Parti tygjarësh

Parti tygjarësh

Shkruan: Fatlum Sadiku 

Kalimi i fundit i Ramiz Kelmendit nën LDK, është epitomë pak a shumë e një devri që tashmë ka hyrë në dekadën e dytë të ekzistencës së vet tek ne: kuptimit të politikës si tregti(m)/biznes. Jo pse një gjë e tillë nuk nisi që paslufte, por që avazin më të madh e ka pak a shumë aty pas marsit 2004, kur në sjelljet apo me ni fjalë në kulturën politike të Kosovës, gradualisht u hetua se idealizimi i një populli të dalur nga lufta, të paemancipuar politikisht, dhe që klauzolat e Rambujesë e 1244-shit akoma e shihnin pjesë të RFJ-së (prej nga edhe shkaqet kryesore të shpërthimit), i lëshuan vendin kapitalizmit që sot na ka kapur fort e fort si një oktapod me tentakulat e veta.

Marsi i 2004-tës ishte disi nga ato grahmat e (para)fundit të fatit tonë posluftë: pamë edhe njeherë se pakgjë varej nga ne, gabuam me Kishat, dhe përgjithësisht vepruam si të hapërdarë e e të pafre. Pas kësaj akset e jetes rrodhën si një rrëke: u pa jo vetëm pamundësia e shtëpzimit të idealit të luftës si diçka prore e fisnike (këtë në mynyrë sizifiane e ka marrur përisipur ta bëj VV), por edhe që idealizmi pacifist  – e  që dukej se e kishim mbërthyer fort për beli –  në fakt s’kishte pas qenë tjetërgjë pos se një lidhje mitike e shqiptarit me liderin, njejtë si në devret e kaluara (me Titon, Enverin, Krajlin, Sulltanin, etj.). Këtë e dëshmoi pjesëmarrja aq masive në varrimin e Rugovës, e shoqëruar  përnjëherë nga Kuvendi i karrigeve në LDK, si dhe nga ardhja e befshme e PDK-së në pushtet. Durim i padurimtë do të thoshte Nancy.

Maksimum 1 vit prej  kur Thaçi do të kthehej nga Izraeli dhe do të shtypte butonin e gjelbërt të privatizimit, Kosova do të hynte në devrin që e jetojmë edhe sot: befje e qenies si pravitizim, koorporatizim dhe mediatizim. Prezenca e Kelmendit në një televizion privat teksa shpjegon “me tabela” idealin e tij për zhvillim ekonomik është pasqyra me e mire e kësaj që u tha: Ramizi tyxhar, televizioni privat, kurse shoqëria supozohet të ketë vetëdije politike.

Nga ajo kohë mbaj në mend mirë se si kalimi Enver Hoxhajt në PDK, u pati lexuar disi si një lloj ramizkelmendi case i kohës së vet.  Dallon vetëm pozicioni: Enver Hoxhaj nuk ishte tyxhar por një shkollar që madje pritej t’i sillte ndonjë mbarësi jo vetëm gjysmëanalfabetizmit të PDK-së por edhe UP-së . Dallimi i dytë krahasuar me sot ishte edhe reflektimi në shpresa: nga Enver Hoxhaj nuk mund të prisje të të marri në punë, së paku jo pa qenë ‘far daje i Grabovcit, apo pa pasur ndonjë diplomë formale, kurse Ramizi sot ndodh që të merr. Çoftë si pastrues WC-sh në ETC, qoftë si mbikëqyrës i parkingut i ETC-së.

Mjafton t’ia japësh votën, e që kësaj rradhe do të jetë vote shtesë për LDK-në. Pra derisa në rastin e parë partia politike si organizatë, së paku në dukje qëndronte për një nuance mbi tygjarllëkun,  sot ajo nuk qëndron më. Të paktën Hoxhaj nuk luajti nga PDK, kurse Kelmendi në sytë e mesatarit kosovar nuk dallon nga ndonjë futbollist që bën kalime nga ekipa në ekipë. LDK, por edhe partitë tjera sado që mund të krekosen me mitizimet e tyre idealiste, duhet ta pranojnë faktin se janë produkt i devrit të filmit “Goodbay Lenin”, dhe së këndejmi e (për)jetojnë kapitalizmin. E përjetimi i këtij të fundit si familje, klan e grup interesi,  përgjatë një dekade tashmë është vulë e parashikimit të Weberit.

Sa epistolar që na është devri apo jo? Një i nemitur që ndodh të ketë qenë tip prej idealisti, pavarësisht se i cilit atashim politik i ka takuar, sot ndodh që për ideal jetësor ta ketë mbajtjen në jetë pak më të dinjitetshme të vetes e të familjes duke  ruajur parkingjet e ETC-së, të dominuara nga produktet e Serbisë.

Shpërndaje në: