Gjykata Speciale për xhaminë

Gjykata Speciale për xhaminë

Këto ditë u rindez sërish mospajtimi mbi xhaminë që pritet të ndërtohet në Prishtinë. Ajo që duket se ndan palët ndërluftuese është dukja e saj. Si duhet të duket “shtëpia e zotit”? Meqë zoti vet nuk përzihet në këto punë, grindja mes njerëzve vazhdon. Por pse dukja e një xhamie është çështje kaq e rëndësishme?

Stili i xhamisë nuk do të ndikojë thjesht në pamjen e një pjese të qytetit por edhe në tranzicionin vleror në Kosovë. Sa herë të mendohet për fetë e Kosovës në përgjithësi, e për islamin në veçanti, do të përfigurohet në mendjen e secilit ajo xhami. Pra, çështja është e nxehtë sepse prek sensin identitar të shumë e shumë njerëzve dhe saktësisht atë pjesë identiteti fals që është e destinuar për pozë para botës. Pra, kjo është arsyeja që edhe islamofobët u përfshin brenda debatit. Njëra palë kërkon t’i hyjë në qejf Turqisë ndërsa tjetra kërkon t’i hyjë në qejf perëndimit. Kësisoj, debati mbi dukjen e xhamisë nuk ka të bëj me dukjen për sytë tanë, me estetikën tonë (që nuk ekziston), por me dukjen dhe identitetin që do t’i ofrojmë tjetrit. Pra, në mendjet e shumicës së debatuesve ekziston një tjetër gjykatë speciale e e huaj për Kosovën që do të përcaktojë imazhin dhe identitetin e tyre.

Ndërkohë që ky projekt i madh arkitekturor merr rëndësi kaq të madhe kombëtare, e gjithë pjesa tjetër e banesave dhe e shtëpive që u ndërtuan u bë po ashtu pjesë e identitetit tonë. Arkitektura e pasluftës nuk ishte thjesht e shëmtuar si ajo jugosllave por edhe çnjerëzore. Ndërsa xhamia e re në Prishtinë do të përcaktojë mënyrën se si e shohin islamin tonë të huajt, e me këtë se si na shohin edhe vetë neve, ndërtesat e reja e fëlliqën edhe më shumë pamjen tonë për veten. Komplekset banesore dhe shtëpitë u ndërtuan sipas shijeve personale të pronarëve e në shpërfillje të plotë me komunitetin. Në hapësira të ngushta mund të shohësh dhjetëra e qindra ndërtesa me stile të ndryshme që të bëra bashkë ndjellin veç gërdi. Fukarallëku i banuesve që kishin nevojë për strehë në kryeqytet dhe mungesa e plotë e sensit komunitar ishin parakushte të favorshme për lulëzimin e egërsisë kapitaliste të ndërtimtarëve.

Ndërtesat e rrugët u ndërtuan aq afër njëra-tjetrës sa Prishtina, ashtu si plot qytete tjera, u bë kaotike e ngulfatëse. Hapësirat u ngushtuan aq shumë sa shtrirjen trupore të njerëzve e bënë për gazepi, shkel-e-shko, duke e trajtuar si një insekt. Prandaj, nuk ka mjaftueshëm trotuare për këmbësorë, parkingje për vetura e lëre më shtigje për biçiklistë. Qindra mijëra banorë u vendosën në fare pak kilometra katrorë duke e krijuar një ekzistencë rraskapitëse për secilin, dhe duke i shkelë dinjitetin trupor secilit.

Dhe pikërisht këtu qëndron problemi i madh me xhaminë e re. Duke qenë se do të jetë e madhe, hapësira që do të zë te Posta do të ngushtojë frikshëm hapësirat veçse të ngushta në atë pjesë. Përveç hapësirës së ndërtesës, hapësirë të madhe do të zënë edhe vetë besimtarët, e natyrisht edhe veturat e tyre. Nuk e besoj që zoti do të kishte interes ta kishte shtëpinë në atë vend.

Tashmë është shumë vonë të mendohet mbi estetikën tonë. Prishtina nuk e ka dhe nuk mund ta ketë sepse nuk ka as ku ta ketë përveç në periferitë e pasanikëve. Por, duhet që të paktën të mbrohen hapësirat e përbashkëta për aq sa mund të mbrohen.

Shpërndaje në: