30 qershori ose 7 korriku – Këto janë lëvizjet në Kuvend që vendi mund shkojë në zgjedhje të parakohshme
Mbrëmë janë takuar kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi.
Gjatë këtij takimi mes Kurtit e Krasniqit u fol edhe rreth shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.
Krasniqi pas takimit tha se Kuvendi duhet të shpërbëhet brenda muajit maj.
“Unë mendoj që është e domosdoshme që të ndodh brenda muajit maj, sepse jashtë muajit maj nuk ka më kuptim. Në momentin që kalojmë pastaj në fazat e mëvonshme nuk mendoj që duhet. Ka kuptim zgjedhjet e parakohshme në një periudhë 7-8 muaj para zgjedhjeve të rregullta. Tre muaj, katër muaj, para zgjedhjeve të rregullta, s’ka asnjë kuptim”, tha ai para mediave pas takimit.
Burime të Periskopit bëjnë me dije se propozimi i partisë më të madhe opozitare, PDK ka qenë që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në fund të qershorit ose në fillim të korrikut.
“Si PDK kemi dhënë dy opsione, 30 qershorin ose më së largu 7 korrikun”, ka thënë një burim i Periskopit në PDK.
Në rast se gjithçka shkon sipas propozimit të PDK, atëherë javën e ardhshme mund të ketë lëvizje konkrete në Kuvendin e Kosovës.
“Mund të ketë disa seanca javën e ardhshme të Kuvendit, një seancë mund të jetë për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe pas këtyre mund të ketë një seancë të jashtëzakonshme për shpërndarjen e Kuvendit”, ka thënë ky burim.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti njëherit kryetar i partisë në pushtet LVV, ka insistuar se do të zhvillojë takime edhe me dy partitë tjera opozitare, LDK e AAK, në mënyrë që të marrë ‘aminin’ e tyre për datën e zgjedhjeve.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës që drejtohet nga Lumir Abdixhiku kanë thënë se janë të gatshëm për zgjedhje kurdo që vendoset për mbajtjen e tyre.
LDK i përgjigjet Kurtit e Krasniqit, Haziri: Nëse ka vullnet Kurti, shkojmë sonte në zgjedhje
Pëderisa në AAK që drejtohet nga Ramush Haradinaj kanë insistuar në opsionin e tyre se njëherë duhet të ketë dorëheqje të kryeminsitrit Kurti më pas shpërndarje të Kuvendit.
Afati kohor pas shpërbërjes së Kuvendit në rastin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme është 45 ditë. /Periskopi/