2020, vit i brishtë: Si lindi kalendari me 366 ditë?
Çdo katër vite, kalendari nuk përmban 365 ditë, por 366. Një vit i tillë, ku shkurti është me 29 ditë, quhet vit i brishtë. Mendohet se ky term vjen nga romakët e lashtë. Ata mendonin se viti i brishtë pasohej me epidemi dhe sëmundje. Por, është thjesht një mendim i pabazuar.
Çfarë ndodh nëse nuk e shtojmë një ditë çdo katër vite?
Toka rrotullohet rreth diellit për 365 ditë dhe gjashtë orë, që do të thotë se ka një ditë ekstra çdo katër vjet. Nëse nuk e shtojmë një ditë tepër, atëherë shekuj më pas, njerëzit mund të bëjnë pazar për Krishtlindje në qershor.
Ky ndryshim në kalendar erdhi në Romë dhe më pas në botën perëndimore nga egjiptianët, të cilët së bashku me fiset Maya dhe babilonasit, ishin ndër të parët që përcaktuan me saktësi rrotullimin e Tokës rreth Diellit.
Në të vërtetë, 6 orët “tepër” çdo vit janë në fakt 5 orë, 48 minuta dhe 46 sekonda. Prandaj papa Gregori XIII, i bindur se festat po festoheshin gabim, propozoi në vitin 1582 kalendarin e tij, i cili nuk shton një ditë tepër te vitet që përpjestohen me 100, por jo me 400. Pra, viti 2000 ishte një vit i brishtë, por 1700, 1800 dhe 1900 jo. As 2100 nuk do të jetë. Kalendari Gregorian është kalendari më i përhapur sot në botë.
Viti i brishtë njihet si “leap year” ose “viti i kalimit”, sepse sposton me dy ditë datat e shënuara. Për shembull, në 2018-n, Krishtlindja qëlloi në ditën e martë, këtë vit të mërkurën, ndërsa në 2020-n do të jetë në ditën e premte, ndërkohë që nëse nuk do të ishte viti i brishtë, do të ishte të enjten.
Sa janë mundësitë për të lindur më 29 shkurt? Sipas studimeve, mundësitë për të lindur më 29 shkurt janë 1 në 1461. Të lindurit në këtë datë zakonisht e festojnë ditëlindjen më 1 mars, sepse askush nuk do dhurata vetëm çdo katër vjet.
Burimi: National Geographic