping “vëlla dhe mik”, dhe gjithashtu nuk kurseu fjalë të këndshme për Sheikun e Emirateve të Bashkuara Arabe, kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar dhe presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përveç kësaj, në mbrëmje televizioni shtetëror serb, RTS,  shfaqi filmin e Vitaly Mansky, “Dëshmitarët e Putinit”, jashtëzakonisht i popullarizuar në mesin e audiencës liberale ruse, të drejtuar kundër presidentit aktual të Federatës Ruse,- shkruan Mirović.

Në anën tjetër, në Serbi ka pasur reagime të ashpra në lidhje me mënyrën se si kanë raportuar mediet e Vuçiqit në deklaratat e fundit të ambasadorit rus në Beograd, Bocan Kharchenko, lidhur me dialogun Kosovë – Serbi. Një nga këto reagime së fundmi ka ardhur edhe nga “Qendra për Studime Gjeostrategjike”, në Beograd. Sipas drejtoreshës së kësaj qendre, Dragana Trifkoviç (njëkohësisht bashkëpunëtore FSB-së ruse), titulli i intervistës me Kharchenkon, “Rezoluta 1244 duhet të zëvendësohet me një të re”, të botuar në portalin “Politika”, më 9 maj, është manipulim dhe në kundërshtim të plotë me qëndrimin zyrtar të Federatës Ruse dhe se ky titull është nxjerrë jashtë kontekstit, duke mos pasur asnjë lidhje me përmbajtjen e vet intervistës me ambasadorin rus, Kharcenko.

Sipas Trifkoviç, një intervistë e re me ambasadorin rus në Serbi u botua tri ditë më pas, pra më 12 maj, në të cilën ai shpjegoi se: “E vetmja bazë për një zgjidhje duhet të jetë Rezoluta 1244”, por prapë “Politika” vendosi titullin: “Zgjidhja përfundimtare për Kosovën dhe Metohinë duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit i KB-së”, i cili nuk flet për thelbin e shprehur në intervistë. Jo vetëm përmes medieve por, sipas Trifkoviç, vitin e kaluar, Vuçiqi, provokoi Rusinë në formën e një afere të fabrikuar të spiunimit, kur presidenti i Serbisë pretendoi se kishte indikacione për veprime subversive të Rusisë në Serbi. Këto analiza të Trifkoviçit (bashkëpunëtore e e FSB-së ruse), shihet se janë në frymë dhe rezonancë të plotë me shkrimet e analistëve rusë dhe e njëjta tenton ta përçojë mesazhin e fortë te opinioni publik serb se Vuçiqi po përgatitë dorëzimin e Kosovës dhe tradhëtinë e madhe ndaj Rusisë. Në funksion të manipulimeve, ajo përmend zbulimin e armëve serbe në duart e Shtetit Islamik në Siri dhe Jemen nga deputeti rus i Dumës Ruse, Yevgeny Primakov, e që në fakt Primakov, nuk e bëri, sepse ato armë tregtoheshin ilegalisht nga Serbia, por për faktin se Rusia dhe Serbia janë konkurente në shitjen e armëve në Lindjen e Afërme dhe të Mesme, por edhe në disa zona të kontinentit afrikan.

Analistët dhe opozita pro-Putinit në Serbi Vuçiqin po e identifikojnë para qytetarëve serbë si “provokator kundër Rusisë”, dhe i tërë “provokimi ndaj Rusisë” sipas tyre po bëhet në mënyrë të orkestruar nga pushteti në Beograd për shkak të qëndrimit rus se “çështja e Kosovës”, duhet të zgjidhet në përputhje me Rezolutën 1244, rezolutë kjo që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Në anën tjetër, Kisha Ortodokse Serbe, që ka lidhje të fuqishme me Kremlinin, dihet që ka qëndrim të ashpër kundër arritjes së çfarëdo marrëveshjeje me Kosovën, përfshirë më herët edhe çfarëdo diskutimi për idenë për korigjimin e kufijve. Madje është i njohur qëndrimi i saj për Kosovën, duke iu referuar bombardimeve të NATO-s në Kosovë së “çdo gjë që është marrë me forcë, mund të rikthehet me forcë”. Kurse ashpërsinë e saj kundër arritjes së çfarëdo marrëveshjeje me Kosovën, përfshirë më herët edhe idenë për  korigjimin e kufijve e ka ritheksuar vazhdimisht edhe pjesa më e madhe e opozitës serbe, e cila në koordinim me Kremlinin, së fundmi ka dalur edhe me sloganin “Celo Kosovo je Srbija”, që d.m.th ‘” E gjithë Kosova është Serbi”, për dallim prej sloganit të vjetër “Kosova është Serbi’, duke aluduar kështu në mosdhënien e asnjë pjese të territorit të Kosovës.

Nga observimi i këtyre reagimeve në Serbi si dhe të qëndrimeve zyrtare ruse se “çdo zgjidhje për Kosovën”, duhet të gjindet në kuadër të Rezolutës 1244, është e qartë se Rusisë nuk i konvenon arritja e asnjë lloj marrëveshjeje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë. Rrjedhimisht, Rusia nga sabotimi pasiv që i ka bërë marrëveshjes potenciale Kosovë – Serbi tani së fundmi ka kaluar edhe në ofanzive më aktive përmes infiltrimit në protestat që u mbajtën në Serbi (raporte nga mediet serbe), kjo me qëllim që të shkaktoj kaos sa më të madh politik për ti reduktu kështu opcionet manovruese të Vuciqit lidhur me arritjen e një marrëveshje potenciale me njohje të ndërsjellë me Kosovën, marrëveshje kjo që do ta minimizonte ndikimin rus në rajon duke i hap rrugë përspektivës euro-atlantike të Kosovës si dhe integrimit të Serbisë në BE.

 

Ardian Kastrati

(Autori është politolog dhe profesor në Departamentin e Shkencave Politike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës)

Shpërndaje në: