4 vite burgim dhe 800 euro gjobë ndaj të akuzuarit se ia kishte marrë armën polices

4 vite burgim dhe 800 euro gjobë ndaj të akuzuarit se ia kishte marrë armën polices

Vojsllav Zdrakoviq është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik prej 4 vite burgim dhe 800 euro gjobë pasi akuzohet se ia kishte marrë armën zyrtares policore në nëntor 2016, në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Për grabitje, ai është dënuar me 4 vite burgim dhe 500 euro gjobë, ndërsa për armëmbajtje pa leje me 300 euro.

Aktgjykimi është shpallur në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi, Alban Ajvazi.

Zdrakoviq është obliguar të paguajë edhe paushallin gjyqësor në shumë prej100 euro dhe 50 euro për dondin e viktimave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sa u përket veprave penale “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “shitje e armëve” është refuzuar akuza pasi edhe prokurori i shtetit është tërhequr nga këto vepra penale.

Pala e pakënaqur është udhëzuar në kontest civil.

Në fjalën përfundimtare, më 28 maj, Prokuroria ka kërkuar dënimin e të akuzuarit se ia kishte marrë armën zyrtares Policore. Ndërsa, mbrojtja kishte kërkuar lirimin e Zdravkoviqit.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 4 mars të 2019-tës, i pandehuri Vojisllav Zdravkoviq me datë 25 nëntor të 2016-ës rreth orës 16:25, në lagjen Dardania, duke përdorur forcë e ka përvetësuar pasurinë e huaj të luajtshme duke iu afruar nga mbrapa tani të dëmtuarës Valdete Idrizi, police e Kosovës, duke e goditur disa herë me shuplaka dhe me përdorim të forcës, nga brezi ia ka marrë armën zyrtare “Glock”, me këllëf, karikator dhe 15 fishekë të kësaj arme. Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Grabitje” nga neni 329 paragrafi 1 të KPRK-së.

Pastaj, sipas aktakuzës, i pandehuri me armën që e kishte grabitur nga e dëmtuara, është larguar tre hapa nga ajo, ia ka drejtuar armën në drejtim të të dëmtuarës duke e kanosur seriozisht se do ta përdor armën “Glock”. Kështu, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” nga neni 410 paragrafi i 2-të të KPRK-së

Kurse gjatë muajit nëntor-dhjetor të 2016 në Prishtinë, i pandehuri Vojisllav Zdravkoviq, duke shkelur ligjin e zbatueshëm në lidhje me armët apo materiet plasëse, armën e grabitur “Glock” ia shet personit të quajtur Gani në vlerë prej një mijë euro. Me këtë, ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve” nga neni 372 paragrafi 1 të KPRK-së.

Gjithashtu me datë 7 janar të 2017-tës, në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë-Kosovë, me rastin e arrestimit nga ana e Policisë së Kosovës, i pandehuri Zdravkovic në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla ka pasur në posedim armën “boks i hekrit”, Edhe për këtë rast akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 pargrafi 1 të KPRK-së.

Shpërndaje në: