35 vite burgim për katër të akuzuarit në rigjykimin për rastin e dhunimit të 11-vjeçares
E.R., është dënuar me 14 vite dhe tre të tjerët G.R, G.J. dhe Xh.S. me nga 7 vite burgim nën akuzën se kanë dhunuar 11-vjeçaren. Për Sh.K është veçuar procedura.
Këto dënime janë shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë pasi lënda ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.
“Betimi për Drejtësi” ka raportuar se Gjykata e Apelit e ishte kthyer në rigjykim dhe rivendosje çështjen penale të dhunimit ndaj 11-vjeçares, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë më 24 shkurt 2023, i kishte dënuar me 40 vite burgim (së bashku), katër të akuzuarit E.R., Xh.S., G.R., dhe G.J., ndërsa Sh.K., ishte liruar nga akuza.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur, pas zhvillimit të hetimeve dhe zgjerimit të tyre, mbledhjes dhe analizimit të provave, më 8 dhjetor 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj pesë personave: E.R. dhe Sh.K., (madhor), si dhe ndaj tre të miturve: G.R., G.J., Xh.S, të akuzuar për përfshirje në rastin i cili ka ndodhur në muajin gusht të vitit 2022, ndaj 11-vjeçares.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri E.R., për veprat penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 paragrafi 2 lidhu me paragrafin 1 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri Sh.K., ngarkohet për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhej në njoftim.
Po ashtu, thuhej se njëri prej të miturve ngarkohet për veprat penale “Dhunimi”, nga neni 227, paragrafi 8 lidhur me paragrafin 7 dhe paragrafin 4 të KPRK-së, “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”, nga neni 232 par. 1 të KPRK-së.
“Ndërkaq, dy të miturit e tjerë ngarkohen për veprat penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 8 lidhur me paragrafin 7 dhe paragrafin 4 të KPRK-së, si dhe për veprën penale “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”, nga neni 232 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së”, thuhej tutje,
Kurse, më 21 dhjetor 2022, Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte ngritur aktakuzë ndaj tetë personave të moshës madhore: B.Rr., D.Rr., G.S., B.S., M.S., F.S., M.R., dhe E.S., të akuzuar për përfshirje në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, në muajin qershor 2022.