Nga Sadije Toptani te Aneta Rama, kush ishin nënat e udhëheqësve politikë shqiptarë?
Nga edukimi dhe rritja e një nëne sot, nesër shfaqet dukshëm produkti i saj, fëmija.
Shqipëria doli nga pushtimi i stërgjatur otoman më shumë tribaliste sesa e emancipuar. Familja, institucioni ku gatuhet ushqimi për stomakun dhe trurin, vazhdon edhe sot të ketë varësinë e pavarësisë së pjesëtarëve të saj. Nëse një fëmi shqiptar këshillat e babait i dëgjon me mendje, këshillat e nënës i dëgjon me memdje dhe zemër. Modeli shqiptar i prindërimit, veçanërisht roli i nënës nuk tjetërsohet kollaj.
Sadije Toptani, nëna e mbretit Ahmet Zogu ishte një grua e rrallë e ardhur nga një familje bejlerësh me tepër influencë në Shqipërinë e Mesme. Kishte ndikim të padiskutueshëm edhe gjatë kohës kur i biri Ahmet Zogu u bë president e më pas mbret i shqiptarëve.
Gjylo Hoxha, nëna e diktatorit komunist Enver Hoxha. Dora e hekurt në familjen e Enverit deri ditën që erdhi në pushtet. Pas vitit 1946 roli i saj në familjen Hoxha u zbeh, duke u zëvendësuar nga Nexhmija, gruaja e liderit komunist.
Sebie Alia, nëna e udhëheqësit Ramis Alia. Muslimane tradicionale shkodrane e cila pati rolin vetëm të rritjes së tij dhe kurrë nuk u përzie në punët e të birit.
Sheqere Berisha, nëna e Sali Berishës. Shtëpiake e thjeshtë që kurrë nuk doli as nga mentaliteti i saj zakonor dhe as nga fshati Viçidol në Tropojë. Pa asnjë ndikim në egoizmin dhe karrierën e të birit. Rolin e nënës dhe të tutorit e mori përsipër vjehrra e tij Milica Ramaj, para së cilës dhëndëri i hekurt Sali, kthehej në alumin.
Marie Nano, nëna e Fatos Nanos. Grua e rrallë dhe intelektuale. Elbasanllije e një dere të njohur me influencë në latimin akademik të të birit. Vdiq gjatë kohës kur ish kryeministri Nano ishte në burg.
Fiqret Meta, nëna e presidentit Ilir Meta. Mësuesja skraparllie pati ndikim edhe në formim, edhe në vendimarrjet e të birit deri ditën që Ilir Meta u martua. Paskësaj, marrëdhëniet e tij më të ëmën, ndryshuan. Ashtu si në rastin e Sali Berishës, rolin e nënës së tij e zëvendësoi vjehrra e cila jeton edhe sot me familjen presidenciale.
Aneta Rama, nëna e kryeministrit Edi Rama. Mjeke në profesion, bashkëshortja e skulptorit të njohur Kristaq Rama. Nuk u ngatërua kurrë në punët e djalit të saj të madh, sot kryeministër i vendit.