Rita Ora nderohet me titullin “Naim Frashëri” nga presidenti i Shqipërisë
Rita Ora është nderuar me titullin “Naim Frashëri”, nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Ajo mori këtë titull për mirënjohje për aktivitetin dhe rolin e saj si ambasadore në çështje me ndjeshmëri të lartë kombëtare dhe globale.
“Jam i sigurt se ky nderim sot mbart vlerësimin e çdo artdashësi në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në botë. Janë miliona njerëz që mendojnë se ti je shembulli më i qartë se kur talenti dhe dimensioni njerëzor ndërthuren së bashku, krijojnë vlera të jashtëzakonshme që frymëzojnë globalisht. Dhuntia jote, një zë i mrekullueshëm, së bashku me shumë talente te tjera që mbart, të kanë shndërruar në një njeri që ka rrëmbyer zemrat e miliona artdashësve. Me krenari, të gjithë kemi parë se si zëri yt jo vetëm e ka pasuruar fondin e muzikës botërore, por është një zë i fuqishëm edhe në shumë kauza sociale e kulturore, të cilat ndihmojnë për ta bërë botën një vend më të mirë për të gjithë. Shqipëria dhe Britani e Madhe kanë një histori të gjatë bashkëpunimi. Ne festuam 100 vjetorin e marrëdhënieve tona. Java e kulturës britanike që ne festojmë, tregon se jo vetëm nëpërmjet kulturës, por edhe përmes biznesit, ekonomisë dhe politikës, lidhja jonë do të jetë e fortë për shumë vite të tjera në vijim. Uroj që edhe në të ardhmen ta sfidosh veten duke u nxitur nga kjo ambicie artistike e fortë dhe duke plotësuar ëndrrat e tua, ta bësh mbarë botën të ëndërrojë. Së fundi, me lejo të them se, nëse për botën je një artiste e madhe, për ne je gjithnjë një burim krenarie”, ka thënë Begaj në ceremoninë e dekorimit.
Këngëtarja shqiptare ka publikuar disa fotografi në rrjetin social facebook, dhe njëherësh ka shprehur falënderime.
“Ka disa gjëra në jetë që nuk i harron kurrë, ky udhëtim do të jetë një prej tyre. Sot pata nderin e madh të më jepet urdhëri Naim Frashëri nga Presidenti i Shqipërisë, z. Bajram Begaj. Kjo është diçka që u jepet shqiptarëve dhe shtetasve të huaj për veprat dhe veprimtarinë e tyre të vlefshme në shkencë, art dhe kulturë. Faleminderit shumë nga zemra”, ka thënë Rita Ora.
Ylli shqiptar me famë ndërkombëtare do të këndojë nesër në ora 20:00 në sheshin “Skënderbej”.
Koncerti do të jetë falas për të gjithë ata qytetarë që duan të shohin nga afër këngëtaren. /Periskopi/