Nexhat Krasniqi nuk iu lejon qasje kompanive ankuese në dokumentet e tenderit 3.4 milionë euro, që e fitoi jarani i tij

Nexhat Krasniqi nuk iu lejon qasje kompanive ankuese në dokumentet e tenderit 3.4 milionë euro, që e fitoi jarani i tij

Jarania e drejtuesve të Ministrisë së Infrastrukturës po trashet për ditë me biznesmenë, e bashkë me ta, edhe kuletat e këtyre të fundit. Kështu, jo veç zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka jaranë të kompanive që fitojnë tenderë në këtë ministri, siç është rasti me kompaninë “Bageri”. Edhe shefi i prokurimit të këtij dikasteri, Nexhat Krasniqi është në të njëjtën linjë më shefin e tij, Hysenin. Ai po bëhet sebepi që dhjetëra kompani, nuk po arrijnë ta dinë se qysh kompania e Valon Ademit, shokut të Nexhatit, e fitoi tenderin për mirëmbajtjen e autostradave, në vlerë prej 3.4 milionë euro.

Nuk është aspak fshehtësi se Nexhat Krasniqi dhe Valon Ademi, pronar i kompanisë “2A Group”,  janë jaranë. Ata shihen shumë shpesh bashkë në kafenetë në qendër të Prishtinës. Haptazi.

Kompania e Ademit “2AGroup” u rekomandua për kontratë para pakë ditësh në tenderin për Mirëmbajtjen e Autostradave. Tenderi është i ndarë në katër pjesë (që në gjuhën e tenderëve të infrastrukturës njihen si: lot) dhe ai u shpall fitues për pjesën e dytë në një vlerë prej 3.4 milionë euro.

Periskopi ka mësuar se, konform Ligjit të Prokurimit Publik, brenda afatit kohorë disa kompani kanë kërkuar qasje në dokumentet e ofertës së kompanisë “2A Group” ngase po dyshojnë se kompania nuk i ka plotësuar një mori kërkesash, sipas Dosjes së tenderit.

Mësohet se shefi i prokurimit, Nexhat Krasniqi nuk iu ka lejuar qasje kompanive.

Periskopi ka dërguar pyetje në ministri për të kërkuar sqarim se pse nuk iu është lejuar qasje në dokumentacione kompanive ankuese, por ministria – si rëndom – ka zgjedhur të jetë jo transparente, duke mos na kthyer përgjigje.

Formulari me ‘informacione sekrete’ që po ia mundëson Krasniqit t’i injorojë ankesat e kompanive

Periskopi ka mësuar se shefi i prokurimit, Nexhat Krasniqi, po thirret në një nen të Ligjit të Prokurimit Publik, kur nuk po iu ofron qasje kompanive.

“Ka thënë se kompania e ka plotësuar formularin me informacione Sekrete të Biznesit dhe Qasja në Dokumentacion. Dyshimet janë se kompania nuk i plotëson disa prej kushteve që i ka vendosur vetë ministria”, tha një burim për Periskopin brenda kësaj ministrie.

Në fakt, legjislacioni sekondar i Prokurimit Publik i quajtur “Rregullat dhe Udhëzuesi Operativ për Prokurimin Publik”, e kanë paraparë edhe një situatë të tillë, kur mund të plotësohet një formulari me të dhënat sekrete.

Një aktivitet i prokurimit konsiderohet i përfunduar ne datën e njoftimit te kompanive mbi rezultatin e aktivitetit te prokurimit. Qasja në te dhënat e aktivitetit te prokurimit fillon në datën e pranimit nga kompanitë te njoftimit mbi rezultatin e aktivitetit te prokurimit.

“Pas përfundimit të aktivitetit të prokurimit vetëm informatat e klasifikuara, nga kompania (Operatori Ekonomik) dhe të pranuara nga Ministria (Autoritet Kontraktues), si sekrete të biznesit do të mbesin sekrete për të gjitha palët duke përjashtuar KRPP, OSHP, përfshirë ekspertin shqyrtues dhe panelin shqyrtues dhe gjykatat kompetente. Përveç dokumenteve të klasifikuara si informata sekrete të biznesit, Ministria do t’i ofroj, çdo pale të interesuar që bën kërkesë, qasje të shpejtë dhe të arsyeshme në të gjitha të dhënat për aktivitetin e prokurimit. Pala e interesuar në fjalë do të ketë qasje në dokumente duke konsultuar ato në zyrën e prokurimit. Konsultimi në zyrën e prokurimit, nëse bëhet fjalë për më pak se 20 faqe A4 dhe qasje direkte të formës elektronike do të jenë të liruara nga tarifa”, thuhet në legjislacionin sekondar (RRUOPP).

Kompania “2A Group” është në konzercioum edhe me kompanitë “ABC” e “B CORP” SHPK & “JUBICA” SHPK. Kjo e fundit –  është një kompani nga Shqipëria që kapë tender të majmë, kryesisht që kanë të bëjnë me sinjalizimin e rrugëve.

Pjesën e parë të tenderit e kanë fituar Grupi i kompanive me lider “Lika Company” SHPK & “Lika Trade”.

Lot 3. Grupi i kompanive, me lider kompaninë “Damastion Project” Shpk & “Via” & “Company Eskavatori”.

Lot 4. Grupi i kompanive me lider kompaninë “Arbotec” SHPK & “Arbotec GMBH” –Dega në Kosovë.

Për këtë tender kanë ofertuar 18 subjekte, dhe aktualisht është në fazën e pezullimit, pasi ministria ka pranuar shumë ankesa nga kompanitë. Periskopi ka mësuar se kompanive u është lejuar qasje në tri pjesët tjera të tenderit, pos në pjesën e dytë.

Pra me arsyetimin se ato e kanë plotësuar formularin konfidencial për të mos shpalosur të dhënat financiare të kompanisë.

Kësisoj, kompanitë kanë bërë disa ankesa, kryesisht nuk janë pajtuar me vendimin e ministrisë që u ka dhënë ajo në arsyet e eliminimit, por dhe pas qasjeve zyrtare në dokumentet e kompanive fituese janë ankuar se as ato nuk i kanë përmbushur një serë kërkesash. Pra, asnjë ankesë nuk kanë mundur ta bëjnë për ofertën e lot 2.

Periskopi ka mësuar se, menaxheri i prokurimit vetëm u ka thënë se kompania e ka plotësuar e të dhënave sekrete, por nuk ua ka treguar formularin, që do të dëshmonte se është plotësuar që të mos shikohet ajo ofertë financiare.

Para pak muajve, kompania e dostit të menaxherit të prokurimit, ka lidhur një kontratë më MMPHI për Mirëmbajtën verore dhe dimërore të rrugëve regjionale.

Kontrata ka qenë në vlerë prej 744 744,78 euro, më pas është lidhur edhe një aneks – kontratë për punët shtesë. Edhe në këtë tender “A2 Group” kishte ofertuar me kompaninë “ABC” dhe nuk e kanë plotësuar deklaratën e konfidenciale. Po ashtu, për punët shtesë kompania e Ademit para pakë ditësh ka lidhur aneks kontratë në vlerë mbi 1 milionë euro për punët shtesë në Autostradën e Gjilanit.

Kompania “2A Group” është regjistruar në ARBK në vitin 2015 në emrin e Valon Ademit dhe ka fituar tender nga ministria edhe para se të shkojë aty menaxheri Krasniqi.

Në vitin 2020, Betim Reçica, ish sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës, pati denoncuar në polici për kanosje biznesmenin Valon Ademi.

“Valon Ademi tash e një kohë njihet për veprimet e tij kërcënuese edhe ndaj ish-zyrtarit përgjegjës të prokurimit, Besim Tahirit, në kohën e ministrit Lutfi Zharku. Rasti për këtë sulm dhe kanosje ndodhet në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në zhvillim e sipër”, thuhej në shkresën zyrtare të Reçicës drejtuar policisë.

“Kërkoj nga të gjitha organet për luftimin e krimit dhe zbatimin e ligjshmërisë kompetente që të ndërmarrin masat e nevojshme për të ofruar ambient të qetë në zbatimin e detyrave zyrtare”, thuhej në shkresën e sekretarit Reçica.

Ministria e Infrastrukturës vazhdon të jetë një nga institucionet me buxhetin më të lartë për investime kapitale. Infrastruktura rrugore mbetet një nga fushat më të rëndësishme, me probleme të shumta dhe e shumëpërfolur për afera korruptive dhe keq-menaxhim të parasë publike. /Periskopi/

Hysen Durmishi nuk e ndëshkon kompaninë e pesë centëve që e la pa asfaltuar autostradën, i jep sërish tender

 

Shpërndaje në: