Ilaçet dhe ushqimet e duhura për të sëmurët me veshka

Ilaçet dhe ushqimet e duhura për të sëmurët me veshka

Flet për “Mapo” prof. dr. Alma Idrizi, nefrologe, QSU “Nënë Tereza”

Të sëmurët me sëmundje të veshkave, për vetë problematikën e shumëllojshme që kanë, janë të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të motit. Me ardhjen e stinës së dimrit dhe rënies së temperaturave, këtyre të sëmurëve iu rëndohet akoma më shumë gjendja shëndetësore. Për këtë arsye shihet e nevojshme të jepen disa këshilla në lidhje me kujdesin që duhet të tregojnë këta të sëmurë veçanërisht gjatë stinës së dimrit.

Në një intervistë për “Mapo” prof. dr. Alma Idrizi, nefrologe, QSU “Nënë Tereza” shpjegon kujdesin që duhet të kenë veçanërisht kur pacientët vuajnë nga gurët në veshka, infeksionet urinare. Cilat janë këshillat dhe trajtimet e duhura për këta të sëmurë, gjithashtu çfarë regjimi ushqimor duhet ndjekur.

Çfarë është sëmundja kronike e veshkave?

Sëmundja kronike e veshkave është një humbje progresive dhe permanente e funksionit të tyre për një periudhë të gjatë kohore, prej muajsh apo vitesh. Sëmundjet kronike të veshkave janë një problem global që shoqërohen me një sëmundshmëri dhe vdekshmëri të lartë, duke u bërë një problem mjekësor, social dhe ekonomik për të sëmurët, familjet e tyre dhe shoqërinë. Sot në botë më shumë se 500 milionë njerëz vuajnë nga një formë e dëmtimit të veshkave dhe çdo vit në botë vdesin miliona njerëz nga ataku në zemër apo në tru (iktusi) të lidhura me sëmundjet kronike të veshkave. Sëmundjet që çojnë në dëmtimin e funksionit të veshkave janë diabeti, hipertensioni arterial, glomerulonefritet kronike-humbja e proteinave me urinë, infeksionet e traktit urinar, sëmundjet e trashëguara-polikistoza renale etj. Në stade të avancuara të sëmundjeve kronike të veshkave, helme si ureja, kreatinina grumbullohen në gjak duke shkaktuar të vjella. Komplikacione të tjera si tensioni i lartë i gjakut, anemia, probleme kockore etj., mund të zhvillohen. Këto probleme mund të ndodhin ngadalë, gjatë një periudhe të gjatë kohore dhe shumica e njerëzve mund të mos kenë shenja evidente deri në stadet e avancuara të sëmundjes së veshkave. Megjithatë, nëse ju vëreni se ndiheni më të lodhur dhe keni më pak energji, keni probleme me përqendrimin, keni ulje të oreksit, keni probleme me gjumin, keni ngërçe (krampe) muskulore, sidomos natën, keni fryrje të këmbëve, keni fryrje rreth syve, sidomos në mëngjes, keni lëkurë të thatë dhe urinoni më shpesh, sidomos gjatë natës, duhet të drejtoheni te mjeku për të bërë ekzaminimet përkatëse (gjak komplet, urinë komplet, azotemi, kreatininemi, glicemi, matjen e tensionit të gjakut). Zbulimi i hershëm dhe trajtimi i tyre shpesh mund të ngadalësojë ecurinë e tyre. Kur sëmundja e veshkave vazhdon, kjo mund të çojë në insuficiencë renale – pamjaftueshmëri të punës së veshkave, e cila kërkon dializë apo transplant të veshkës për të mbijetuar. Pacientët me funksion të dëmtuar të veshkave dhe ata me transplant të veshkës duhet të jenë të kujdesshëm në çdo stinë, sidomos në atë të dimrit. Për çdo medikament që iu këshillohet nga specialistë të ndryshëm pacientët duhet të konsultohen me nefrologun ose mjekun e familjes.

Çfarë duhet përdorur për dhimbjet, gjendjet gripale, temperaturën?

Ilaçet për lehtësimin e dhimbjeve duhet të merren me kujdes dhe vetëm kur është e nevojshme. Bisedoni me mjekun tuaj nëse ju duhet të merrni ilaçe për më shumë se 10 ditë me radhë për shkak të një dhimbjeje kronike si artriti, hernia diskale etj.

Disa barna të përdorur rëndom nga njerëzit për sëmundjet reumatizmale, si: brufeni, voltareni, aulina, mund të shkaktojnë dëmtim rishtas të veshkave ose përkeqësim të funksionit të tyre tashmë të dëmtuar.

Shmangni kombinimin e paracetamolit me anti-inflamatore josteroide (brufeni, voltareni, aulina) dhe kafeinë. Paracetamoli është i sigurt dhe zgjidhja më e mirë si qetësues për të trajtuar një dhimbje apo për të ulur temperaturën. Në qoftë se keni të bëni me dhimbje kronike bashkëpunoni me mjekun tuaj për të gjetur një mënyrë për të qetësuar dhimbjen pa vënë veshkat tuaja në rrezik. Gjithsesi, kur merrni ilaçe kundra dhimbjes pini gjithmonë gjashtë deri tetë gota ujë në ditë. Për dhimbjet lokale, më të sigurta janë tubetat e aplikuar lokalisht në lëkurë.

Disa prej ilaçeve antigripale mund të përmbajnë doza të larta të aspirinës, e cila është mirë të shmanget. Shumë nga shurupet që përdoren për kollë mund të përmbajnë substanca (dekongjestionante) të cilat duhet të shmangen nëse keni tension të lartë të gjakut. Opsione të mira në gjendjet gripale janë çaji i ngrohtë, inhalacioni me avull. Për kollën provoni një linctus të thjeshtë ose mjaltë me limon për të zbutur fytin. Për alergjitë mund të përdoren tableta me antihistaminike, spray për hundën dhe pika sy.

Çfarë janë infeksionet e traktit urinar?

Infeksionet e traktit urinar (ITU) janë nga sëmundjet më të zakonshme, që prekin të gjitha moshat, që nga i porsalinduri e deri të personat e moshës së tretë. ITU janë më të shpeshta te femrat sesa te meshkujt, për shkak të karakteristikave anatomike. ITU ndahen në infeksione të rrugëve të sipërme (pielonefriti) dhe infeksione të rrugëve të poshtme. Këtu bëjnë pjesë ato të fshikëzës së urinës (cistite), infeksionet e prostatës te burrat (prostatite), infeksionet e uretrës, kanalit të poshtëm të nxjerrjes së urinës (uretrite). Çdo vit në Amerikë kryhen afërsisht 10 milionë vizita për ITU dhe shumica e këtyre vizitave kryhen gjatë stinës së dimrit. Por dhe çdo temperaturë te fëmijët nga një virozë, angine, bronkit apo bronkopneumoni etj., që nuk trajtohet duhet të shqetësojë prindërit, që përveç analizës së gjakut, t’i bëjnë fëmijës dhe një analizë urine. Në rast se infeksioni përsëritet, duhet detyrimisht të gjendet shkaku dhe të mjekohet ai. Te fëmijët e vegjël shkaku kryesor i infeksionit urinar është refluksi veziko-ureteral (rikthimi i urinës mbrapsht, si një defekt i sfinkterit ureteral).

Pse stina e dimrit shton rastet e infeksioneve urinare?

Gjatë periudhës së dimrit janë të shpeshta rastet e cistiteve, uretriteve, prostatiteve. Arsyet kryesore pse ndodh riakutizimi apo shfaqja e këtyre problemeve gjatë kësaj stine lidhen me konsumimin më të pakët të lëngjeve në krahasim me stinën e verës, të ftohtin, virozat dhe infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. I ftohti ndikon në spazmat e shpeshta të muskulaturës së rrugëve të poshtme urinare, duke shtuar shpeshtësinë e urinimit. Ndërsa virozat e stinës, kur zgjasin shumë, në njerëz me rezistencë të ulët, kur nuk vlerësohen sa duhet e nuk mjekohen në kohën e duhur, dhe sidomos infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes-tonsilat, për shkak të streptokokut, stafilokokut etj., ndikojnë në shfaqjen e infeksioneve urinare.

Cili është trajtimi i duhur i infeksioneve urinare?

Trajtimi duhet të jetë korrekt, sepse nuk janë të rralla rastet e përsëritjes së cistitit. Kontakti me mjekun e familjes dhe atë nefrolog është i rëndësishëm pasi në mjaft raste shkak i kronicizimit të sëmundjes është mungesa e kontaktit me specialistin, neglizhimi i shenjave dhe mjekimi jokorrekt. Mjekimi bëhet sipas shkaktarit të përcaktuar me urokulturë (mbjellje të urinës). Mjeku i familjes apo ai nefrolog duhet të bëjnë vlerësimin e rastit, të përcaktojnë mjekimin dhe kohëzgjatjen e tij. Mjekimi pa kriter çon në kandidoze (myk), dëmtim të mëlçisë, apo rezistencë mikrobiale.

Çfarë duhet pasur parasysh në jetën e përditshme për të parandaluar shfaqjen e infeksionit urinar?

Të konsumohen sa më shumë lëngje, e rekomandueshme 2-3 litra në ditë. Uji, i cili ka dhe veti antioksidante, të mos të pihet menjëherë, por pak nga pak. Po ashtu, tri herë në javë pini lëngje frutash të shtrydhura, si lëng limoni, portokalli, pjeshke, rrushi, karote etj. Boronica e kuqe në formë çaji, lëngu, fruti, tabletash lufton infeksionet urinare. Që 50 vjet përpara dietologët kanë raportuar efekte anti-infeksioze të boronicës së kuqe nga prania në të e të paktën dy substancave që pengojnë ngjitjen e baktereve në rrugët urinare. Aloe vera lufton infeksionet. Për këtë bimë janë gjetur shkrime të ndryshme edhe nëpër papiruse, për të cilën thuhet se është shumë e dobishme dhe nga ajo janë prodhuar tableta të vogla kundër infeksioneve të ndryshme. Brokoli nuk gjendet shpesh në tryezat tona sepse nuk kemi njohuri të mjaftueshme për të. Megjithatë, është mirë që ta konsumojmë më shpesh sepse përveçse është shumë i ushqyeshëm brokoli përmban glukinolat, një përbërje bimore që shkatërron bakteret në fshikëzën e urinës. Rekomandohen 200 – 300 gram brokoli në ditë të paktën 2-3 herë në javë. Gjithashtu është i provuar dhe roli i vitaminës B6 për ITU. Vitamina B6 ndihmon në prodhimin e proteinave, çlirimin e glukozës etj. Të gjitha këto procese në trup janë të domosdoshme për rritje, formimin e gjakut dhe mbrojtje kundër infeksioneve. Në formë natyrale vitamina B6 gjendet te drithërat, banania, patatja, gjeli i detit, peshku, lajthia, arra, speci e perimet si lulelakra etj.

Çfarë regjimi dietik duhet ndjekur për gurët në veshka?

Siç u përmend më lart, gjatë stinës së dimrit njerëzit konsumojnë më pak lëngje duke çuar në një “dehidratim” të organizmit. Në fakt dehidratimi është një problem gjatë verës për shkak të humbjes së lëngjeve nga djersitja. Në dimër, dehidratimi zakonisht është i fshehtë dhe ndodh nga humbja e ujit urinar pjesërisht për shkak të konsumimit më të shumtë të kafesë dhe alkoolit (të cilët kanë efekt diuretik duke nxitur urinimin) dhe humbjes virtuale të ujit për shkak të soluteve të konsumuara më shumë në dimër (kripë dhe sheqer). Dehidratimi në vetvete nuk shkakton gurë në veshka, por kushtet e krijuara nga ky proces janë të njohura që përkeqësojnë rastet e gurëve në veshka, kur faktorë të tjerë të nxitjes së formimit të tyre janë të pranishëm. Ndryshime duhen bërë në sasinë e kripës, kalciumit, oxalateve, proteinave, kaliumit dhe lëngjeve në dietën. Nëse ju keni pasur një gur nga kripërat e kalciumit, mjeku juaj mund t’ju kërkojë të pakësoni kripën dhe natriumin në dietën tuaj. Ju nuk duhet të shmangni marrjen e kalciumit në dietën tuaj. Është e rëndësishme që ju të mësoni nga mjeku juaj për sasinë e duhur të kalciumit që ju duhet të merrni, sepse pas një diete të ulët në kalcium për një periudhë të gjatë kohore mund të shkaktohet humbja e masës kockore ose osteoporoza. Nëse ju keni pasur një gur në veshka që përmban oxalate, sugjerohet që të kufizoni marrjen e ushqimeve me përmbajtje të lartë të oxalateve: kikirikë, çaj, kafe, panxhar, fasule, manaferra, luleshtrydhe, çokollatë, rrush, birrë etj. Për të pakësuar rrezikun e formimit të një guri të ri, është e rëndësishme që ju të pini të paktën 3 litra lëngje gjatë ditës, kryesisht ujë. Në mot të nxehtë, ju mund të keni nevojë të pini më shumë për shkak të humbjes së lëngjeve nga djersitja. Kjo do të ndihmojë për të mbajtur urinën tuaj më pak të koncentruar, çka ul rrezikun e formimit të gurit. Duhet të zvogëloni sasinë e proteinave shtazore në dietë: mish viçi, lope, pule, derri, peshk, vezë.

Rritja e tensionit të gjakut (hipertensioni arterial)

Një nga shkaktarët por dhe komplikacion i rëndësishëm i sëmundjeve kronike të veshkave është dhe hipertensioni arterial. Rënia e temperaturave në dimër shkakton rritje të vlerave të tensionit të gjakut, më e shprehur kjo në të moshuarit. Studiuesit e shpjegojnë këtë fakt me aktivizimin e shtuar të sistemit nervor simpatik dhe çlirimin e katekolaminave, përgjegjës për ngushtimin e enëve të gjakut dhe rritjen e tensionit të gjakut. Nga një studim i bërë në 8801 adultë mbi 65 vjeç në Francë, rezultoi që si presioni sistolik (maksimal) dhe ai diastolik (minimal) të gjakut rriten në dimër. Këto të dhëna do të ndihmonin në parandalimin e komplikacioneve të hipertensionit arterial në dimër si ishemia e trurit, hemorragjia nga çarja e enëve të zgjeruara (aneurizma) sidomos në këtë grupmoshë, nëpërmjet monitorimit të tensionit të gjakut dhe mjekimit të kujdesshëm.

 

Kur duhet të shqetësoheni dhe t’i drejtoheni mjekut:

-Çdo urinim i shpeshtë, i shoqëruar ose jo me djegie;

-urgjenca për urinim;

-dhimbja dhe rendimi në fund të barkut;

-urinimi gjatë natës;

-vështirësia apo pamundësia për të mbajtur urinën;

-era e keqe, jo e zakonshme e urinës;

-temperatura disa herë e lartë e shoqëruar me ethe.

Janë shenjat që duhet t’i shqetësojnë njerëzit për të bërë një analizë urine të thjeshtë e për t’u konsultuar me specialistin për të gjetur shkakun.

 

Këshilla:

Kontrolloni vlerat e tensionit të gjakut gjatë dimrit duke shmangur luhatjet. Mbani një ditar të tensionit të gjakut për t’ia treguar mjekut tuaj. Kjo do të ndihmojë mjekun nëse keni nevojë për të ndryshuar apo rregulluar barnat e hipertensionit arterial. Merruni me aktivitet fizik në mënyrë të rregullt gjatë gjithë vitit. Gjatë dimrit ju mund të vazhdoni të ushtroni aktivitet fizik. Aktiviteti fizik është i rëndësishëm për funksionin e veshkave, përmirëson funksionin e muskujve, ul tensionin e gjakut, kolesterolin në gjak, mban një peshë të shëndetshme të trupit dhe përmirëson gjumin. Aktiviteti fizik zhvillohet duke ecur, vrapuar apo duke lëvizur me biçikletë, të paktën 30 minuta në ditë, tri herë në javë. Fillo ngadalë dhe vazhdo po ashtu. Shmangni aktivitetin e sforcuar fizik, sidomos kur jeni të ekspozuar në temperatura të ulëta. Mundohuni të mos shtoni në peshë gjatë muajve të dimrit duke përdorur ushqime të shëndetshme. Shtimi në peshë përveçse rritjes së vlerave të tensionit të gjakut, ndikon dhe në punën e zemrës. Bëni vizita të rregullta te mjeku. Në qoftë se tensioni juaj i gjakut vazhdon të jetë i lartë, kontaktoni mjekun për rirregullimin e mjekimit për të kontrolluar tensionin e gjakut. Për njerëzit mbi moshën 65-vjeçare kjo është veçanërisht e rëndësishme. Ndryshimi i mjekimit sipas ndryshimeve sezonale që pëson tensioni i gjakut ju ndihmon të jeni të shëndetshëm gjatë gjithë vitit.

Shpërndaje në: