9 vjet prontovarësi
Thaçi, i cili pas përfundimit të luftës i hyri politikës duke u thirrur në kontributin e dhënë për çlirimin e Kosovës, lexoi atë deklaratë për të cilën më herët ishte dakorduar që në të askund të mos përmendej UÇK’ja, ushtria ku thoshte se ka qenë i rreshtuar. Që nga atëherë, ky njeri që gjatë luftës mbante si nofkë një emër zvarraniku, e komplikoi shumë dhe nuk e zbardhi asnjëherë të vërtetën rreth pjesëmarrjes së tij në luftë. Zakonisht para qytetarëve të Kosovës dhe në mediat vendore deklaronte se ishte njeriu kryesor i luftës çlirimtare, por më vonë, kur po përmendej një gjyq i padrejtë ndaj luftës sonë çlirimtare, “Gjarpri” për mediat e huaja filloi të deklaronte se kishte qenë larg vijës së frontit.
Kryeministri i atëhershëm, i cili pretendoi ta rregullonte imazhin e tij para botës duke u fokusuar më pas vetëm në arenën diplomatike si Ministër i Punëve të Jashtme, e që më pas mëtoi të na paraqitej si një figurë unifkuese duke u instaluar dhunshëm në postin e Presidentit të vendit, nuk arriti asnjëherë që me udhëheqësit e tjerë të popullit ta bënte njëmend Kosovën shtet të pavarur e demokratik. Barra e dy gënjeshtrave të tij të mëdha në vetëm një fjali hetohet më së miri nëntë vite më pas, kur qyteti i Mitrovicës është në gjendjen më të rëndë, pa arritur asnjëherë që në atë pjesë dhe pjesë të tjera ku janë shumicë pakica serbe, të shtrihet sovraniteti dhe të veprohet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës. Pikërisht tani, kur në raporte të ndryshme ndërkombëtare, Republika e Kosovës cilësohet si vend me demokraci të brishtë, e madje edhe vend gjysmë-autoritar me predispozita kah autoritarizmi.
Para nëntë viteve, deputeti i parë i cili hodhi firmën e tij në Deklaratën e Pavarësisë ishte ai i cili arriti të jetë protagonist i vitit që kemi lënë pas. Bëhet fjalë për strumbullarin e aferës “Pronto”, i njohur tashmë si “shefi i shefave të zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës”, por me emrin e vërtetë Adem Grabovci. E këtë nofkë ia la pikërisht “shefi” i tij, Hashim Thaçi, i cili përmes Grabovcit përgjatë gjithë kohës kontrollonte PDK’në e tij, por edhe institucionet e shtetit që asnjeherë nuk u pavarësua dhe demokratizua.
Afera “Pronto” është pasqyra më e mirë e gati një dekade pas shpalljes së pavarësisë. Ato përgjime e treguan fytyrën e vërtetë të “udhëheqësve të popullit të zgjedhur në mënyrë demokratike”, që realisht, as nuk janë të popullit e aq më pak të zgjedhur në mënyrë demokratike. Nëntë vite si shtet i pavarur ishin nëntë vite sundim nga këta njerëz të organizuar në klanin “Pronto”, i cili funksiononte nën diktatin e dy njerëzve – Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Të parit, i cili thoshte se po realizonte tre qëllimet jetësore të tij: çlirimin e Kosovës, pavarësimin e Kosovës dhe integrimin e saj në BE, por që në të vërtetë ishte figura më kontraverse e vendit gjatë gjithë kohës. E të dytit, të cilit i raportohej edhe sa ishte “shef i nëntokës” e formalisht larg skenës politike, por që më pas u vendos në krye të institucionit kryesor legjislativ në vend, Kuvendit, dhe në krye të PDK’së, që udhëhiqej nga Thaçi.
Mendësia “Pronto” pamundësoi që ta shtrijmë sovranitetin sepse në vend të tij u zgjodhën negociatat me Serbinë, ku Kosova më shumë ishte temë sesa palë, e nga ku rrodhën vetëm koncesione të dëmshme që e futën Serbinë edhe më shumë brenda Kosovës dhe minimizuan shtetësinë. Ky klan bëri që Serbia të mos ndjente keqardhje në asnjë moment për gjenocidin ndaj Kosovës, të cilën me fanatizëm e mbanë ende në Kushtetutën e vet, si pjesë të saj. E po ashtu, i mundësoi Serbisë që të nxisë provokime kur të dojë, herë me me mure e herë me trena, apo edhe arrestime të ish-ushtarëve të UÇK’së. Serbia e nënshtroi këtë klan që në vazhdimësi, vit pas viti, nëntë vite rresht, sundoi popullin e Kosovës me metodat e një shteti autoritar. “Pronto” deshi dhe do ende që të ia mundësoi Serbisë projektin me emrin “Zajednica”, themelin për ndarjen finale të Kosovës apo bosnjëzimin e saj. Sikurse, i njëjti zhgan njerëzish lejoi që Serbia të jetë ajo që thotë fjalën e fundit kur duhet të themeluar Forcat e Armatosura të Kosovës. Pra, çdo mandat qeverisës i klanit “Pronto” filloi e përfundoi duke pasur kryefjalë “Serbinë”.
200 mijë vende të punës premtoi kryeshefi i klanit “Pronto” në zgjedhjet e fundit, dhe për shkak të tij dhe këtij klani, brenda një kohe të shkurtër, jo që nuk u hapën vendet e punës, por e braktisën Kosovën mbi 100 mijë qytetarë të saj, duke vuajtur mjerimin edhe burgjeve e kampeve të vendeve evropiane. “Pronto” përgjatë gjithë kësaj kohe u shndërua në simbol të kapjes së çdo institucioni dhe simbol të klientelizmit, duke e bërë pjesë të sistemit punësimin me metodën “pa kunkuru” dhe metodën e “rehatimit të familjarëve që mbesin anash”. Kësisoj papunësia e varfëria në Kosovën e “pavarur” u rritën në vazhdimësi, e raportet ndërkombëtare flasin për korrupsion endemik në vendin tonë, i cili në asnjë mënyrë nuk po zbutet. Skamnorët pa kurrfarë përkrahje e përkujdesje shtetërore, mbushin skemat programore të televizioneve me emisione që kryesisht promovojnë “humanizëm” të figurave publike apo dikujt tjetër jo aq publik, e që për fat të keq më së shumti krejt kjo do që të na përçojë mesazhin se “nuk duhet të presim vetëm nga shteti”. Dhe natyrisht kjo i konvenon klanit “Pronto” sepse ky koleksion kriminelësh s’kanë kohë për varfanjakët sepse duhet të rehatojnë njëri-tjetrin, e edhe dajtë e tezet e tyre dhe ndonjë familjarë tjetër “të lënë anash”.
2008-2017 nuk përfshinë brenda vetes nëntë vite të pavarësisë. Këto janë nëntë vite prontovarësi. Janë nëntë vite që Kosova është e varur, e drejtuar dhe e kontrolluar nga “Pronto”. Këto nëntë vite nuk sollën sovranitet të shtetit, zhvillim ekonomik, vende të reja pune, sistem të pavarur drejtësie, arsim cilësor, shëndetësi cilësore, mirëqenie sociale, ushtri e integrime evropiane. Por, regjimi “Pronto” u përkujdes që gjatë këtyre nëntë viteve, në vend të nëntë këtyre premtimeve, ta cenojë tutje sovranitetin dhe integritetin territorial, duke e lënë Mitrovicën e ndarë e duke falë territore për shtetet fqinje. Të privatizojë gjithçka e ta thellojë krizën ekonomike. Të lë pa punë mbi 75 mijë qytetarë me privatizimin e egër neoliberal. Në vend të sistemit të pavarur të drejtësisë të instalojë drejtësinë selektive që lë të lëvizin lirshëm kriminelët rrugëve dhe vret studentë burgjeve, siç ngjau me Astritin. Arsimin cilësor e zëvëndësuan me testin PISA. Shendetësia u bë terreni i skandaleve më të mëdha korruptive, ku po s’pate para, vdes pa e marrë vesh kush. Varfëri e mjerim solli “Pronto” në vend të mirëqenies sociale. Ushtria nuk u bë dhe në vend të saj u rehabilituan strukturat paralele të Serbisë. E integrimet evropiane mbetën një “endërr nën rrezet e diellit”, duke mos arritur që të plotësohet një kriter – lufta e krimit dhe korrupsionit – që sjellë të paktën liberalizimin e vizave, e duke mos arritur të sigurohet as përkrahja e vendeve që njohën pavarësinë e Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO.
E nëse pas gjitha këtyre, ende ekziston dikush që ka guximin që të thotë që duhet festuar sepse kjo na qenka pavarësi, edhe e këtillë çfarë është, unë i them “Urime prontovarësia! Urime e suksese!”. Sepse ky dikush qenka i interesuar për një shtet që duket sikurse “9”-shi i dizajnuar për këtë përvjetor, të cilit dizajneri kishte dashur t’i jepte formë pëllumbi, por në fakt i kishte dhënë formë të atillë që herë dukej si “pikëpyetje” e herë si “kërmill”. Pra, po flasim për dikë që Kosovën e do të tillë, që fati i saj është gjithnjë në pikëpyetje. Për dikë që do shtet pa skelet, një shtet butakësh, që shtypet prej kujtdo që i teket. E unë, jo. Unë e dua Kosovën njëmend të pavarur, sovrane e demokratike.
Autori është Zyrtar për Media dhe Komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje