5 gabimet më të mëdha që shqiptarët bëjnë në të shkruar

5 gabimet më të mëdha që shqiptarët bëjnë në të shkruar

Për të mësuar se sa mirë e dinë shqiptarët gjuhën shqipe, mjafton të lexosh komentet në rrjetet sociale.

JOQ ka bërë një vëzhgim prej disa ditësh, duke marrë shënime për gabimet më të mëdha të lexuesve tanë. Ne tashmë po shkojmë në 2 milionë fansa në faqen tonë në Facebook, kështu që po guxojmë me të drejtë ta bazojmë përfundimin tonë vetëm te komentet tuaja. Fatkeqësisht, me shkollë të lartë apo pa shkollë të lartë, shqiptarët nuk e dinë mirë shqipen. Se mos do të thotë gjë kjo, një herë! Madje, mëkati më i madh i popullit tonë është se në rrjetet sociale, për shembull, kujdesemi të shkruajmë pa gabime në anglisht apo ndonjë gjuhë tjetër, kurse shqipen e degjenerojmë me çdo mënyrë. Gjithsesi, për ju kemi pesë paralajmërime, që të mos i përsërisni gabimet më të pafalshme.

1. Foljet në kohën e kryer të thjeshtë. “(Unë) mësoj” dhe “(ai/ajo) mësoj” janë dy gjëra krejt të ndryshme.

E para është një folje në kohën e tashme, veta e parë, njëjës. Tregon se çfarë po bëj unë. E dyta është gabim. Njerëzit duan të thonë “ai mësoi”, “ai shkoi”, “ai jetoi”, pra diçka që është kryer. Këtu ndryshimi është i dukshëm, apo jo? Pra, kur doni të thoni që dikush bëri një punë, zhdukeni shkronjën “j”! Duhet “unë mësova, ti mësove, ai mësoi”. Dhe, meqë jemi te foljet, mosshkruani “kur do ta japi lmin?”, por “kur do ta japë lmin?”.

2. Disa fjalë as që i dimë si shkruhen.

“Gjithshka”, “gjelozia”, “e mbrekullueshme”, “die” apo “qerek” janë me të vërtet gabime trashanike në shkrim. Fjalët e sakta janë “gjithçka”, “xhelozia”, “e mrekullueshme”, “dje” dhe “çerek”. Po ta vini re, problemet janë edhe në jug, edhe në veri. Problemi i veriorëve është se nuk e dallojnë shkronjën “ç” nga shkronja “q”, apo shkronjën “xh” nga shkronja “gj”. Problemi i jugorëve është se zakonisht i shkruajnë fjalët siç i dëgjojnë, edhe pse e dinë se në gjuhën letrare janë ndryshe.

3. Trajtat e shkurtra.

Kjo po që do shpjegim! Njerëz, na vjen keq t’ju themi, por te kjo pikë kemi frikë se kurrë nuk ju ka shkuar nëpër mend se gaboni. Kur shkruani “ia thashë atyre”, ndaluni dhe mendohuni mirë: duhet “ua thashë atyre”. Kujt? Atyre u (thashë). Kë? Atë e (thashë). Kështu, u+e=ua. Nëse shkruani “i thashë atyre”, prapë jeni gabim. Duhet “u thashë atyre”. Në këtë rast nuk ka një kundrinor (kë?), që merret parasysh, kështu që mjafton trajta e shkurtër “u”.

4. Shkronja “ë”.

Nuk e dimë tamam pse dreqin ndodh kjo, por “ë”-ja është një armike e popullit. Ka nga ata që shkruajnë “kemi bër”, “dashurin” dhe “prindrit”, siç ka edhe nga ata që shkruajnë “kamë punuar”, “djalë punëtorë” dhe “mjaftë”. Jo! Fjalët duhen “kemi bërë”, “dashurinë”, “prindërit”, “kam punuar”, “djalë punëtor” dhe “mjaft”. Për këtë ndoshta duhet t’i hidhni një sy fjalorit dhe të ksoni format e sakta, sepse askujt nuk i falet të mos e dijë se në njëjës shkruhet “punëtor” dhe në shumës “punëtorë”. Sikur keni lindur në Tajlandë dhe sapo erdhët me avion!

5. Gafat që të acarojnë, se s’kanë kuptim fare.

Në këtë paragraf po përfshijmë rastet, kur as vetë ai që shkruan nuk e di se si i shpëtoi gabimi. Për shembull, “me vërte” është gabim. Duhet “me të vërtet” (pa “ë” në fund, se mos suleni për të na korrigjuar, edhe pse jeni të mirëpritur, sepse njerëz jemi). “Ç’farë?” është gjithashtu e pasaktë. Ç’lidhje ka fara me pyetjen “çfarë”? Ah, po, nëse pyesni “çfarë fare keni në shtëpi?”, që kthehet ndryshe në “ç’farë keni në shtëpi?”, dakord. Po pyesni për farën. Dhe, për ta mbyllur, ju theksojmë se dita e javës dhe muajt nuk shkruhen me të madhe. Pse dreqin shkruani “E Premte” apo “23 Shkurt”?! Në vend të “e premte” apo “23 shkurt”.

Gjithsesi mundoheni të mos i përsërisni më këto gabime.

Shpërndaje në: