95 kilometra në orë duke vozitur në kahun e kundërt

Pse jemi të ‘pezmatuar’ në Mogherinin, Hahnin dhe të tjerët në BE për vizat. Sepse shpesh na thanë që i keni plotësuar të gjitha kriteret për viza. Pas këtyre deklaratave, çonin kry kërkesa të tjera, që mund të tejzgjaten sa për të mos i marrë vizat edhe nja pesë vjet, ndoshta.
Është pak e mërzitshme të merresh me kronologjinë e ngjarjeve që kur ka nisur procesi për të përmbushur kritere për liberalizim vizash. Ky proces, daton diku në vitin 2007 , kur Këshilli i Evropës kishte konfirmuar zotimin ndaj agjendës së Selanikut ku kishte ftuar Komisionin që të shqyrtonte mundësitë për kontakte mes njerëzve me Ballkanin Perëndimor.
Pra, agjenda e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor, ka nisur një vit para shpalljes së pavarësisë. Ndoshta pak vjet më vonë, fushatat zgjedhore në vend ishin karakterizuar kryesisht me këtë premtim. Në fund të fundit, ishte premtimi që dhezte. Cilët votues të cilës parti nuk e donin liberalizimin e vizave, rrjedhimisht, cili qytetar nuk do t’i gëzohej kësaj.
Nëpër gjithë vitet, deri në dhjetorin e vitit 2011, Kosova do të merrte lajmin më të prekshëm për vizat. Këshilli kishte konfirmuar se Kosova do të përfitonte nga liberalizimi nëse do t’i përmbushte të gjitha kushtet e kërkuara.
Ndër kushtet që kërkoheshin të plotësoheshin ishin edhe: riintegrimi, siguria e dokumenteve, menaxhimi i kufirit administrative, azili, siguria, të drejtat e njeriut dhe rendi publik, etjerë.
I 95 – ti kusht, ishte luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Të gjitha këto kushte, Bashkimi Evropian vet thoshte se janë plotësuar. Nuk ka faj ambasadori britanik në Kosovë që para pak ditësh deklaroi se po i vjen turp se qysh ende asnjë zyrtar i lartë nuk po dënohet për korrupsion. Sinqerisht, edhe neve po na vjen marre për këtë. Edhe ne po kemi qejf kjo të ndodhë sa më shpejt.
Ama ku jemi ‘pezmatuar’ me BE’në për vizat?
Në kohën kur është thënë se 95 kushtet e kërkuara për liberalizim vizash janë plotësuar, zyrtarë të BE’së përfshirë Mogherinin dhe Komisionerin Hahn, vinin në Prishtinë, për të dhënë një mesazh të prerë: Kosova duhej ta ratifikonte demarkacionin me Malin e Zi për të lëvizur lirshëm në Evropë.
Pas tri vitesh të mundimshme për krejt ne si qytetarë, edhe demarkacioni me Malin e Zi u ratifikua. E pas kësaj, në BE na thanë: në rregull. Por tani çoi kry një kërkesë tjetër: luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit (të luftohet më shumë).
Kjo kërkesë mund të interpretohet dhe tej zgjatet shumë. Sepse krimin e organizuar dhe korrupsionin vështirë se mund t’i zhbësh për nja tri ditë dhe ditën e katërt ta vizitosh – për shembull – Vjenën, pa vizë.
Me pak fjalë: secilën herë që zyrtarët e BE’së zbrisnin në Kosovë, na thonin se me rekomandimet për kritere për vizat ‘jeni OK’. Tash, nuk e dimë çka do të çojë kry për të marrë viza. Dialogu, taksa 100%, ku e dimë?
Por, a i bie që ne kemi qenë duke vozitur 95 kilometra në orë, në drejtim të kundërt? Pra, kilometrat i kemi mirë (për autostradë ta zëmë), por drejtimin e kemi të gabuar. Drejtimin duhet ta marrim edhe me disa vija krejtësisht politike.
Prandaj, nuk është se s’kemi të drejtë të pyesim në llogarinë e Mogherinit por jo vetëm aty: Fuqia e të drejtave të njeriut po, por ku janë të drejtat e njeriut për Kosovën? Të drejtat e njeriut që promovohen nga BE-ja si vlerë dhe nuk është se s’e duam këtë vlerë. Të drejtën që e gëzon njeriu në Tiranë, në Beograd, Podgoricë e Shkup.