Është koha për përcaktim prioritetesh

Është koha për përcaktim prioritetesh

Kur erdhi pandemia, shoqëria amerikane ishte e shenjuar nga pabarazitë racore dhe ekonomike, përkeqësimi i standardeve shëndetësore dhe varësia nga lëndët djegëse fosile. Tani që shpenzimet publike janë rritur jashtëzakonisht shumë, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë që kompanitë që marrin ndihmë të kontribuojnë për drejtësinë sociale, shëndetin publik dhe një ekonomi më të gjelbër.

Edhe pse duket një shekull më parë, nuk ka kaluar shumë kohë që kur ekonomitë botërore filluan të ndalojnë prodhimin për shkak të pandemisë. Në fillim të krizës, shumica e njerëzve kishin parashikuar një rimëkëmbje të shpejtë, duke imagjinuar se ekonomisë i duhej thjesht një pushim. Pas dy muajsh kura dhembshurie dhe shumë para, ajo do të rikthehej atje ku kish qenë. Por ne jemi tani në korrik dhe shërimi i shpejtë është një iluzion. Ekonomia post-pandemike ka të ngjarë të jetë e dobët, jo vetëm në vendet që nuk kanë arritur të menaxhojnë përhapjen (si Shtetet e Bashkuara), por edhe në ato që janë mbrojtur mirë. FMN parashikon që deri në fund të vitit 2021, ekonomia globale do të jetë pak më e pasur sesa ishte në fund të vitit 2019, dhe se ekonomitë e Shteteve të Bashkuara dhe të Evropës do të jenë 4 përqind më të varfëra.

Perspektivat ekonomike aktuale mund të ekzaminohen në dy nivele. Makroekonomia na thotë se konsumi do të ulet, sepse familjet dhe bizneset kanë më pak para, për shkak të falimentimeve dhe sjelljes së matur në shpenzime, shkaktuar nga pasiguria për të ardhmen. Në të njëjtën kohë, mikroekonomia na tregon se virusi vepron si një taksë mbi aktivitetet ekonomike që përfshijnë kontakt të ngushtë njerëzor dhe do të vazhdojë të ndryshojë tendencat e konsumit dhe prodhimit, të cilat nga ana e tyre do të çojnë në transformimin shoqëror.

Teoria dhe historia ekonomike na mësojnë se tregjet, të vetme, e kanë të vështirë të menaxhojnë një ndryshim të tillë, veçanërisht duke marrë parasysh sa I papritur ka qenë. Nuk është e thjeshtë t’i shndërrosh punonjësit e linjave ajrore, në teknikë të Zoom. Dhe, edhe sikur të mundnim, sektorët në zhvillim sot kërkojnë më pak fuqi njerëzore dhe më shumë aftësi, sesa ato që po zhduken. Ne gjithashtu dimë se shndërrimet strukturore krijojnë një problem tradicional Kejnesian, atë që ekonomistët e quajnë efekti i të ardhurave dhe i zëvendësimit. Edhe nëse sektorët që nuk kërkojnë kontakt njerëzor po zgjerohen, rritja e konsumit që ato gjenerojnë do të kompensohet nga ulja e shpenzimeve, të shkaktuara nga rënia e të ardhurave të atyre që punojnë në sektorët në krizë.

Veç këtyre, do të ketë një efekt të tretë: rritja e pabarazive. Duke parë që makinat nuk mund të infektohen nga virusi, ato do të bëhen një zgjidhje më tërheqëse për punëdhënësit. Dhe meqenëse njerëzit me të ardhura të ulëta duhet të shpenzojnë një pjesë më të madhe të të ardhurave të tyre për mallrat thelbësore, çdo rritje e pabarazive të prodhuara nga automatizimi do të çojë në një tkurrje.

Ekzistojnë edhe dy arsye të tjera për të qenë pesimistë. E para është se politika monetare mund të ndihmojë disa ndërmarrje të përballen me likuiditete të ulëta, siç ndodhi në recesionin e vitit 2008, por nuk mund të zgjidhë problemet e aftësisë paguese, apo të stimulojë ekonominë kur normat e interesit janë tashmë afër zeros. Për më tepër, në Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera, kundërshtimet “konservatore” ndaj defiçitit dhe rritjes së borxhit do të pengojnë veprimet stimuluese. Të njëjtët njerëz ishin të lumtur që të ulnin taksat mbi miliarderët dhe korporatat e mëdha në vitin 2017, të shpëtonin Wall Street-in në 2008 dhe të ndihmonin korporatat shumëkombëshe këtë vit. Por përfitimet e papunësisë dhe mbulimi shëndetësor janë një histori tjetër.

Prioritetet afatshkurtra kanë qenë të qarta që në fillim. Më i qarti, është se ne duhet të përballemi me emergjencën shëndetësore, sepse nuk mund të ketë shërim ekonomik derisa të frenohet virusi. Në të njëjtën kohë, është e nevojshme të mbrohen ata që janë më në nevojë, të sigurohet likuiditet për të shmangur falimentimet e shmangshme dhe ruajtur lidhjet midis punëtorëve dhe kompanive. Por ka edhe zgjedhje të dhimbshme që duhen bërë. Ne nuk duhet të shpëtojmë kompani të cilat ishin tashmë në rënie, që para krizës. Kjo do të krijonte “zombie”, me rezultat një rritje ekonomike të kufizuar. As nuk duhet të shpëtojmë kompani që tashmë ishin zhytur borxhe.

Covid-19 do të qëndrojë me ne për një kohë të gjatë, kështu që kemi kohë për t’u siguruar që konsumi dhe investimi të reflektojnë përparësitë tona. Kur erdhi pandemia, shoqëria amerikane ishte e shenjuar nga pabarazitë racore dhe ekonomike, përkeqësimi i standardeve shëndetësore dhe varësia nga lëndët djegëse fosile. Tani që shpenzimet publike janë rritur jashtëzakonisht shumë, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë që kompanitë që marrin ndihmë të kontribuojnë për drejtësinë sociale, shëndetin publik dhe një ekonomi më të gjelbër. Shpenzimet e targetuara publike, të cilat investojnë në tranzicionin e gjelbër, mund të jenë të dobishme, mund të përfshijnë një forcë punëtore të konsiderueshme (duke ndihmuar në këtë mënyrë për të luftuar papunësinë) dhe mund të dëshmojnë se janë një stimul për ekonominë. Nuk ka arsye ekonomike që i pengojnë Shtetet e Bashkuara të miratojnë programe shërimi të afta t’i bëjnë ato të ngjajnë me shoqërinë që pretendojnë se janë. / Në shqip nga bota.al

 

Shpërndaje në: