Takimi im me Marquezin
Me siguri do të vazhdoja të mbaja emrin tim të pagëzimit prej Marquezit lulja pirate e Gabos mes miqve hispanikë, por edhe një vrasjendërgjegje për botimin pirat në shqip pa të drejta autori të romanit gjenial të dashurisë. Ndonëse gjatë takimit tim në Barcelonë vjeshtën e vitit 1991 me Gabriel Garcia Marquezin, e vura në dijeni autorin dhe agjenten e tij të shumënjohur Carmen Balcells për botimin në shqip të “Dashuria në kohërat e kolerës” që do të dilte pak muaj më vonë me përkthimin tim nga Naim Frashëri, e vetmja shtëpi botuese e librit letrar në Shqipërinë e asaj kohe, dhe u zotova t’u dërgoja kopjet në shqip sipas kërkesës së tyre, sërish faji i botimit pa të drejta autori mbetej.
Tani që brenga e botimit pirat është fashitur dhe Onufri e ka kthyer nderin e humbur të përkthimit në shqip të “Dashuria në kohërat e kolerës” duke paguar, përpos të drejtës për botimin që këtej e tutje të kësaj vepre, edhe borxhin e botimit të fajshëm të dikurshëm, mbetej të rishihej përkthimi në shqip i romanit. Përkthimi i parë i “Dashuria në kohërat e kolerës”, i cili nisi 28 vjet më parë, në vitin 1989 dhe përfundoi 2 vjet më vonë, më 1991, u cilësua si një përkthim shumë i mirë dhe i suksesshëm, përderisa impakti që vepra pati te lexuesi shqiptar ishte i njëjtë me impaktin që pati vepra origjinale, — botimi i parë në shqip i kaloi të 30 mijë kopjet, dhe këta pothuaj 26 vjet, nuk ka reshtur ribotimi i tij.
“Dashuria në kohërat e kolerës” është një vepër e madhe në letrat botërore, dhe si e tillë, qëndron e hapur ndaj çdo zhvillimi të ardhshëm, qoftë gjuhësor dhe qoftë kulturor e shoqëror. Përkthimi jo, ai mbetet i ngurtë. Përkthimi vjetërohet. Fati i përkthimit është plakja e tij. Koha nuk kalon njëlloj si për veprën letrare, ashtu edhe për përkthimin e saj, vepra evolon, ndërsa përkthimi është i vulosur nga koha e tij. Ëalter Benjamin thotë: “Ndërsa fjala e shkrimtarit mbijeton në gjuhën e tij, fati i përkthimit më të arrirë është të zhduket me rritjen e gjuhës, të vdesë kur kjo gjuhë ripërtërihet”.
Shekulli që po jetojmë shenjohet nga fenomeni i ripërkthimit. Nuk po ripërkthehen vetëm veprat letrare, por edhe ato historike dhe filozofike. Ripërkthimi është një çështje letrare që bashkon dimensionin sociokulturor me dimensionin historik. Ai ndodh, sepse kohët ndryshojnë dhe lexuesi evolon. Kështu nisa ripërkthimin e “Dashuria në kohërat e kolerës”, e ndërgjegjshme për faktin se një frazë e shkruar shumë vite më parë nuk ka wordpress më të njëjtin kuptim në tërë spektrin e nuancave të tij, sepse gjuha ka evoluar, sepse, siç thotë Herakliti, nuk lahemi kurrë në të njëjtin lumë dhe, e ndërgjegjshme, po ashtu, për fatin tim të rrallë: fatin e përkthyeses që i takon të ripërkthejë përkthimin e saj.
Nevoja e domosdoshme e ripërkthimit të veprës madhore të dashurisë karaibase nuk kishte vetëm arsye gjuhësore (sintaksa dhe leksiku që evoluojnë). Nuk ishin vetëm turqizmat, fjala vjen, të përdorura me bujari në përkthimin e romanit të Marquez-it, të cilat, ndonëse dikur ishin “erëzat” gjuhësore, tani jo vetëm e rëndonin paq tekstin, porse një pjesë e mirë e tyre nuk përdoren më dhe as që kuptohen nga brezi i pesëmbëdhjetë- tridhjetëvjeçarëve të sotëm. Arsyet ideologjike ishin ndoshta ato që rëndonin më tepër në peshoren e domosdoshmërisë së ripërkthimit. Me ndërgjegje kisha hequr disa pjesë nga teksti, ato që asokohe binin ndesh me moralin, kisha zbutur në shprehje dhe terma të tjera pjesë, kisha përdorur fjalën gollomesh, sa të shëmtuar, trashamane, aq edhe të pavend, për të zëvendësuar fjalën lakuriq, etj dhe kulmi fare, i kisha fshehur moshën dashnores së fundit të Fiorentino Arizas, 14-vjeçares America Vicunas, duke e quajtur thjesht të re.
Mosha e saj është një nga pikat e paroksizmit të dramës së romanit, dhe sigurisht fshehja e saj ishte një atentat ndaj dramacitetit të tij, porse më duhej të vija në gjumë censurorët, të shpëtoja veprën.
Të tjera arsye, më pak të rëndësishme se këto, por gjithsesi jo pa rëndësi, lidheshin me zgjerimin e madh të horizontit letrar të Marquezit në botë: vepra e tij tashma është njohur me themel nëpërmjet kritikave dhe studimeve të panumërta dhe ridimensionimit të saj. Përpos kësaj, empatia ime si përkthyese ndaj autorit ishte rritur mjaft dhe vetë filozofia e mjeshtërisë sime kishte evoluar.
Përkthimi i parë në shqip i “Dashuria në kohërat e kolerës” u konceptua dhe u realizua me qëllimin parësor që vepra e madhe të shihte dritën e botimit, duke kapërcyer censurën dhe autocensurën botuese. Prirja e tij ishte t’ia ofronte sa më të thjeshtë, sa më të lehtë dhe më të bukur lëndën e romanit lexuesit, shpesh edhe në kurriz të besnikërisë ndaj autorit.
Në lirinë e rigjetur, synimi i ripërkthimit ka qenë të jetë pranë ndjeshmërisë së lexuesit të sotëm të gjuhës shqipe, duke i qëndruar besnik shpirtit të veprës. Jam rrëfyer e sinqertë me lexuesin dhe besnike me autorin në këtë kryevepër të letrave botërore që sapo i ka ardhur lexuesit të gjuhës shqipe.