MKRS ia thotë FFK-së “shkurt e shqip” – Nuk keni respektuar Statutin dhe keni shkelur Ligjin për Sport
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka vlerësuar se Federata e Futbollit e Kosovës nuk ka respektuar Statutin e saj dhe ka shkelur Ligjin për Sport duke caktuar 6 prillin si datë të zgjedhjeve për kryetar.
Në një letër të ushtruesit të detyrës së sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së, Bislim Bislimit që ia ka dërguar të martën pasdite FFK-së shkruan se këto shkelje i ka konstatuar Departamenti Ligjor i MKRS-së.
“Ministria e Sportit, nisur nga debatet e fundit, me qëllimin e vetëm që të konstatojë përtej debateve bazën e argumenteve, ka kërkuar një interpretim ligjor të argumentuar nga Departamenti Ligjor i MKRS-së i cili, në përputhje me mandatin e tij ligjor është përgjegjës për të dhënë opinione dhe rekomandime ligjore nga fusha e përgjegjësisë administrative e ministrisë përkatëse. Sipas këtij opinioni/interpretimi të Departamentit Ligjor të Ministrisë së Sportit, me veprimet e fundit për dhe rreth thirrjes së Kuvendit të Federatës së Futbollit, nuk është respektuar Statuti i Federatës dhe po ashtu janë konstatuar veprime në shkelje të dispozitave të Ligjit për Sport. Duke dashur të kemi një vlerësim parimor dhe argumentues për këtë çështje, Ministria e Sportit, përmes kësaj shkrese, kërkon nga organet drejtuese ekzekutive të Federatës që të na ofrojë nj informacion të detajuar përkitazi me veprimet procedurale të thirrjes së Kuvendit si dhe të ofrohen vlerësimet përkatëse në lidhje me çështjet vendimtare në këtë rast, nëse me mënyrën e aplikuar të thirrjes së Kuvendit të FFK-së, ka ndodhur shkelje e Statutit apo jo”, thuhet ndër të tjera në letrën e dërguar nga zyra e sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së.
Kopjen që MKRS-ja ia ka dërguar FFK-së, e ka siguruar KOHA nga burime të afërta me FFK-në.