5-vjetori i pranimit në UEFA, Pacolli: Futbollin ta shfrytëzojmë për forcimin e shtetit
Ish presidenti i Kosovës dhe njëheri kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka uruar Kombëtaren e Kosovës në 5 vjetorin e pranimit në UEFA
Plot 5 vite më parë, në kongresin e 40-të të UEFA-s, Kosova u pranua si anëtare e komunitetit më të madh të futbollit në Europë, e cila që atëherë ka bërë përfaqësim dinjitoz në garat ku ka marrë pjesë dhe ishte shumë pranë edhe një bilete për në Euro 2020, shkruan Periskopi.
“Urimet u takojnë pishtarëve që mbajtën gjallë futbollin, përkundër vështirësive”, shkruan Pacolli.
Ai ka komentuar edhe për investimet infrastrukturore, ku shprehet se lënë shumëçka për t’u dëshiruar.
“5 vjet pas pranimit, kur kthejmë kokën prapa, shikojmë investimet infrastrukturore, që lënë shumëçka për t’u dëshiruar.
Gjendja aktuale, nuk është ajo që e dëshironte gjithsecili që është në rrethin e këtij sporti magjik.
Megjithatë, magjia e futbollit vazhdon të shkëlqejë, duke pritur që shpejtë të dalë nga improvizimet dhe planifikimet sot për sot.
Duhet të fillojmë të mendojmë secili, për t’ia dhënë meritat futbollit e sportit në përgjithësi, për kontributin dhe promovimin e madh që ia kanë bërë Republikës sonë”, theksoi më tutje Pacolli.
Krejt në fund, Pacolli shpreson që shoqëria dhe bizneset të bëjnë më shumë për futbollin e sportin, duke e shfrytëzuar si vegëz të rëndësishme edhe për interesa nacionale dhe forcim të shtetësisë së vendit tonë.
Postimi i plotë i Pacollit:
5 vjet në UEFA
5 vjet nga sublimimi i sakrificës së shumë brezave…
Ëndrrës së shumë talentëve, që u shuan pa e shijuar, duke qenë të getoizuar dhe të privuar nga e drejta për garë të barabartë me të tjerët.
5 vjet kur UEFA përmirësoi një padrejtësi që i bëhej sportit më popullor në Kosovë dhe investimeve të shumta nga njerëz të vullnetit të mirë.
Urimet u takojnë pishtarëve që mbajtën gjallë futbollin, përkundër vështirësive.
5 vjet pas pranimit, kur kthejmë kokën prapa, shikojmë investimet infrastrukturore, që lënë shumëçka për t’u dëshiruar.
Gjendja aktuale, nuk është ajo që e dëshironte gjithsecili që është në rrethin e këtij sporti magjik.
Megjithatë, magjia e futbollit vazhdon të shkëlqejë, duke pritur që shpejtë të dalë nga improvizimet dhe planifikimet sot për sot.
Duhet të fillojmë të mendojmë secili, për t’ia dhënë meritat futbollit e sportit në përgjithësi, për kontributin dhe promovimin e madh që ia kanë bërë Republikës sonë.
Para sportit, u gjunjëzuan edhe kundështarët më të mëdhenjë të shtetësisë së Kosovës, edhe shtetet të cilave simbolet dhe himni i “Dardanëve”, iu imponuan me sukseset e arritura
5 vjet pas pranimit në UEFA, uroj të gjithë komunitetin e futbollit, për këtë përvjetor, me dëshirën që hapa të tjerë akoma më gjigantë të bëjmë në 5 vitet e ardhshme.
Shoqëria e bizneset duhet të bëjnë më shumë për futbollin e sportin, duke e shfrytëzuar si vegëz të rëndësishme edhe për interesa nacionale dhe forcim të shtetësisë së vendit tonë. /Periskopi/