Trepça’89 dhe FC Ferizaj në Superligë vitin e ardhshëm – Flasin për Periskopin trajnerët Shpëtim Idrizi dhe Arbnor Morina
Trepça’89 po rikthehet në Superligën e Kosovës në futboll e bashkë me të edhe skuadra e Ferizajt që nga viti i ardhshëm do të kemi konkurrencën më të fortë
89’shi ka arritur që të grumbullojë 57 pikë në 26 ndeshje të zhvilluara në grupin A të Ligës së Parë, ku 14 pikë është larg nga vendi i dytë dhe zyrtarisht fiton të drejtën e promovimit në Superligë, shkruan Periskopi.
Situatë e njëjtë është edhe me klubin e Ferizaj, të cilët rikthehen në Superligë.
Skuadra e Ferizajt ndodhet në vendin e parë në grupin B’, ku ka grumbulluar 59 pikë dhe është 13 pikë larg vendit të dytë.
Periskopi ka kontaktuar me dy trajnerët e skuadrave që vitin e ardhshëm promovohen në Superligë.
Me Shpetim Idrizin e Trepçës’89 dhe Arbnor Morinën e klubit FC Ferizajt.
Idrizi tha se janë gati për Superligë dhe se synimi i tyre vitin e ardhshëm është të japin maksimumin dhe të jenë në top-katërshen e skuadrave që luftojnë për titull.
“Po, zakonisht Trepça’89 synim e ka titullin dhe Kupën e Kosovës ku gjithmonë ka qenë prioritet i yni. Por tani me daljen e 4 ekipeve në Evropë mendoj që të jemi në katërshen e madhe e të synojmë Evropën”, tha fillimisht ai.
Idrizi foli edhe për forcimin e skuadrës së Trepçës në afatin aklimtar, ku tha se do të bëjnë disa ndryshime.
“Mendoj që me ekipin të cilin e kemi na duhen 3 ose 4 përforcime që ta kompletojmë në përgjithësi ekipin”, vazhdoi trajneri.
Trajneri për fund tha se Trepça’89 gjithmonë ka qenë skuadër e befasive dhe do ta bëjnë këtë në Superligë.
“Unë mendoj që Trepça’89 ka bërë gjithmonë befasi dhe me aktivizimin e lojtarëve të rinj në ekipin e parë mendoj që edhe këtë vit do të ketë risi në këtë drejtim”, tha Idirizi për Periskopi.
Ne kemi kontaktuar edhe me trajnerin e FC Ferizaj, Arbnor Morinën i cili ka shkruar historinë me klubin e tij, duke inkuadruar Ferizajn në Superligë.
Morina fillimisht tha se synimi i tyre është të jenë stabil dhe të shikojnë hap pas hapi, pa nguti.
“Synimi i ynë si klub është të jemi ekip stabil në Superligë dhe pastaj të shkojmë me hapa të tjerë”, tha fillimisht tekniku kosovar.
Trajneri tha se do të ketë investime në klub, pasi konkurrenca është më e shtuar.
“Afrime duhet të ketë si në secilin klub tjetër sepse nevoitet konkurrencë më e shtuar”, tregoi Morina.
Kujtojmë se FC Ballkani i Suharekës është shpallur kampion i Superligës këtë vit./Periskopi/