30 raste të zjarreve në javë, kërkohet të ngriten kapacitetet e zjarrfikësve
Janë mjetet me të cilat nisen për të intervenuar e kohëve të fundit, intervenimet i kanë pasur më të shpeshta sesa zakonisht.
Kjo pasi në këtë kohë të vitit, rastet e shuarjeve të zjarreve kanë qenë më të zakonshme
E pavarësisht mungesës së stafit, Brigada e Zjarrfikësve po e menaxhon situatën.
“Vetëm këtë javën e fundit që lamë pas kemi pas diku rreth 30 intervenime. Ende nuk është në nivelin sesi verave të kaluara por po apelojmë përsëri tek qytetarët që kur thahet bari, dushku, me pas përpjekje mund të shkaktohet zjarri i cili më pas po merr përmasa të mëdha. Edhe pse po kemi raste të temperaturave të mëdha, s’do të thotë që ato po e shkaktojnë zjarrin. Duhet të kemi kujdes”, ka deklaruar Mal Gashi, Komandant i Brigadës së Zjarrfikësve.
Si shkak i mungesës së kapaciteteve, shpeshherë në punë po u duhet të dalin edhe jashtë orarit.
Kjo po vlerësohet shqetësuese nga ekspert të menaxhimit të emergjencave të cilët thonë se ngritja e kapaciteteve njerëzore e teknike, do duhej trajtuar me prioritet.
“Kapaciteti i burimeve njerëzore te zjarrfikësit është mjaft i vogël, shto kësaj faktin edhe te pajisjet që nuk janë të nivelit që duhet të jenë. Kjo e bën edhe me të vështirë intervenimin kur kemi zjarre. Gjithsesi se duhet të investohet, të rritet numri i zjarrfikësve në mbarë territorin e Kosovës. Numri është i vogël në komuna, përjashtimisht Prishtinën që ndoshta pak më mirë qëndrojnë por kapacitet duhet të rriten”, ka theksuar Tahir Ahmeti, ekspert për menaxhim të emergjencav.
Televizioni ka provuar të kontaktojë me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme lidhur me mundësitë për të ngritur kapacitetet, por nga të njëjtit nuk ka pranuar përgjigje.
Në kuadër të kapaciteteve, nga Kryetari Përparim Rama ishte premtuar edhe së paku themelimi i 10 njësive vullnetare, por që deri tani, nuk ka përfunduar. Televizioni ka pyetur edhe Policinë e Kosovës për numrin e rasteve të zjarrvënieve por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.