24-vjeçarja u gjet e vdekur në banesë në Tiranë, Policia shpall në kërkim bashkëshortin

Policia e Tiranës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e vrasjes së 24-vjeçares, të gjetur pa shenja jete në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka” në Tiranë.
E reja palestineze Ryyan Alwan u gjet me plagë të shumta të shkaktuara me mjet prerës, që dyshohet të kenë qenë shkak për humbjen e jetës.
Sektori për Krimet e Rënda në DVP Tiranë ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes së 24-vjeçares, shtetasin Fadi Alwan, 49 vjeç që rezulton bashkëshorti i saj.
Ryyan Alwan 24 vjeçe, së bashku me bashkëshortin e saj, shtetasin Fadi Alwan 49 vjeç, kishin marrë me qira apartamentin ku ndodhi ngjarja.
Nga të dhënat e deritanishme hetimore, dyshohet se autori i ngjarjes është larguar menjëherë jashtë territorit të Shqipërisë, pas kryerjes së krimit, i cili dyshohet të ketë ndodhur disa ditë më parë.
Grupi hetimor po vijon punën për përcaktimin e saktë të kohës së ngjarjes, nëpërmjet ekspertizës mjekoligjore dhe analizimit të provave të sekuestruara.