“50% gra në lista zgjedhore” – DnV me kërkesë ndaj partitë politike

“50% gra në lista zgjedhore”  – DnV me kërkesë ndaj partitë politike

Demokracia në Veprim i është drejtuar me një letër krerëve të subjekteve politike në vend duke iu kërkuar që lista e kandidatëve për deputetë të jetë e ndarë në mënyrë të barabartë për dy gjinitë.

DnV ka përmendur modelin Zebër- çdo i dyti kandidat të jetë i gjinisë tjetër.

“Përkundër që legjislacioni ynë aktual ka një prag të garantuar prej 30% për gjininë më pak të përfaqësuar në listat zgjedhore, kjo nuk do të duhej t’a kufizojë ambicien e subjekteve politike për të përfshirë sa më shumë gra, dhe për të tentuar krijimin e listave sipas modelit ZEBER. Ky model, me renditje të barabartë mes grave dhe burrave – ku çdo i dyti kandidat është i gjinisë tjetër – do të garantonte një përfaqësim më të drejtë gjinor dhe do të siguronte që gratë të kenë një mundësi më të madhe për t’u zgjedhur në Kuvendin e Kosovës.”DnV thotë se përzgjedhja e këtij modeli do të kontribuojë në promovimin e një demokracie më gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese.

“Modeli “zebër”, që ka filluar të gjejë zbatim edhe në shtetet e rajonit dhe më gjerë duhet parë si masë afirmative dhe praktike për të siguruar përfshirjen e grave, pa kompromentuar vlerën e votës së barabartë. Ky hap përpara do të kontribuojë në promovimin e një demokracie më gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese, duke ndikuar pozitivisht në kulturën politike të vendit tonë dhe në vetë demokratizimin e brendshëm të partive.”DnV shton se barazia gjinore nuk është thjesht një detyrim ligjor, por një përgjegjësi politike dhe morale.

“Barazia gjinore nuk është thjesht një detyrim ligjor, por një përgjegjësi politike dhe morale që ne të gjithë duhet të promovojmë për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Roli juaj është vendimtar në këtë periudhë, dhe angazhimi juaj do të jetë thelbësor në realizimin e këtij qëllimi. Ne besojmë se miratimi i listave zebra do të përmirësojë jo vetëm përfaqësimin e grave, por edhe besimin e qytetarëve në institucionet tona demokratike.”

Shpërndaje në: