37 milionë euro dëme, ngritet aktakuzë e re ndaj Nagip Krasniqit
Nagip Krasniqi do të përballet me akuza të reja për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Prokuroria Speciale ka ngritur sot aktakuzë ndaj kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), për një rast të ri të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Akuza e re e ngritur ndërlidhet me kontratat e negociuara të nënshkruara nga ai gjatë periudhës kur Krasniqi ushtronte pozitën e kryeshefit të KEK-ut.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, në rastin e njohur “KEK” kundër të pandehurve N.K.,Y.D.,I.Z.”, thuhet në komunikatë.
Të pandehurit akuzohen se gjatë periudhës kohore 2021 – 2023, me veprimet e tyre të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, rreth 37 milion Euro duke kryer veprat penale: Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar, Zbulimi i fshehtësisë zyrtare dhe Ndihmë në Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në komunikatë.
Hetimet për këtë rast kanë nisur në janar të vitit 2023 dhe janë finalizuar me aktakuzë pas gati dy vitesh.