350 euro nuk ia ‘lë shenjë’ sektorit privat – Sindikata e kërkon 500 euro pagën minimale, thotë se vendimi i Qeverisë është parazgjedhor
Qeveria e Kosovës sot mori vendim që ta rrisë pagën miniamale në 350 euro për punëtorët e të gjitha moshave. Kjo rritje u bë vetëm disa ditë pasi hyri në fuqi Ligji për pagën minimale, i cili parashihte një rritje të pagës minimale në 264 euro bruto për të gjithë të punësuarit në sektorin publik e privat.
Këtë nuk e ka mirëpritur Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat (SPSP).
Në një pronnocim për Periskopin, Jusuf Azemi ka thënë se nën 500 euro nuk e shohin të mirëqenë pagën minimale, e sidomos pas rritjeve të çmimeve në muajt e fundit.
Ai madje tha se këtë vendim të Qeverisë e shohin më tepër si parazgjedhor.
“Ne kemi thënë që edhe për 10 cent me ndryshu dicka, ne e çmojmë, mirëpo derisa tek ne pagë minimale nën 500 euro e sidomos gjatë këtyre gjashtë muajve nën këtë shumë, nuk mund ta konsiderojmë pagë të mirëqenë, dhe kjo pagë më tepër i përngjan vendimeve parazgjedhore, e cila nuk besoj që do të ketë efekt, besoj që do ta ketë efektin si ashtu paga e 264 eurove, e cila ende nuk ka filluar të zbatohet, nuk do të implementohet dhe kjo po bëhet vetëm sa për të thënë se po bëjnë diçka”, u shpreh ai për Periskopin.
Për këtë vendim të Qeverisë, ka reaguar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai e ka quajtur “poshtërim” pagën minimale prej 350 eurove që të mërkurën u vendos nga Qeveria.
Sipas tij, Qeveria Kurti këtë vendim e ka marrë “në kuadër të një fushate për zgjedhje”, duke shtuar se ajo gjithmonë në prag të zgjedhjeve del me mashtrime.
“Paga minimale qysh sot duhet të jetë 450 euro, e që në ditën e parë të qeverisë së re, më së paku 500 euro, natyrisht duke shënuar rritje të përvitshme, në bazë të rritjes ekonomike e inflacionit dhe në këtë pagë minimale duhet të përfshihen të gjitha kategoritë e pensioneve. Vendet e rajonit, qysh moti e kanë kaluar pragun e pagës minimale prej 500 eurosh, ndërsa ky kryeministër, jo vetëm që është vonuar me rritje pagash për katër vjet, por edhe sot pagën minimale e konsideron ndihmë sociale”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa, Koordinatori për Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka thënë se kjo rritje nuk do ta ndryshojë jetën e qytetarëve për shkak të çmimeve të rritura.
“Ky lajm do të kishte zënë më tepër vend para katër viteve kur e kanë filluar mandatin, por tani në këto kushte të çmimeve të rritura, nuk dihet kujt do t’ia ndryshoj jetën ky vendim”, ka shkruar ai në Facebook.
Paga e re minimale do t’i prekë rreth 150.000 të punësuar, të cilët punojnë me paga më të ulëta se 350 euro, kryesisht në sektorin privat, sipas Kurtit dhe ministrit të Financave të Kosovës, Hekuran Murati.
Vendimi për rritjen e pagës minimale do të hyjë në fuqi më 1 tetor./Periskopi