3 kartona të kuq dhe 4 gola në spektaklin e Superkupës: Llapi mposht Prishtinën dhe feston në ‘Fadil Vokrri’

3 kartona të kuq dhe 4 gola në spektaklin e Superkupës: Llapi mposht Prishtinën dhe feston në ‘Fadil Vokrri’

Llapi ka fituar trofeun e Superkupës së Kosovës, duke mposhtur me përmbysje skuadrën e Prishtinës.

Skuadra e Tahir Batatinës ka shënuar fitore me rezultatin 1:3, ndonëse ishin në disavantazh deri në minutën e 85’ të takimit, shkruan Periskopi.

Në 45 minutat e para nuk kishte gola, por kjo pjesë u shënjua me kartonin e kuq të mesfushorit të Prishtinës, Endrit Krasniqi, që në minutën 27’ la skuadrën e tij me një lojtar më pak.

Goli i parë në ndeshje vinte tek në minutën e 66’ nga Otto John, kur Prishtina ndonëse me një lojtar më pak, shfrytëzoi një gabim të Llapit.

Epërsia e Prishtinës nuk u ruajt dot, pasi Festim Alidema shënoi nga penalltia në minutën e 86’. Më pas, Llapi mbeti pa Ramadanin, duke bërë që në vazhdime të shkohet me rezultatin 1:1 dhe me nga 10-të lojtarë, shkruan Periskopi.

Në minutën e 101’ të vazhdimeve, Valmir Veliu shfrytëzoi një pozicionim të dobët të Besnik Krasniqit për t’i dhënë Llapit epërsinë e parë në këtë takim.

Pak minuta më vonë (114’), një ndërhyrje e gabuar e Betim Halimit në zonën e tij i dha një penallti Llapit, si dhe largoi portierin me karton të kuq. Nga pika e bardhë e penalltisë u tregua i saktë Alidema, i cili shënoi golin e tretë për Llapin dhe të dytin personal, duke vulosur kështu përmbysjen efikase të Llapit ndaj Prishtinës.

Llapi tashmë do të ketë në sirtarin e skuadrës trofeun e parë të Superkupës së Kosovës. /Periskopi/

Shpërndaje në: