Të famshmet që zgjodhën partnerë më të rinj në moshë
A e dini se ka një term për gratë që janë në marrëdhënie me burra më të rinj në moshë? Quhet “age-hypogamy” (hipogamia e moshës), ndërsa e kundërta, njihet me termin “age-hypergamy” (hipergamia e moshës). Nëse mosha e të dyve është e përafërt, kemi të bëjmë me “age-homogamy”. Vetë termi “hypogamy” është martesa me dikë që i përket një klase sociale dhe ekonomike më të ulët se e jotja, e kundërta quhet “hypergamy”.
Shprehja se “dashuria nuk njeh moshë”, sado klishe të duket, mbetet e vërtetë dhe nuk funksionon vetëm kur bashkëshorti apo i dashuri është më i madh, por edhe anasjelltas. Këtë e vërteton koha dhe qindra çifte të famshëm shqiptarë e të huaj.
* * * Personazhet e njohur shqiptarë * * *
– Aurela Gaçe dhe Skerdi
Skerdi si menaxher dhe Aurela si këngëtare, janë një prej çifteve më të suksesshme të skenës. Kur Aurela Gaçe u martua me Skerdin, u diskutua shumë diferenca e tyre në moshë dhe këngëtarja vendosi t’u jepte fund fjalëve duke bërë një deklaratë publike, ku shprehej:
“Unë jam 2 vjet më e madhe se Skerdi, por merak do të më ngelet tërë jetën pse nuk është nja 10 vjet më i vogël. Ta merrja dhe ta rrisja vetë. […]”
– Venera Lumani dhe Lindi Islami
Çifti i “The Voice” tani është një prej çifteve më të kërkuara nga lokalet e muzikës live në Shqipëri, sepse dy janë më mirë se një.Edhe pse kur u njohën ishin të dy të rinj, ata ia dolën të krijonin një marrëdhënie të qëndrueshme që vijon akoma sot. Venera është 1 vit më e madhe se Lindi, por ç’rëndësi ka kjo?!
– Gerta Heta dhe Matko Djarmati
Gerta Heta dhe Matko kanë sot dy fëmijë. Të mendosh që u njohën në një club! Ish-futbollisti i Skënderbeut është 5 vite më i vogël se Gerta.
– Soni dhe Klevi
Soni është treguar më e rezervuar për lidhjen e saj me Klevin se për lidhjet e mëparshme, ndoshta edhe sepse Klevi nuk i përket botës së spektaklit. Megjithatë, duket të jetë lidhja që e ka bërë më të lumtur. Klevi është disa vite më i ri, sidoqoftë kjo nuk i pengon të jenë partnerë shumë të afërt si në jetë, ashtu edhe në biznes.
– Çiljeta Xhilaga dhe Alban Hoxha
Diferenca prej 3 vitesh, nuk e ka penguar aspak çiftin të jenë bashkë për një kohë relativisht të gjatë.
– Silva Gunbardhi dhe Dafi Derti
Me një diferencë prej pak vitesh, çifti është bashkë prej disa vitesh dhe kanë një djalë së bashku.
– Amarda Toska dhe Ermal Mamaqi
Çifti ka një diferencë të papërfillshme moshe, vetëm 11 ditë. Ata kanë lindur të dy në muajin mars.
* * * Çiftet e huaj * * *
– Shakira dhe Gerard Piqué
Këngëtarja Shakira, 43 vjeç dhe partneri i saj, kampioni i futbollit, 33 vjeç filluan lidhjen në 2010-ën, pasi u njohën në setin e videos muzikore të Shakirës, “Waka waka”. Ata kanë dy djem bashkë, Milan dhe Sasha, përkatësisht 6 dhe 4 vjeç. Çifti e ka ditëlindjen në të njëjtën ditë, 2 shkurt, sigurisht me 10 vite diferencë.
– Pryanka Chopra dhe Nick Jonas
Një nga çiftet më të përfolur, për shkak të diferencës në moshë janë edhe Nick & Pryanka. Ata shkaktuan trazira në daljen e tyre të parë në 2017-ën dhe marrëdhënia u zyrtarizua në mesin e 2018-ës. Në 1 dhjetor 2018, çifti u martua. Pryanka ka folur shpesh e revoltuar, për faktin se kur djali është më i madh në moshë, nuk ka asnjë problem, madje njerëzit e pëlqejnë më shumë, por kur ndodh e kundërta, duket se të gjithë kanë diçka për të thënë.
– Kourtney Kardashian dhe Younes Bedjima
Kourtney, 40 vjeç ka nisur lidhjen e saj me modelin 26-vjeçar në dhjetor të 2016-ës. Lidhja e tyre ka patur shumë ulje-ngritje dhe aktualisht nuk ka një lajm konkret nëse janë ende bashkë apo jo.
– Lisa Bonet dhe Jason Momoa
Aktorja e “The Cosby Show”, Lisa Bonet, 52 vjeç dhe ylli i “Game of Thrones”, Jason Momoa, 40 vjeç u takuan në një klub xhazi në 2005-ën dhe në vitin 2017 u martuan. Ata janë ende bashkë.
Çite të tjera si Jennifer Lopez & Arod, Cameron Diaz & Benji Madden apo Eva Mendes & Ryan Gosling, kanë diferenca prej 6-7 vitesh. Kujtojmë se J-Lo ka patur edhe një lidhje me balerinin Casper Smart, 18 vite më të ri në 2011, Ashton Kutcher një marrëdhënie me Demi Moore, me një diferencë prej 16 vitesh e shumë të tjera, të cilat nuk kanë arritur t’i rezistojnë kohës.