8 ndeshjet më çuditshme të sezonit në Premier Ligë

8 ndeshjet më çuditshme të sezonit në Premier Ligë

Premier Liga e Anglisë ka marrë fund tashmë pasi janë luajtur 38 ndeshje të sezonit për secilin ekip. Shumë prej këtyre ndeshjeve ishin absolutisht fantastike, por disa prodhuan rezultate vërtet të çuditshme.

Manchester City do të jetë kampion, Leeds United është ekipi me lojën më të bukur dhe Chelsea, Man Utd dhe Liverpool do të bëjnë pjesë në Ligën e Kampionëve.

Më poshtë keni disa prej ndeshjeve më shokuese të sezonit të përgatitur nga Periskopi.

Aston Villa 7-2 Liverpool

Kjo ishte një e diele kur dukej se Premier Liga kishte marrë trajtën e një abnormaliteti të ri. Një rezultat krejtësisht psikedelik që sa herë e shihje të bënte të qeshje e të mendoheshe.

Liverpooli ishte kampion në fuqi i Premier Ligës dhe po niste në formë të mirë mbrojtjen e titullit. Aston Villa kishte shpëtuar nga rënia prej ligës falë një goli të anuluar nga VAR-i.

Por ja që e dërmoi Liverpoolin 7-2 me tre gola të shënuar nga Ollie Watkins.

Man. Utd 1-6 Tottenham Hotspur

Tottenhami dukej se ishte rrugës së ringjalljes me Jose Mourinhon në krye pasi mposhti 1-6 në Old Trafford Manchester Unitedin e Ole Gunnar Solskjaerit.

Po e përsërisim: Manchester United 1-6 Totttenham Hotspur.

Teatri i Ëndrrave për Manchester Unitedin ishte bërë “Teatër i Makthit”. Sidoqoftë, fundi i sezonit do të sjellte rezultate krejtësisht të ndryshme për dy skuadrat.

Man. Utd do të prëfundonte në vendin e dytë si nënkampion dhe është në finale të Europa League ndërsa Tottenham Hotspur përfundoi në vendin e shtatë, dhe do të marrë pjesë në Ligën e Konferencës ku për rival do ta ketë edhe Llapin e Tahir Batatinës.

Tottenham 3-3 West Ham

Tottenhami po luftonte për titull pasi e dërroi 6-1 Unitedin. Por, ekipi që drejtohej nga Jose Mourinho do të ndeshej me ekipin e West Hamit që drejtohej nga David Moyes.

Ekipi i portugezit krijoi një epërsi prej 3-0 vetëm 16 minuta pasi nisi ndeshja, por më pas West Hami shtrëngoi veten dhe nisi ta rrahte me çekan Tottenhamin.

Ndeshja përfundoi me rezultatin që e shihni.

Man Utd 9-0 Southampton

Nga 1-shi deri në 8 është fjalëkalimi [passwordi] i shumë prej nesh. Por, Southamptoni u desh të përballej me një tjetër fjalëkalim për ndeshjen e këtij sezoni në Old Trafford. Ata u desh të kalonin nga 1-shi e deri në 9.

Nëntë herë u tund rrjeta e Southamptonit nga “Djajtë e Kuq” që duket se atë mbrëmje ishin më të motivuar se asnjëherë, ndoshta se viteve të fundit është krijuar një rivalitet i natyrshëm me Southamptonin shkaku i rezultateve.

Më 6 nëntor, Southamptoni kishte qenë madje në krye të Premier Ligës ndërsa Manchester United ishte i 15-i. Ky ekip përfundoi në vendin e 12 ndërsa United, siç tashmë e thamë, në të dytin.

Liverpool 1-4 Manchester City

Liverpooli titull-fitues pas tridhjetë vitesh do të zhgënjente keq tifozët në ndeshjen me rivalin kryesor Manchester Cityn ku do ta zbulonin përfundimisht se nuk janë kurrkah hiç.

Ishte data 7 shkurt. Ishte shkëlqimi i Phil Fodenit.

Chelsea 2-5 West Brom

Kur gjithçka dukej se po shkonte mirë e mbarë për Chelsean e Thomas Tuchelit, aty ishte i famshmi Sam Allardyce me ekipin e dytë më të dobët në ligë, West Bromin.

Ishte 3 prilli.

Tuchel kishte rregulluar mbrojtjen që dukej kaotike sa ishte Frank Lampard në krye, por ja që, por ja që, ndodhi aksidenti me West Bromin.

Thiago Silva ishte ndëshkuar me të kuq në minutën e 29, dhe Chelsea kishte nisur të pësonte gol pas goli në shtëpi nga një ekip që s’kishte gjasa as për të mbijetuar.

West Brom 0-5 Leeds Utd

Leeds United ishte ekipi me lojën më të bukur këtë sezon. Edhe kur barazonin, edhe kur humbnin, edhe kur fitonin, ata shquheshin për angazhimin maksimal, vrapimet maksimale, pasimet fantastike dhe kundërsulmet madhështore.

Ndeshja me West Bromin ishte vetëm epitoma e gjithë sezonit. Por, këtu mund të përmendim edhe të tjera si fitoren si mysafir ndaj Manchester Cityt, apo edhe fitoren e para disa dite ndaj Tottenhamit të cilin e kryqëzuan.

Leeds e përfundoi sezonin me 59 pikë në vendin e 9 pasi u kthye në elitë pas 16 vitesh mungesë.

Man City 2-5 Leicester City

Manchester City mund të jetë bërë kampion dhe mund të jetë finalist i Ligës së Kampionëve, por në nisje të sezonit ishte turpëruar 2-5 nga Leicester City.

Qytetarët nuk mundën assesi të ndalnin shpejtësinë e veteranit Jamie Vardy dhe kundërsulmeve kryeneçe të ekipit të Brendan Rodgers që në fund ia doli të fitonte hiç më pak se FA Cup-ën.

Shpërndaje në: