75 vjetori i NATO’s, Biden para liderëve të vendeve anëtare përmendi ndërhyrjen në Ballkan për ndaljen e spastrimit etnik
Presidenti amerikan, Joe Biden iu drejtua udhëheqësve të vendeve të NATO-s gjatë një fjalimi në Washington, ku foli për unitetin e aleancës kundër agresionit rus në Ukrainë.
Biden, në 75 vjetorin e themelimit të kësaj organizate ushtarake, tha se NATO është aleanca më e madhe e më efektive në historinë e botës.
Jo shumë larg pasi nisi fjalën e tij, Biden përmendi intervenimin në Ballkan për ta ndalur spastrimin etnik, raporton Gazeta Express.
“Kur shpërtheu lufta në Ballkan, ne ndërhymë për ta rivendosur paqen dhe për ta ndalur spastrimin etnik”, tha Biden para Sekretarit të Përgjithshëm, liderëve të vendeve të NATO-s, ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes, përfaqësuesve nga vendet partnere e të Bashkimit Europian dhe anëtarëve të Kongresit në Samitin e NATO-s.
Biden tha se NATO evoluoi strategjitë për t’u përballur me kërcënime e duke e rritur efektivitetin.
“Sot, NATO është më e fuqishme se kurrë: 32 kombe të forta. Për vite, Finlanda dhe Suedia ishin ndër partnerët tanë më të ngushtë. Tani ata kanë zgjedhur të anëtarësohen zyrtarisht në NATO”, tha ndër tjerash presidenti amerikani.
Ai theksoi se “karakteri i NATO-s është thelbësisht demokratik, gjithmonë ka qenë dhe duhet të vazhdojë të jetë gjithmonë”.