50 fakte nga jeta e Dritëro Agollit
Një autor, veprat e të cilit e kaluan provën e ndërrimit të sistemeve. Pena e tij mbetet universale për çdo kohë dhe çdo sistem. Ndërsa në politikë, si deputet ishte njeri që u bëri nder i Parlamentit Shqiptar.
Nuk mbetet vetëm një shkrimtar i madh, por edhe një politikan i madh. Jo aq për funksionet që ka pasur në strukturat politike, sesa për peshën e fjalës së tij. Si për rrallëkënd, mendimet e Agollit bëjnë efekt në të dy kampet e politikës.
- Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931, në fshatin Menkulas të Devollit në qytetin e Korçës. Ai është sot 82 vjeç.
- Agolli 16 vite të jetës i ka kaluar në Fshatin Menkulas, katër vite në Gjirokastër kur ishte gjimnazist, katër vite në Shën Petërburg (atëherë Leningrad) të Bashkimit Sovjetik dhe prej 52 vitesh jeton në kryeqytet.
- Që nga mosha 25 vjeç jeton në Tiranë, në katin e tretë të një apartamenti në Rrugën e Dibrës. Deri në vitin 1991 ka qenë komshi me shkrimtarin tjetër të madh, Ismail Kadare, në pallatin e shkrimtarëve.
- Në moshën nëntëvjeçare përfshihet në Luftën Nacional Çlirimtare. Merr detyrën si korrier i çetave partizane. Një përvojë që Agolli e përmend shpesh në kujtimet e tij.
- U martua për të dytën herë në moshën 34-vjeçare me Sadijen, më katër tetor të vitit 1965, me të cilën ka dhe dy fëmijë, Artanin dhe Elonën. Me Sadijen u njoh në dasmën e Ismail Kadaresë me Helenën, në vitin 1963, në shtëpinë e Kadaresë. Agolli pyet pedagogun e Letërsisë, Naum Prifti, për vajzën që studionte për Letërsi në Universitetin e Tiranës.
- Për herë të parë u martua gjatë kohës që ishte me studime, me rusen Nina, në vitin 1956, kur ishte 25 vjeç. Martesa zgjati shtatë vite, derisa Shqipëria prishi marrëdhëniet me Rusinë. Nga martesa e parë Agolli ka një djalë, Arjanin.
- Ditëlindja e Dritëro Agollit përkon me rilindjen e një tjetër gjiganti të letrave shqipe. Më 13 tetor ka lindur Millosh Gjergj Nikolla. Në të njëjtën datë, 20 vite më pas, lindi dhe Dritëro Agolli.
- Rruga krijuese e Agollit nis në bankat e gjimnazit “Asim Zeneli” në Gjirokastër, ku boton në shtypin e kohës poezitë e para të ndikuara nga autorët e Rilindjes dhe folklori shqiptar.
- Veprën e parë Agolli e botoi në vitin 1958. Është vëllimi i parë me vjersha “Në rrugë dolla”, i cili u prit mirë nga kritika e kohës. Më pas, sprova e dytë letrare është përsëri me poezi, vëllimi “Hapat e mia në asfalt”.
- Pas përfundimit të gjimnazit në Gjirokastër, Agolli bëri kërkesë për të vazhduar shkollën e lartë për Zooteknikë. Siç thotë vet Agolli, edhe pse kishte botuar poezitë e para, mendonte se letërsia mund të zhvillohej vetë dhe duke ndjekur rrugë të tjera në jetë.
- Kërkesa për të ndjekur studimet për Veterinari i dërgohet ministrit të Arsimit, Karahman Yllit, i cili e kishte fiksuar emrin e poetit të ri. “Ky djalë ka botuar vjersha, ndaj nuk ka për të studiuar për Veterinari, por të shkojë me studime për Letërsi”, kanë qenë fjalët ministrit që i ndryshuan rrjedhën e jetës Agollit.
- Agolli kujton si momentet më të lumtura të jetës së tij studimet në Rusi, daljen e librit të parë në botim më 1958, martesën me Sadijen në 4 tetor 1963, si dhe botimin e veprave të tij në gjuhë të huaja.
- Momentet më të hidhura të jetës së tij Agolli i kujton me shkrimet që ka lexuar nga autorë të ndryshëm pas viteve 1990 në adresë të tij. Por hidhërimi ka qenë më i madh kur autorët janë miqtë e tij të dikurshëm apo njerëz që i ka ndihmuar në krijimtarinë letrare.
- Në Kongresin IV të Komitetit Qendror, Agolli kalon një nga momentet më kritike. I duhej të bënte autokritikë si kryetar i Lidhjes dhe të sqaronte arsyet se përse pinte dhe ndonjëherë fliste “pa menduar”. Një pozitë jo e këndshme kjo për shkrimtarin që njihej si një karakter rebel. 1
- Në Kongresin X të Partisë së Punës, Agolli bëri dhe kthesën më të madhe të karrierës së tij politike teksa u rreshtua në forcat progresiste. Një veprim që i kushtoi shumë në sytë e komunistëve që kërkonin të mbanin me fanatizëm sistemin. Dritëro Agolli ka marrë dhe kërcënime me vdekje pas vitit 1991. Ishte pikërisht fjalimi i Kongresit X të PP-së që solli mërinë e komunisteve ndaj shkrimtarit.
- Në vitin 1991, Agolli ka ndenjur i izoluar tre muaj në shtëpinë e tij në Rrugën e Dibrës, për arsye sigurie. Ministria e Brendshme vuri roje në pallatin e tij pas sinjalizimeve për ndonjë sulm të mundshëm nga huliganë.
- Dritëro Agolli ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve për 19 vjet. Ai u emërua në vitin 1973 dhe u tërhoq nga ky post më 31 janar 1992. Gjatë kohës së komunizmit Agolli ka mbajtur këto detyra, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe deputet në disa legjislatura.
- Dritëro Agolli ka qenë që në vitet e ‘90 anëtar i Partisë Socialiste, duke dhënë një kontribut të veçantë në reformimin e kësaj partie. Agolli ka qenë deputet i Partisë Socialiste që nga viti 1992 deri në vitin 2001. Ai ka qenë gjithashtu edhe anëtar i kryesisë së kësaj partie për vite më radhë.
- Agolli është zgjedhur deputet për 30 vjet me radhë edhe në kohën e diktaturës, edhe dhjetë vjet në kohën e tranzicionit. Në Parlament mbahet mend për urtësinë dhe fjalimet brilante në podiumin Kuvendit.
- Romani “Komisari Memo” është një nga librat e Agollit që është bërë film me titullin “I teti në bronz”. Ky film është shfaqur edhe në Kinë, ku është pritur mjaft mirë nga publiku kinez.
- Dritëro Agolli ka thyer edhe parimin se vetëm pas vdekjes bëhesh legjendë. Ai që tani është një legjendë e letrave shqiptare, në këtë mënyrë shkolla 9-vjeçare në fshatin e tij të lindjes, Menkulas, që tani mban emrin e tij.
- Dritëro Agolli ka shkruar edhe tekste këngësh, madje duke marrë edhe çmime. Një ndër çmimet ishte ai i vitit 1971, kur këngëtarja Alida Hisku, 14 vjeçe, në festivalin e 10-të merr çmimin e dytë me tekstin e Dritëro Agolli “E Paharruara”.
- Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, veç çmimeve të tjera, është vlerësuar edhe me titullin e lartë, “Nderi i Kombit”. Shkrimtari i njohur shqiptar, Dritëro Agolli, është shpallur “Qytetar Nderi” i Tiranës në vitin 2003.
- Dritëro Agolli është fitues i katër çmimeve të Republikës dhe i disa çmimeve vjetore në Letërsi. Dritëro Agolli është anëtar i Akademisë së Firences “Muzat” në Itali. Përveç qytetit të Tiranës, ai është “Qytetar Nderi” edhe i qyteteve të Korçës, Gjirokastrës etj.
- Nuk numërohen vlerësimet që i janë bërë legjendës së letrave shqipe. Ndër më të qëlluarit është vlerësimi i Fransua Nurisjes, i cili ka thënë se, “Agolli është Kafka, me pak më shumë diell”. Ndërsa Alen Boske shkruan për të se, “Shqipëria na zbulon një autor me përmasa të mëdha… Dhe dinamiti mbulohet me petale. Një autor që meriton famë evropiane”.
- Dritëro Agolli e Ismail Kadare kanë qenë të përfshirë në Fjalorin Enciklopedik që në vitin 1985. Por ata ishin një përjashtim i jashtëzakonshëm në vitin e hershëm 1985! Pasi të përfshiheshe në Fjalorin Enciklopedik, në ato vite duhej të mos ishe më në jetë.
- Dritëro Agolli cilësohet si një nga shkrimtarët më të mirë të të gjitha kohërave në letërsinë shqipe. Jo vetëm në antologjinë shqiptare, por ai tashmë është i përfshirë në antologjitë e disa vendeve të botës.
- Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi më të përveçme, me më shumë individualitet. Është i pari që krijoi poezinë e “un-it”, përkundër poezisë së “ne-ve”, që shkruhej në atë kohë “për të bashkuar masat”.
- Gjatë gjithë karrierës së tij artistike, Dritëro Agolli ka lëvruar këto gjini të letërsisë: poezinë, poemën, tregimet, novelat, romanin, dramën, skenar filmi, reportazhin, kritikën, analizën dhe raportin e lajmit.
- Agolli filloi të shkruajë vjershat e para i frymëzuar nga Naimi dhe Çajupi, vjersha të cilat u botuan në 1947 në gazetën “Rinia”. Për poezinë e parë të botuar ai shprehet: “Im atë e kish prerë pjesën e gazetës ku ishte botuar poezia, e kish vënë në kutinë e duhanit dhe mburrej në fshat: Ja ky është poeti im”.
- Libri “Shkëlqimi dhe Rënia e Shokut Zylo” është vepra që veç famës i solli dhe jo pak andralla autorit. Një vit pas daljes së tij, Mehmet Shehu i thotë Agollit se, “me atë libër na ke shkatërruar administratën”.
- Dritëro Agolli nuk mban numër personal celulari. Ai vazhdon të përdorë numër fiks. Ndërkohë në disa raste flet me numrin celular që mban bashkëshortja e tij, Sadija. 3
- Dritëro Agolli është i pari që ka futur në fjalorin e përditshëm të shqipes fjalën pijetar, duke e zëvendësuar fjalën pijanec. Të ishe pijetar, do të thoshte të ishe një njeri që ta doje pijen, por të mos bezdisje të tjerët.
- Agolli apo Kadare? Për më shumë se 50 vjet, fansat janë ndarë më dysh. Porse, siç thotë vetë Agolli, asnjëri nuk mund të ndahet dot nga tjetri. Sipas tij, nuk duhet të ketë më pyetje kush është më i madh e kush më i vogël, kush ka qenë më i përkrahur e më pak i përkrahur.
- Miqësia e dy korifenjve të letërsisë shqipe, Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare, zë fill në gjimnazin e Gjirokastrës në vitet 1950. Agolli ishte dy vite shkollore më i madh se Kadare, por bashkë bënin pjesë në rrethin letrar të shkollës, ku dhe i recitonin vjershat njëri-tjetrit.
- Agolli së bashku me Kadarenë janë dy krijuesit që e ngritën letërsinë në nivelin e asaj ndërkombëtare. I përkasin brezit të shkrimtarëve të viteve 1960, që shpëtuan letërsinë nga dogmatizmi i realizmit socialist.
- Dritëro Agolli është ndër të pakët krijues dhe njerëz të artit që e ka të qetë ndërgjegjen me të kaluarën e tij. Është i vetmi që pas kaq v pas rënies së komunizmit, e pranon se ka qenë komunist dhe ka punuar për komunizmin.
- Karakteristika më e veçantë e Dritëro Agollit është thjeshtësia me të cilën komunikon, ulja në tavolinë, biseda e thjeshtë dhe mikpritja në shtëpi. Dhoma e ndenjes së tij është kthyer shpesh në dhomë bisedash mes miqsh, dashamirës, gazetarësh, por edhe njerëz të thjeshtë që kanë dashur vetëm ta takojnë.
- Dritëro Agolli ka marrë cilësime të tilla nga politikanë, analistë dhe gazetarë: Patriarku i PS-së, mendimtari i të majtës, shkrimtari politikan.
- Agollit nga censura komuniste i janë ndaluar tre libra. I pari ka qenë “Zhurma e erërave të dikurshme”, në vitet 1960, drama “Mosha e bardhë” në vitet 1980 dhe një seri tregimesh në revistën “Nëntori”. Dy të fundit janë ndaluar gjatë kohës që ishte kryetar i Lidhjes.
- Shumë romane të Dritëro Agollit janë përkthyer në gjuhë të huaja. Por romani e tij satirik, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” është libri më i përkthyer i tij. Ky roman bëri jehonë të madhe në vendet ku u botua, si në Francë, Gjermani, Itali, Greqi, Rusi e vende të tjera.
- Në një intervistë të dhënë për median shqiptare, Agolli ka thënë që nga librat që ai nuk do t’i harrojë kurrë janë “Zhurma e erërave të dikurshme”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” dhe librat me poezi “Pelegrini i vonuar”, “Në mesditë”, “Udhëtoj i menduar”, etj.
- Nga romanet e Agollit janë bërë një sërë filmash artistikë. Ndër filmat më të mirë janë “I teti në bronz” (romani “Komisari Memo”), “Njeriu i mirë”, “Apasionata”, “Njeriu me top”. 44. Shkrimtari i shquar, Dritëro Agolli, veç poezive, romaneve, tregimeve, ka shkruar edhe skenarë filmash. Filmi i parë për të cilin ai përgatiti një skenar dhe nuk shndërroi një krijim letrar në skenar ishte “Horizonte të hapura”.
- Agolli u cilësua si novator i poezisë shqiptare në gërshetimin që i ka bërë folklorit me poezinë moderne, duke sjellë perla lirike të gjithës shqipe. Ndërkohë risi jo pak të rëndësishme Agolli solli dhe në metrikën e vargut.
- Poezitë më të njohura të Dritëro Agollit janë, “Kur të jesh mërzitur shumë”, “Kur një mëngjes”, “Ëndërr e prerë”, të cilat dihen përmendësh nga shumë vetë. Ndërsa poemat më të vlerësuar janë “Poemë për babanë dhe për vete” dhe “Devoll-Devoll”.
- Agolli në poezitë e tij është ndikuar dhe nga poetët rusë si Lermontov, Esenini, Pushkini etj. Kjo pas studimeve që bëri në Shën Petërburg, ku mori dhe bazat e letërsisë bashkëkohore.
- Për herë të parë Dritëro Agolli është takuar me Sali Berishën kur ky i fundit ishte ende fëmijë. Agolli kishte bujtur në kullën e të atit të Berishës në Viçidol të Tropojës, si shok i vëllait të Berishës. Ndërkohë më vonë koha i takoi përsëri në formacione të ndryshme politike.
- Dritëro Agolli është i njohur dhe si përkthyes. Ka përkthyer nga anglishtja poezitë e poetit Robert Bërns dhe nga frëngjishtja poezitë e poetit Pol Elyear, i cili ka dhe disa poezi për Shqipërinë.
- Ndërsa veprën më të madhe në përkthim Agolli e ka nga rusishtja. Botimi voluminoz, “Shekulli i artë”, është një nga më të arrirët artistikisht. Agolli ka përkthyer poetët më në zë të shekullit të 19-të në Rusi, si Pushkin, Ahmatova, Bllok, Lermontov dhe shumë të tjerë. /Marrë nga “Tirana Observer”/