4 mite si: ‘A është depresioni ngjitës?’ marrin përgjigje!
Nëse për arsye të caktuara, keni kërkuar në Google për shëndetin mendor, do të kuptoni se ka shumë informacione konfuzuese apo qëndrime të ndryshme nga njëra-tjetra.
Nëse keni disa pyetje, për të cilat ndiheni pa përgjigje, vazhdoni të lexoni.
Më poshtë, gjenden disa mite të zakonshme të shëndetit mendor, që duhet të zhduken sa më parë!
#1 – Nëse askush s’po e vë re se jeni në depresion, atëherë duhet të jeni mirë: E GABUAR!
Disa njerëz janë thjesht në gjendje ta maskojnë atë më mirë se të tjerët. Nëse ju vazhdoni të merrni 10-a, të ruani një prezencë sociale, apo të silleni sikur çdo gjë po shkon mirë, kjo nuk do të thotë se nuk jeni në depresion. Është mënyra se si ndiheni në brendësi, që ka më shumë rëndësi.
#2 – Të braktisësh një mik në depresion është në rregull: E VËRTETË DHE E GABUAR!
Ju duhet të kujdeseni për veten tuaj, kështu që nëse një miqësi po ndikon në shëndetin tuaj mendor, atëherë mund t’ju duhet të tërhiqeni, por kjo nuk do të thotë që ju të largoheni plotësisht. Mund të bëni një hap të përkohshëm prapa për të rivendosur gjendjen tuaj shpirtërore.
Një pjesë e miqësisë është të jesh aty, kur dikush po kalon kohë të vështira, por mos e mbani këtë përgjegjësi të vetëm. Edhe një terapist i kërkon këshilla dikujt!
#3 – Bullizmi është arsyeja kryesore pse adoleshentët kryejnë vetëvrasje: E GABUAR!
Nuk është thuajse asnjëherë rasti që një vetëvrasje të jetë rezultat i një gjëje të vetme dhe shumica e njerëzve që ngacmohen/bullizohen, nuk e vrasin veten.
Sidoqoftë, mund të ndodhë që një ngacmim i rëndë të jetë i fundit, pas një serie gjërash të këqija, duke e çuar dikë të mendojë apo edhe të kryejë vetëvrasje.
Megjithatë, nuk ka dyshim që të qenit shënjestra e bullizuesve dëmton shëndetin mendor, prandaj nëse jeni ndjerë të bullizuar, mos vuani në vetmi. Gjeni dikë me të cilin mund të flisni, kërkoni ndihmë dhe mos kini turp të pranoni ndihmë. Gjithashtu, nëse shihni se dikush po ngacmohet, flisni!
#4 – Depresioni dhe vetëvrasja janë ngjitëse: E VËRTETË, PAK A SHUMË!
Ekspertët bien dakord që ndjenjat janë, në një farë mase, ngjitëse. Pra, nëse kaloni kohë me dikë që është në depresion, kjo mund t’ju bëjë të ndiheni të dëshpëruar. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se dhe ju do të “merrni” depresion klinik, siç mund të merrnit një grip a një virozë ngjitëse.