27 vjeçar ndihmoje 18 vjeçarin ta ruaj 9 vjeçaren
Ti mbushe 27 vite. Mban në mend paraluftën, luftën dhe pasluftën. Unë, të kapa së pari ty, sepse ty të drejtohem më shlirë. Dëgjo këtu, sigurisht se nuk kam nevojë të ta kujtoj se prej kohësh ke nisur të mos e mbash në mend më vetëm adoleshencën, por 20 vitet e lëna pas. Të është krijuar dhe po të krijohet vazhdimisht një ndjenjë e trishtë melankolie: rëndesa e kohës/kujtimeve të kanë rënë përmbi si dy thasë në shpinë. E lagjja ku ti banon, qyteti ku ti jeton, vendi ku ti pandeh se gjallon, Universiteti ku ti studion, familja jote, punëdhënësi yt (potencial) nuk po ndryshojnë. Gjërat nuk po lëvizin. Nuk ka progres, përkundrazi ka regres. Vitet po t’i vjedhin. Mua dhe ty. Lulen e rinisë, pra më të shtrenjtën kohë: gjysmëkohën 20-30. Zaten as sot e nënte vite më parë, nuk ke qenë më i lumturi i dynjasë. Mund të kesh ndjerë një satifaksion ndaj dhunuesit, dhe mbase edhe një dromcë shprese, kaq. Nuk ke faj. Nuk ka pasur vend për më shumë as ateherë e aq më pak sot.
A e ke vërejtur i dashur 27’sh, se si ndërtesat e zymta të Jugosllavisë dhe shtëpiat alla shqiptarçe me blloka e ‘t’shtime nër kulm’, janë zëvëndësuar dhe po zëvendësohen nga qendrat tregtare e nga ndërtesat kolektive të komandantëve? Se si spitaleve publike po u bien kulmet meqë sigurisht se arkitekti ka qenë biznismen, punëtorët nevojtarë, kurse shtëpiaku i spitalit është punësuar në ndonjë ordinancë private ku pacienti rjepet nga mjekët? E ti? Ti je i papunë dhe xhepbosh. Nuk ke shumë shpresë dhe as që çon peshë muhabeti në e ke mbaruar Masterin, apo në je si krejt shokët e shoqet – ‘n’temë’. Po nuk e ndjeke trion: provincë, lidhje familjare, militim propushtet, je kot. Mund vetëm ta mësosh se, ‘forca e bën fuqinë o Adriatik’. Nëse punon, ke shef të keq. Patronizues. Të konsideron posedim, mjet dhe përdorim të përkohshëm. Jo njeri me dinjitet, qëllim dhe pjesë ekipi. E di si quhet e tërë kjo? Kapitalizëm. Kapitalizëm i egër me agjentët e tij banditesk në terren. Politik, ekonomik, social, e kulturor.
Pavetedijshëm ke nisur të mos ua varësh veshin relativizimeve të kohës së okupimit, madje nuk ta zë goja t’i kundërshtosh zërat e tillë. Edhe kur e glorofikojnë Jugosllavinë, madje edhe kur e zënë n’asgjë vetë Millosheviqin. E frikshme, por harroje. Të paktën për Millosheviqin dhe apatikun e Velanisë, nuk mund të të lajthisin sepse i ke të (për)jetuar vetë në lëkurë. Unë dhe ti kemi prindër e familjarë të paemancipuar politikisht dhe ata në të kaluarën janë mjaftuar me një gjysmësiguri në vend të lirisë. Me disa rroga e vende pune të qëndrueshme para çlirimit. Prandaj në relacion me ta, vazhdo me injorimin që ua bën, se mirë bën: mos ua vë veshin.. Është vonë t’i ndrrosh. Lëri në lajthitje e huti, e nëse vërejnë emancipimin tënd, ndihmoji të bëhen qytetarë e aktivistë. Sidoqë të jetë mjafton ta ndrrosh veten. Harroji për një moment makiaton, adhurimin e veturave bastoren, futbollin e fitnesin, edhe nis’ ndriçohu, çliroje veten. Guxo të veprosh. Policia nuk janë “tanët”. Janë anonimati i dhunës shtetërore, dhe i një aparature të padrejtë. Mos më shti të shkruaj këtu edhe për gjykatat…
Dëgjo, të kam parë se po të ndërrohet çehrja kur tash e sa kohë nuk po i njeh fëmijet e mëhalles. Nuk po e di të kujt janë. E sheh sa shpejt kaluaka koha? Ata po rriten para syve ty, mbase me më shumë fat se ti, mbase si ti, e mbase edhe më keq se ti. E kur rrita e tyre qenka aq larg teje, duke qenë krejt pranë teje, paramendoje sa larg teje është pushteti dhunues? Do të jetë edhe më larg për sa kohë të mos veprosh. S’do të luaj gjë nga vendi për kohë sa vetëm flet. E di se fëmijët i shikon me mall, por momentalisht të paktën ke diçka të ngjashme me ta: je (akoma) i lirë e i pafuqishëm. Lëri le të luajnë ata edhe disa vjet, e ti të paktën shfletoje pak historinë. Ktheju, edhe nëse nuk studion, madhe edhe nëse s’ke të regjistruar fare fakultet. Nëntë vite janë tepër shumë për apati, agoni e regres. Nënte vite: Dy luftëra botërore. Përndryshe diku-diku tre brezave kërmijsh. Prandaj, ndriçohu, çlirohu e eduko.
***
Ti mbushe 18 vite. Ti nuk i mban në mend paraluftën dhe luftën. Kjo mbase është më mirë, e mbase më keq. Nejse, ti kujton një pjesë të pasluftës. Unë me ty mund të flas vetëm për fëmijërinë e adoleshencën. Por mbi të gjitha mund të ta bëj edhe një favor: të ta shpjegoj pse jeton në huti. Një vërejtje që në fillim: nëse në orën e Letersisë, të kanë thënë se Dante shkroi ‘Komedinë Hyjnore’ të kanë keqinformuar. Dante nuk shkroi vepër me mbiemër të tillë, dhe as që mbiemrin e tillë i’a shtoi Bokaçio më vonë. I’a shtoi Lodovico Dolci më 1555 në editimin e parë të veprës. Dante shkroi vetëm ‘Komedia’-n, atë që sapo ke nisur ta jetosh ti. Pra Dante shkroi komedi pa plotësues qielloren, si për të na e rikujtuar se komedia është tokësore, ajo ndodhet këtu, tani dhe me ne, e jo diku larg, në ndonjë tjetër dimension tjetër kohe, apo e paarrirë nga ne.
Dëgjo 18’sh edukimi dhe arsimimi yt janë komedi. Dhe jo vetëm në këtë nëntëvjeçar por kaherë. Ti je brenda saj, por për moshën që ke, mund të them se je në Purgator a Limbus. Por jo përjetë, meqë duhet të lëvizësh dhe do të lëvizësh. Të edukohesh me E të madhe. Të vetëedukohesh. Heroi im gjimnazist, ti je heroi potencial, jo pesëdhjetëmijë veteranët. Këtë numër lirisht pjestoje me katër. Ky vend ska parë kurrë Ushtri Çlirimtare në aso shifrash. Pra po t’rrejnë. Ka parë falë Zotit, një ide të çlirimit meqë jetonim më keq se qençe, dhe ideja në fjalë duhet të mbijetoj prore. Duhet ta ruash e ta kultivosh. Por ka parë edhe një organizim lufte, të cilin më mirë që se ke jetuar. Falë këtyre që përvetësojnë edhe masakrat, natyrisht. Për rrjedhojë, hutia është ajo që të shtyn kah vehabizmi, bjerravajtja, atashimi veçse epshor, e së këndejmi kah depolitizimi total dhe jetesa në jorealitet. Ti për më tej s’di as për fe, as për seks, as për rëndësinë e kohës. Ti nuk do të duhej të ishte rob i një vendimi që merr në klasën e 12’të mbi orientimin tënd (profesional).
Pra 18’sh më duhet të të zhgenjëj: nëse më tërë elanin e zellin je lutur që kur të mbërrish datën për regjistrim në UP kjo e fundit të jetë në derexhe diçka më të mirë harroje. Jo vetëm pse UP-ja është e kapur nga bandat, po pse “ndreqja” nuk fillon me studentin por me nxënësin. Pra jo në fakultet, por në Shkollën e Mesme. Më lejo të ta kujtoj: në Francë më shumë çmohet École normale supérieure (shkollë e mesme) se sa Universiteti i Sorbonës.
Për fund, 18’sh je i deprivuar nëse vrapon pas shoqatash të huaja që duan operand amglofonë. Anglishtja xhanëm është gjuhë, sot domosdo e detyrueshme, por jo e shenjtë, dhe jo nivel intelegjence. Mendo njëherë, a nuk të tingëllon paksa përçudnuese kur dëgjon togfjalëshin, “përgaditja e të rinjëve për tregun e punës”? Çësht njeriu? Zarzavate? Botëkuptimin humanist dhe dinjitoz ndaj njeriut, do e mbjellësh në të mesmen dhe me lexim të përzgjedhur. Prandaj kujdes. Mos i’a pamundëso shokut tënd të madh ndihmën dhe mos rreziko ardhmërinë e 9 vjeçares.
***
Ti mbushe 9 vite. Dole diku nga eteri i një lejimi e procedimi të koordinuar e të mbikëqyrur. Jo siç të deshëm dhe të ëndërruam, prej nga edhe na bëre të dyshojmë në je e jona. Ta kumtuam se jem tu’të, por ti po zgjedh anonimatin. Mos të harroj: Ke një adashe që lindi diku në një maternitet në po të njejtën ditë me ty. Mban emrin tënd. Falë Zotit asaj nuk i’u desh as inkubatori, e as nuk i mungon asnjë nga gjymtyrët. Është shëndosh e mirë, pos që kam frikën se vitin e ardhshëm do të sakatoset nga mësimi i gjymtë i Historisë dhe Edukatës Qytetare, e për rrjedhojë do të mund të rritet si ti: pa histori e pa qytetari. Ti nuk u bëre e as nuk po bëhesh dot as materializimi trupor i asaj foshnje në maternitet, e aq më pak mishërimi shpërtëror i të rënëve për ty. Je e gjymtë meqë je edhe e kapur. Je e negociuar me ata që s’deshën të lindje, për edhe ato pak gjymtyrë që ke, paçka je edhe e dërrmuar. Je e padrejtë dhe na molisë meqë nuk na lejohet të të rekuperojmë. Që nga dita e parë ishe në inkubator dhe vështirë se do të dalësh nga aty, pa edukimin, gadishmërinë, prijetarinë dhe sakrificën e pararojave më lart.