Vëllezër, gëzuar bashkimi në një Listë zgjedhore në Mal të Zi!
Opinion nga Ramiz Lladrovci
Uniteti nacional, ka qenë dhe mbetet brengë e secilit shqiptar largpamës, aq më shumë, në politikë, kur duhet edhe guxim, edhe vullnet edhe rast për të tejkaluar interesat personale.
Lista e përbashkët për zgjedhjet e 30 Gushtit e arritur nga forcat politike shqiptare, shoqatat, atdhetarët dhe intelektualët në Malin e Zi, ishte lajm shumë inkurajues. Aq më shumë, për neve që nuk jetojmë aty, e në veçanti për diasporën tonë.
Ky unitet, do përgëzuar sot e gjithmonë, sepse, bashkimi, gjatë tërë historisë tonë, ka prodhuar efekte pozitive, efekte të mira dhe historia i ka shënuar dhe shpërblyer me kujtesë, raste të cilat na kanë bërë krenar, ashtu siç i kishim rastet para disa decenieve e këndej.
Sot, e gjithmonë, shqiptarët në Mal të Zi, duhet të jenë krenar me të kaluarën dhe të tashmen e vet, për të nesërmen e fëmijëve, nipave e stërnipave të vet, andaj, uniteti duhet të jetë kryefjala, sot e këtu.
Ulqini, kjo mbretëreshë e Mesdheut ndër shekuj, Tivari i legjendave, Shpuza, Kraja e tërë Malësia heroike, Ana e Malit, Rozhaja dhe Plava, Gucia e Ali Pashës, duhet të jenë gjithmonë bashkë, në çdo kohë dhe çdo rrethanë, nga Buna deri në Dacaj.
Kosova e ka ndjerë ndër shekuj praninë e frymës së shqiptarëve nga kjo anë, ka ndjerë vuajtjen dhe përndjekjen, shkrumbin mbi Ulqin, të shpërnguljes e shpopullimit, të dhunës dhe shkombëtarizimit, por, kishte besim se qëndresa heroike, do të mbisundojë dhe paqja do të vije.
Kosova ka ndjerë trimërinë e bijve dhe bijave të këtyre trojeve, nga koha kur historia bëhej me shpatë, nga viti 1878, 1881, 1912, 1981, 1989, 1998-1999. Ka ndjerë frymën e dijes, guximit dhe besimin e armatës së shkollarëve, dijetarëve dhe akademikëve që kanë ngritur interesin nacional dhe të Kosovës në nivele meritore, andaj, çdo patriot, e bashkë ndjenë këtë bashkim dhe unitet të partive politike shqiptare.
Vëllezër e motra në Malin e Zi,
Bashkimi ka sjellë rezultate historike në Tuz, në Luginën e Preshevës, në Bujanoc, në Maqedoninë e Veriut, andaj, do të sjell rezultate edhe në Malin e Zi. Dua të shpreh respektin e thellë, për të gjithë miqtë e mi që i kontribuuan këtij bashkimi.
Bashkimi Juaj, do të jetë lajm i mirë se shqiptarët, përherë në të gjitha trojet ku jetojnë, të jenë të bashkuar, jo vetëm në një listë, por edhe nën një flamur, flamurit tonë, kuq e zi.
Dua të shpreh respektin tim të thellë, për miqtë e mi liderë të partive politike që iu bashkuan Listës së përbashkët, liderët e institucioneve, të gjithë ata që iu gjenden Kosovës pranë, kur e kishim më së vështiri, që e jetuan dhe bashkëndjen edhe tmerrin e luftës, edhe gëzimin e fitores së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në veçanti, ndjehem krenar për kontributin e jashtëzakonshëm të diasporës shqiptare, miqtë e mi në vendin nga lindi dielli ynë, Amerika, diaspora jonë me origjinë nga Mali i Zi e cila ishte shembullore dhe vijës besnike të Dedë Gjo Lulit dhe trimave të Deçiqit.
Krenar me unitetin e dëshmuar tashmë dhe Listës shqiptare që e përbëjnë Alternativa shqiptare, Forca e Re Demokratike, Lidhja Demokratike Shqiptare, Lëvizja qytetare Perspektiva dhe Unioni i Tuzit. Përgëzime, miq, vëllezër.
Ju na bëtë krenar, ju lumtë Nik Gjeloshaj, Nazif Cungu, Nikollë Camaj, Fadil Kajoshaj dhe Amir Hollaj. Interesi nacional është më i madh e më i rëndësishëm se interesi i një partie apo një lëvizjeje qytetare.
Shqiptarë në Malin e Zi, votoni Listën e bashkimit të shqiptarëve, votoni si kurrë më parë për unitet. Unitetin e bën secila votë, kudo ndodhet, pavarësisht bindjeve, sepse, më mirë se shqiptari askush nuk e prezanton vullnetin Tuaj.
Nga zemra, ju uroj suksese.
Vëllezër, gëzuar bashkimi në një Listë zgjedhore në Mal të Zi!