Topi i golit të Maradonës pritet të shitet 3.5 milionë euro

Topi i golit të Maradonës pritet të shitet 3.5 milionë euro

Topi me të cilin u shënua goli më kontrovers në futboll, i njohur ndryshe edhe goli i “Dorës së Zotit”, realizuar nga Diego Armando Maradona, pritet të shitet rreth 3.5 milionë euro.

Sfera e lëkurës, të cilën futbollisti më i famshëm në botë i kohës, e dërgoi në rrjetën e Peter Shilton, më 22 qershor 1986 u hodh në ankand nga Ali Bin Nasser, gjyqtari kryesor i takimit Argjentinë – Angli.

Kjo ndeshje ishte e vlefshme për çerekfinalet e kupës së botës të mbajtur në Meksikë.

Topi të cilin Bin Nasser e mori me vete në shtëpi pas lojës, është i firmës Adidas dhe aktualisht është në formë disi gjysmë të fryrë.

Goli që u shënua më të, i pari në ndeshje, është më i urryeri në Angli dhe mediet këtu vazhdojnë ta quajnë si gabimin më të madh në histori të futbollit.

Sidoqoftë, gjyqtari Nasser ka thënë se ai nuk e parë që Maradona luajti me dorë.

“Sa i përket golit të parë të Maradonës unë nuk pata mundësi ta shoh qartë pasi isha i kthyer me shpinë kah dy lojtarët, Shilton dhe Maradona”, ka thënë ai. “Unë shikova kah gjyqtari anësor për konfirmimin e vlefshmërisë së golit – ai po vraponte te vija e mesit të fushës, duke më dhënë indikacion se nuk ka asnjë dyshim se goli duhet të vlejë”.

Gjyqtari nga Tunizia, i cili e ka pranuar se ishte befasuar kur FIFA i kishte bërë ftesë të ndajë drejtësi me Mondialin “Mexico ’86” ka thënë që arsyeja pse ai dëshiron ta shesë topin më ikonik është se “është pjesë e historisë ndërkombëtare të futbollit”.

“Kam ndjesinë se tashti është koha që ky top të ‘shijohet’ nga e gjithë bota”, ka deklaruar Nasser.

Vetë lojtari argjentinas pati thënë se e ka shënuar këtë gol “pak me ndihmën e kokës së tij e pak me ndihmën e dorës së Zotit”. Kjo është arsyeja pse goli i parë i çerekfinales Angli-Argjentinë e mban emrin “Goli i Dorës së Zotit”.

Në fakt, gjithçka pati ndodhur shpejt, sa një hapje-mbyllje qerpiku. Maradona turpëroi gjyqtarët duke e maskuar mashtrimin me një festim bindës.

“U thashë shokëve të ekipit ‘ejani shpejt dhe me përqafoni, përndryshe gjyqtarët do ta anulojnë golin”, ka treguar argjentinasi.

Por, “Goli i Dorës së Zotit” nuk ishte magjia e vetme e tij në këtë ndeshje. Një tjetër që do ta shënojë më pas, fitoi epitetin e “Golit të Shekulli XX”.

Kjo për faktin se Maradona e mori topin në fushën e Argjentinës, kaloi dy lojtarë aty, pastaj edhe katër tjerë në gjysmë-pjesën angleze, bashkë me portierin Shilton dhe shënoi golin e dytë për kombëtaren e tij, duke e kaluar atë në gjysmëfinale.

Krejt ky aksion i tij vetjak zgjati 11 sekonda. Argjentina më pas e fitoi krejt botërorin e vitit 1986.

Ajo që bëri Maradona në këtë ndeshje vazhdon të mësohet në librat e futbollit si poshtërimi që ia bëri Anglisë me një “përzierje të mrekullueshme të magjisë dhe mashtrimit”.

Shpërndaje në: