35 (pa)rëndësitë e një fitoreje

35 (pa)rëndësitë e një fitoreje

1.
Nuk ka rëndësi  edhe nëse nonstop thuhet se interesi është vetëm në largimin e PDK-së. Kjo sepse prioritizimi veçse i marrjes së pushtetit i kushtëzuar me taktizim bashkimesh me parti tjera, majore a minore pa dominim parimesh, pamundëson ndryshimin e mendësisë. Jemi popull që nënshtrohemi vullnetarisht dhe me pak yshtje. Prandaj në emancipim e në ndrrim paradigme nuk duhen dëgjuar teket-fërfllaza të popullit e është mirë që as të elektoratit. Edhe ashtu pak dorë kemi  pasur në dizajnimin e shtetit, në hartimin e Kushtetutës, në themelimin e Gjykatës Kushtetuese, në ndarjen e pushteteve, në sistemin zgjedhor. Krejt këo duhen pyetësuar e rishqyrtuar.

2.
Nuk ka rëndësi a bëhet kryeministër tash, apo pas 1-2 viteve. E rëndësishme është se do të bëhet nga populli që po bëhet dhe për popullin që po bëhet.

3.
Nuk ka rëndësi çfarë t’ëmës thonë Ambasadat. Ato janë vetëm ambasada, jo qenia jonë.

4.
Nuk ka rëndësi pse dikush i sheh jopragmatistë. Pragmatizmi alla shqiptarçe është vazhdimësi e mendësisë së vorbullës në të qenit i njejtë, orgjisë me kazma njëri-tjetrit e më së shumti ndaj të pafuqishmit; mashtrimeve e pazarllëqeve ku të gjithë e luajnë një lojë të vetme: atë të papërgjegjësisë.

5.
Nuk ka rëndësi pse duken më shumë si ideologë se si politikanë. Fundja ku na çoi sorta që negocionte me duar në xhepa në Bruksel?

6.
Nuk ka rëndësi nëse dikush thotë se kanë rrënjë të njejtë me PDK-në – LPK-në. Pse mos LDK-ja në vend të ish LKJ-së na e paska origjinën nga kristiandemokratët e Gjermanisë?

7.
Nuk ka rëndësi se gjenerata e re mund të mos i dalloj nga të tjerët teksa thirren në luftë. Lufta ka qenë e domosdoshme, fatkeqësisht edhe me azemsyla. UÇK-ja si ide, do të rrojë porsi ajo e orëve të para, pavarësisht se si i shkoi organizimi apo se kush e nisi. Është krejt e thjeshtë. Edhe Stalini në adoleshencë e rini nuk ishte ai që u bë më vonë.  Gjenerata e re, pra ajo që sivjet votoi për herë të parë,  le të mendojë vetëm njëherë pse veriu për ta në fakt është si “wonderland-i” për Alicen. Ose le ta shkruajnë në google njëherë të vetme“Kosovo 1981-1999”, meqë historia s’nisë me ta apo jo?

8.
Nuk ka rëndësi pse dikush i sheh si gogolë nacionalist. Nuk kanë impuls shovenist, nuk janë militarë dhe hakmarrës. Nuk kanë vrarë komunitarë natën, për t’i qarë ditën me Janjiqin, Kushnerin e Nuredin Ibishin që vazhdonin ta ndanin pushtetin e paranë, kur këta dergjeshin burgjeve, jo si hakmarrës e më vonë si servilë, por si afirmues të kërkesës për liri e si parimorë.

9.
Nuk ka rëndësi a i sheh dikush nacionalistë të vonuar. Ky vend ka parë shqiptarë me emra domethënës e kumbes kombëtarisht, por fatkeqësisht spiunj.

10.
Nuk ka rëndësi pse dikujt i pengon pyetësimi që i bëjnë flamurit/himnit. Nuk na pyeti kush për ta. E ngandonjëherë kur s’pyetemi për shijen dhe dëshirën nuk na pëleqejnë as këmishat a maicat që marrim si dhurata e lërë më diçka aq reprezentuese si flamuri t’ia nënshtrosh patronizimit nga jashtë.

11.
Nuk ka rëndësi pse duken si larushi shtrasash, statusesh sociale a identitesh. Thua se partitë tjera qëndruakan më mirë. Këta të paktën kapërcejnë familjen, klanin, provincën.

12.
Nuk ka rëndësi a do të mund ta bashkojnë Mitrovicën. Nuk kanë gisht në ndarjen e saj, dhe në forcimin e ndarjes së saj. Mjafton ta bindin veriorin e shkretë të mos votoj PDK për një shujtë ditore diku në një gjelltore të jugut.

13.
Nuk ka rëndësi pse për një kohë ishin me AAK-në e NISMA-n për një kauzë shtetërore, gjithnjë duke mos i thyer parimet. Edhe Hitleri e Stalini njëherë e një kohë u ulën bashkë ne Brets-Litovsk e më pas – ky i fundit – me Rusveltin në Jaltë; Edhe Jasser Arafati u ul me krejt kryeministrat vrasës izraelitë; edhe Izetbegoviqi e Rugova u ulën me Millosheviqin; edhe Hasan Prishtina e Noli patën periudha paqeje e mirëkuptimi me Ahmet Zogun teksa ky i fundit shkëmbehej me Hitler, Mussolin e Franko; edhe Isa Boletini takoi shefin e Crna Ruka-s; edhe Gjergj Fishta kishte medalje nga sulltani; edhe Enver Hoxha u shkollua me burse të Zogut; e me gjasë edhe opozita siriane do të ulet me katilin bashkëkohor – Assadin. Të paktën ai bashkim s’vrau kënd, por ndaloi diçka si Demarkacioni e shpërbimi i Beogradit me ndarje të brendshme të territorit tonë.

14.
Nuk ka rëndësi si shihet marksizmi i tyre kur e ke pasur Isa Mustafën kryeministër, Azem Vllasin analist, Mehmet Locin të ftuar për të komentuar siguri e Surrojin që deri më 1989 shante “Hide Parkun” e Londrës si ambient borgjez , “publicist të njohur” librash sezonal-neurotik. Dhe aq më pak kur kritika ndaj kapitalizmit ka lindur, është zhvilluar dhe gjallon tek vetë ata që i dhanë botës si kapitalizmin si marksizmin: europianët.

15.
Nuk ka rëndësi gjoja fiaskoja e Kosovës së paqenë europiane. Kosova, shqiptarët, serbët, kroatët, grekët, bullgarët, Ballkani, historikisht kurrë s’kanë qenë dhe as sjanë europianë, pos kontinentalisht diku në bisht. E me “Europë” nënkuptoj Europën e dalë nga Revolucioni Shkencor, Iluminizmi, Revolucioni Francez dhe në një masë nga protestantizmi. Nënkuptoj, Gjermaninë, Francën, një pjesë të Italisë, Vendet e Beneluksit, Britaninë dhe një pjesë të Skandinavisë. Asnjë grime më shumë.

16..
Nuk ka rëndësi pse nuk i’a kënaqin dikujt prirjet hormonale në të sharit e islamizmit e ekstremizmit. Nuk e shohin asnjërën fe si tumor shoqëror; nuk identifikojnë fe të tëra me grupacione e sekte; kanë afiluar me ta në vota, dhe nuk i kanë yshtur për në Siri, për tua bërë pastaj vetë gjyqet.

17.
Nuk ka rëndësi pse dikush mund të quditet nga përmendja e Turqisë si njëri nga aleatët kryesorë. Këta e dallojnë  shtetin turk nga pushteti turk dhe nga LIMAK-ÇELIKU, për dallim nga sorta e deritanishme.

*                                                                    *                                                             *
1.
Ka rëndësi: të mos tundohen nga pushteti, të mos i shkelin parimet për asnjë çmim përreth ndonjë formule që ua zbeh idealin, parimet, dhe qëllimet.

2.
Ka rëndësi: ta rimendojnë vendin;  ta  bëjnë këtë vend të jetueshëm me ekonomi të rimëkëmbur, gjyqësi të rinisur, arsim të rimenduar,  shëndetësi të dinjitetshme për njeriun, shërbime publike në shërbim të qytetarit.

3.
Ka rëndësi kontrolli mbi nacionalizmin – topitja dhe eleminimi i prirjeve shovene sapo të vërehen.

4..
Ka rëndësi: moskontradiksioni frapant në diskursin historik. Nuk mund edhe ta citosh Mitrush Kutelin edhe të mos distancohesh nga Enver Hoxha, respektivisht të mos marrësh qëndrim strikt edhe për periudha të caktuara historike. Mitrush Kutelin kanë tentuar ta varrosin për së gjalli partizanët; Pastaj, nuk mund të kërcesh nga Hasan Prishtina tek Adem Demaçi, nga 68-ta, e 81-ta  tek Ukshin Hoti duke kapërcyer pa shpjegim e qëndrim vitet 20-50, 70-80. Nëse thua se nuk ka politikë pa histori duhet ta mos kesh relacion selektiv me historinë. Shqiptarët kanë parë edhe Xhemijet që i ka afirmuar shqiptarët si myslimanë, edhe Parti Fashiste Shqiptare; edhe Tivar e Fadil Hoxhë. Kjo ngase relacioni me historinë është relacion me vetë  kulturën politike.

5.
Ka rëndësi të institojnë në variante lustracioni. Nuk mund të jemi krejt të fajshëm ose krejt të pafajshëm nga e kaluara e 25-70 vjeçarit. E as vetëm të ndarë në dysh: komandantë e ikanikë.

6.
Ka rëndësi: të agjitojnë e punojnë në modernizimin e shoqërisë, pa prirje komisare e drakonike që thërret në përparim të projektuar vetëm kokat e disa vetave dhe që injoron totalisht traditën, por në ndryshim dhe zhvillim me sa më pak hendikepe të jetë e mundur e turmës  që pritet të kthehet shoqëri. Gjendja postmoderne dhe pasivizmi konsumerist edhe ashtu janë vetëvetiu të befshëm dhe të reflekueshëm në secilën pore të jetës si pasojë e kapitalizmit të egër. Nuk kalohet nga formacioni me bazë akoma familjen, klanin e provincën në internacionalizëm. Së pari duhet ngjizur kombi, i bazuar jo në prirje përjashtuese etnike, por në vullnet.

7.
Ka rëndësi: ta abolojnë zajednicën; ta këpusin shtrirjen e ndikimit të Beogradit mbi Listën Serbe; ta forcojnë precedentin e demarkacioneve të drejtë, edhe kur të kryhet ai me Serbinë

8.
Ka rëndësi: afrimi shumëdimensional me Shqipërinë pa prirje autoprovincialiste dhe duke respektuar kontekstin edhe në Kosovë edhe Shqipëri.

9.
Ka rëndësi të pranohet se nuk mund të ketë riindustrializim klasik të vendit. Edhe pse është e pamundur por edhe pse s’është gjë e mirë.

10.
Ka rëndësi pikëpamja ekologjike sado modernist që je. Nuk do të duhej të kishte vetëm Kosovë pa PDK, por edhe Kosovë pa mendësi gurthyesish që natyrës i qasen pa asnjë kriter; një Kosovë që shtretërit e lumenjëve nuk i ofrojnë kutërbime e epidemi.

11.
Ka rëndësi se si e mendojnë relacionin e kombit me fenë që s’duhet të jetë as mbi e as nën të, por krahas saj, në një epokë postsekulare.

12.
Ka rëndësi t’i hapin shtigjet e çlirimit të gruas. Në kuptimin e emancipimit të saj për ta ndrruar gjendjen në të cilën gjendjet.

13.
Ka rëndësi të shqyrtohet botëkuptimi mbi artin dhe krijimtarinë. Edhe Noli edhe Godard edhe edhe filmi për Roza Luksemburgun dhe të tjerë filma  që s’dalin nga katër muret e selive të VV-së janë larg të qenit pranë me artin dhe përgjithësisht krijimtarinë edhe ashtu të vagët që kemi. Nuk mund të pretendosh se po çan rrugët në art, pa përfaqësuar artistikisht asgjë nga nativja apo vetëm me grafite, si dhe duke qenë jashtë loje e i hutuar përballë një “KUKUMI”, Jericho-je a TROJE.

14.
Ka rëndësi të luftohen prirjet elitiste. Nuk mund edhe të konsiderosh se je vazhdimësi e një lëvizjeje që ka lindur kundër Jugosllavisë dhe të pasosh diçka që ka etabluar vetë jugosllavizmi: centralizmin e gjithçkaje në kryqytet dhe permes njeriut kryqytetes, e që mendon se ska jetë leximi jashtë kryqytetit.

15.
Ka rëndësi të mbahet një qëndrim i relaksuar negociues ndaj iniciativave të reja për rishqyrtimin e Standardit Gjuhësor të vitit 1972.

16.
Ka rëndësi politika e ndjekur ndjekur ndaj personave me nevoja të veçanta. Optimalizim urgjent mjediseve që u’a lehtëson jetën.

17.
Ka rëndësi mosinjorimi i sportit. Sporti ka lindur aty ku lindi filozofia e ku u mendua polisi.

18.
Ka rëndësi çlirimi e jo kalkulimi. Vetë rëndësia ngërthen interes. Kurse para rëndësisë vije vlera e njeriut. E vlera s’shkon me interes por me dinjitet. Njeriu në qenësinë e tij parake s’është i rëndësishëm, por i vlefshëm. Tek më pas raportin e tij me rëndësinë e diktojnë interesat. Ka zgjedhës që para rëndësisë e interesave kanë të ndërtuar raport me vlerën dhe dinjitetin.

Shpërndaje në: